21.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Buy now

spot_img

16 llojet e shefave, si të silleni me ta

Thuhet se njerëzit lënë shefat dhe jo punët. Nëse ju pëlqen puna juaj dhe do të donit ta mbanit, mësoni si të silleni me shefin në mënyrë që karriera juaj të arrijë atje ku ëndërroni. Nga martiri tek i shkëlqyeri, rruga e varësisë mund të jetë tepër e mundimshme.

Shumica e njerëzve bien dakord se një shef ndihmon në mbajtjen e një pune apo në braktisjen e saj, transmeton Ekonomia Online. Një shef i mirë e bën edhe punën më të paqëllimtë në botë të duket e rëndësishme dhe me dobi, ndërsa nga ana tjetër një shef i tmerrshëm mund të krijojë një ambient toksik në punë dhe të shkatërrojë çdo mundësi për karrierë.

Në fakt, thuhet se shpesh njerëzit nuk e lënë punën, por e lënë shefat.

Martiri

Shefi martir ka bërë, bën dhe do të bëjë gjithçka për të mirën e kompanisë. Ai punon edhe gjatë ditëve të pushimit edhe kur është sëmurë. Ai qëndron jashtë orarit edhe kur nuk paguhet. Si të konkurrosh me të? Mos konkurro, dëgjoje dhe mëso prej tij.

Ulëritësi

Ky lloj shefi mendon se do t’i arrijë gjërat, nëse ngre zërin sipas parimit sa më i lartë zëri aq më i lartë zotimi. Si mund të përfundojë një ulëritës shef? Ata që punësojnë, mendojnë më kot se ulërimat janë aftësi menaxhuese. Nëse arrini të kuptoheni me këtë lloj shefi, fitojini respektin dhe ndihmojeni të ulë tonin.

I frikshmi

Punonjësit ia dëgjojnë fjalën shefit të frikshëm nisur prej një arsyeje të vetme: frikës. Ai është gjithnjë një kërcënim dhe e përdor këtë për të mbajtur punonjësit nën fre. Ai pushon nga puna për të rritur frikën dhe për pasojë, të aftët largohen, sepse nuk mund të punojnë me të. Me kalimin e kohës, shefi i frikshëm shkatërron të gjithë stafin, por një ditë e pëson edhe vetë.

Manipuluesi

Shefi Makiavelian është shumë inteligjent dhe një nga më të rrezikshmit. Ai është shumë i përqendruar dhe ka gjithnjë një plan sekret. Ky shef i sheh njerëzit si mjete për të arritur qëllimin. Nëse punoni për një manipulues, kujdesuni për veten. Rruga më e mirë për t’u sjellë me të, është të jeni të hapur dhe të sinqertë, ai mund ta ketë harruar të vërtetën prej kohësh nga manipulimet e tij.

I paafti

Shefi më gdhe që do të keni ndonjëherë. E vetmja mënyrë për t’u marrë vesh me të, është ta ndihmoni të ngrihet në detyrë, sepse kur këta ngrihen në detyrë, bëjnë të njëjtën gjë me njerëzit që i ndihmuan. Herët ose vonë do të shpëtoni prej tij.

Injoranti

Ai nuk është i mangët, por thjesht i paedukuar. Ai nuk njeh teknologjinë, ose është jashtë rrymës së punës për momentin. Këto karakteristika, nuk e bëjnë atë një shef të keq në vetvete. Mënyra më e mirë për t’u sjellë me të, është ta ndihmoni dhe kur t’ia marrë dorën, do t’ju falënderojë.

I prapambeturi

Ky lloj shefi flet vetëm për të shkuarën dhe duket se gjen justifikime për të mos u përballur me të tashmen. Jini të durueshëm me të dhe me kalimin e kohës çdo gjë do të rregullohet, sepse të paktën ai nuk është i paaftë.

I plotfuqishmi

Ky lloj shefi ‘zot’ është një megalomaniak i vërtetë dhe gjithçka për të, vërtitet rreth pushtetit. Do të vini re se pajisjet e zyrës së tij janë të shtrenjta. Atij i pëlqen rregulli te punonjësit e tij dhe nuk dëshiron t’i bëhet kurrë fjala dysh. Krijojini iluzionin se ndiqni rregullat e tij, nëse dëshironi të shkoni mirë me të.

Mënjanuesi

Këtij shefi nuk i hyn gjemb në këmbë. Ai i shmanget gjithnjë përgjegjësisë dhe nuk jep përgjigje të drejtpërdrejta. Kur flisni me të, bëni mirë të ruani dokumente, sepse rrëshqet nga përgjegjësia si ngjalë.

Inekzistenti

Ai nuk është kurrë aty, ndaj është i padëmshëm. Kur e keni pranë, përfitoni nga rasti të krijoni një lidhje me të. Mund të mendoni sesa e padrejtë është jeta, pasi ai merr dyfishin pa bërë asnjë punë, por mendoni: mund të ishte një ulëritës!

Paranojaku

Ai është dyshues për çdo gjë. I duket sikur të gjithë po përpiqen ta ulin, ndihet i paqetë në pozicionin e tij dhe i ka gjithnjë veshët hapur. Çfarë të bëni me të? Sigurojeni për pozitën e tij dhe tregohuni të ndershëm.

Shoku

Ata që kanë shefin shok janë me fat. Ai sillet sikur të jetë miku juaj dhe jo eprori. Ai dëshiron që ta pëlqeni, por nuk është imponues me pushtet. Kaloni kohë me të dhe gjeni balancën.

Atlasi

Ky shef mendon se ka botën në shpatullat e tij. Megjithëse e paraqet veten si të fortë, mezi arrin t’i fshehë të metat e tij. Ai shqetësohet për detajet. Mbërrin në zyrë herët, sepse i ka zierë mendja një natë më parë për problemet e punës. Si t’ia bëni me të? Jini të sjellshëm, por përpiquni të shmangni shumë ndërveprim me të. Nervozizmi i tij mund të jetë ngjitës.

Ujku i vetmuar

Atij i pëlqen t’i bëjë gjërat vetëm. E shmang kontaktin me njerëzit, veçanërisht me punonjësit. Ai mund të jetë i prapambetur nga ana e teknologjisë, por e ka marrë rritjen për aftësitë e tjera. Ai i lë punonjësit të punojnë vetëm, mos prisni të ndërtoni lidhje që i shërbejnë karrierës me të.

Dy minuta shef

Ky është një përzierje e shefit ‘atlas’ dhe atij ‘perëndi’. Kur vjen në zyrë kërkon llogari për gjithçka, por pastaj nuk ka kohë të dëgjojë atë që keni për t’i thënë. Ai ju cakton shpesh punë, por harron se çfarë. Ai të lë përshtypjen se është shumë i zënë për t’u bezdisur me detaje dhe duket se e ka mendjen në një vend tjetër, më të rëndësishëm. Për të shkuar mirë me të, jini të përmbledhur që të shpjegoni gjithçka në dy minuta.

I shkëlqyeri

Shefi i ëndrrave, ai që i motivon dhe i trajton të gjithë siç e meritojnë, pavarësisht burokracisë. Ai gjen gjithnjë mënyrën për të komunikuar dhe arritur atë që është e drejtë. Ky lloj shefi është një shembull për të gjithë dhe krijon një mjedis pozitiv në punë. Ai ka vizion, nuk frikësohet dhe nuk bërtet. Ai është i përkushtuar ta mësojë stafin dhe i kujton punonjësit edhe kur largohen./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img