Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës edhe njëherë ka konfirmuar se mbështet propozimin evropian për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në komunikatën e AAK-së thuhet se “qëndrimi i Aleancës për propozimin evropian të mbështetur fuqishëm nga SHBA, për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, për dallim prej të tjerëve, ka qenë konsistent e në mbështetje të plotë”.

“Pa asnjë mëdyshje e kemi vlerësuar se është një marrëveshje që brenda vetes ka njohjen ‘defakto’ të shtetit të Kosovës dhe që është interes nacional i yni! I kemi dhënë mbështetje këtij projekti pa kurrfarë kalkulimi partiak apo elektoral”, thuhet në komunikatën e AAK-së, transmeton Telegrafi.

Më tej ky subjekt thotë se “përpjekja e disa individëve, apo grupimeve të caktuara që këtë qëndrim të interesit nacional e shtetëror të Aleancës, ta vendosin në mozaikun e shkurtpamësisë së tyre, s’është gjë tjetër përpos mjerimi i tyre!”.

“Aleanca dhe gjithë forcat progresive ne Kosovë, sot janë rreshtuar me ShBA dhe vendet e BE-së, në procesin e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë”.

AAK thotë se “rrugës së çlirimit, të lirisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës, i kemi kemi hyrë bashkërisht me partnerët tanë në krye me ShBA, dhe bashkërisht do ta përfundojmë”. /Telegrafi/