5.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Buy now

spot_img

Barrikadat nuk i pengojnë serbët të lëvizin lirshëm – gjejnë alternativa ilegale

Disa serbë lokalë në veri të Kosovës, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Kjo ka qenë përgjigja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq.

“Po e bllokojmë veten”, thotë një prej qytetarëve që po udhëtojnë këto ditë nga veriu i Kosovës drejt Serbisë, përmes rrugëve alternative, të cilat përfshijnë edhe kalime ilegale të kufirit.

Qysh më 10 dhjetor, kur grupe të serbëve lokalë kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët që çojnë kah dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, shumëkush duhet të gjejë zgjidhje vetë.

Rruga përmes malit të Rogoznës është një prej opsioneve.

Në vend të autostradës kryesore nga Mitrovica e Veriut, përmes Leposaviqit, deri në pikën kufitare të Jarinjës, tani udhëtohet përmes Banjskës – Komuna e Zveçanit – dhe malit të Rogoznës, në rrugën e njohur si ‘rruga kah burimi’.

Kjo rrugë alternative fillon nga fshati Banjska i komunës së Zveçanit.

Nëpërmjet fshatrave Bare dhe Bërgjani, arrihet në Novi Pazar dhe më pas në Rashkë – të dyja komuna në jugperëndim të Serbisë.

Kjo rrugë, e cila është njëra prej disa rrugëve alternative në veri, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshin edhe një kalim të jashtëligjshëm të kufirit, sepse nuk ka vendkalim kufitar zyrtar.

Shumica e pjesëve të rrugës janë të asfaltuara, me përjashtim në disa vende.

Nëpër këtë rrugë tani kalojnë makina private, autobusë, e madje edhe kamionë.

Udhëtimi zgjat rreth dy orë e gjysmë. Në rrethana normale, udhëtimi nga Mitrovica e Veriut në Rashkë zgjat rreth një orë.

Megjithatë, në dalje nga territori i Kosovës, në një objekt të improvizuar është vendosur postblloku i Policisë së Serbisë.

Në këtë vend, policia i legjitimon udhëtarët, ashtu si në vendkalimet e rregullta kufitare.

Postblloku i Policisë së Serbisë pas daljes nga territori i Kosovës.

Në këtë rrugë, përveç makinave, dy herë në ditë kalojnë edhe autobusë të kompanive private nga Mitrovica e Veriut.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vendosur pika kontrolli të automjeteve në rrugën magjistrale Mitrovicë- Leposaviq. Sipas PK-së, kjo është bërë “për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi”.

/Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img