12 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Buy now

spot_img

Beqiroviq: Nuk është mirë të ndërlidhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës me demarkacionin e kufirit

Dr. Zijad Beqiroviq është drejtor i njërit prej instituteve më me emër në Ballkanin Perëndimor.

Nën drejtimin e tij, Instituti Ndërkombëtar për Studimet Ballkanike dhe të Lindjes së Mesme (IFIMES) që ndodhet me seli në Lubjanë të Sllovenisë, ka trajtuar tema kruciale për politikat e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Të shumta janë prezantimet e dr. Beqiroviq, respektivisht institutit të tij edhe për sa i përket gjendjes politike në Kosovë.

Në një intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, dr. Beqiroviq flet për pozitën e shteteve të rajonit, orientimin e tyre gjeopolitik si dhe perspektiven evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Mes tjerash, ai thotë se  “është e rëndësishme edhe për BE-në edhe shtetet e Ballkanit për të mos hequr dorë nga procesi i zgjerimit, gjegjësisht procesit të anëtarësimit,” dhe shton se “BE-ja do të duhet të lejonte regjim pa viza për qytetarët e Kosovës, nga se themelet e BE-së janë tek lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave dhe kapitalit”.

GeR: Dr. Beqiroviq, pasi që ju drejtoni një institut të shquar, i cili merret edhe me çështje që lidhen me Ballkanin, pyetja e parë do të ishte, ku ndodhen vendet e Ballkanit Perëndimor që ende nuk janë anëtarësuar në Bashkimin Evropian?

Beqiroviq: Shtetet e Ballkanit Perëndimor të cilat ende nuk janë bërë anëtare të BE-së ndodhën në një situatë të palakmueshme. Në njërën anë e kemi BE-në, e cila po përballet me sfidat dhe problemet e saj, ndërsa në anën tjetër, kemi shtetet individuale, të cilat nuk po punojnë mjaft intensivisht dhe më me kualitet në përafrimin e tyre drejt anëtarësimit në BE. Për shtetet është i rëndësishëm procesi i përafrimit, sepse mobilizon forcat më të shëndetshme në vend dhe krijon komplet një atmosferë të re. Atmosferë kjo, e cila ndihmon që shtetet të fillojnë proceset e brendshme, të cilat do të relaksonin marrëdhëniet brenda vendeve dhe ashtu të kontribuojë në mirëqenien e përgjithshme.

Prandaj është e rëndësishme edhe për BE-në edhe shtetet e Ballkanit për të mos hequr dorë nga procesi i zgjerimit, gjegjësisht procesit të anëtarësimit, ngase në fund ky proces do të sjellë përparim. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e elitës politike në rajon, edhe pse në mënyrë deklarative është për anëtarësim BE-në, nuk e do anëtarësimin. Arsyeja është e thjeshtë, procesi i përafrimit do të eliminojë një pjesë të konsiderueshme të elitave ekzistuese dhe i ndryshon rregullat e sjelljes politike. Pse do të duhej ata liderë politikë të humbnin të gjitha privilegjet dhe pozitat e tyre të rehatshme për anëtarësim në BE? Për këtë, gjoja se ata në mënyrë retorike e mbështesin procesin e përafrimit me BE-në dhe në anën tjetër, në mënyra të sofistikuara e bllokojnë atë proces.

GeR: Serbia me qeverinë e Aleksandër Vuçiqit ka treguar mjaftë interes të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, por që ka ende kushte për të përmbushur. Cili është mendimi juaj, a mundet Serbia të bëhet anëtare e BE-së, përderisa ende nuk ka hequr dorë nga politika e pengimit ndaj shteteve të tjera të rajonit?

Beqiroviq: Serbia i ka bërë disa përparime. Megjithatë, është ende herët për të folur për anëtarësimin e saj në BE sikurse edhe për vendet të tjera. Serbia duhet të bëjë shumë më tepër në lidhje me përafrimin e anëtarësimit në BE. Ky është një proces i gjatë dhe i lodhshëm. Politika e fqinjësisë është shumë rëndësishëm për procesin e përafrimit. Duhet të dihet se kush janë fqinjët e Serbisë. Këtu hasim në problem kur është fjala për Kosovën. Këtu kemi përballjen e dy koncepteve kushtetuese. Sipas Kushtetutës së Serbisë, Kosova është një krahinë autonome brenda Serbisë, ndërsa në Kushtetutën e Kosovës, Kosova definohet si shtet i pavarur dhe sovran. Kjo çështje duhet të zgjidhet.

GeR: Situata në Bosnjë dhe Hercegovinë, ende nuk është në nivel e lakmuar që të konsiderohet e qëndrueshme dhe e begatë. Millorad Dodik, edhe pse erdhi në pushtet si një faktor pro-integrues, ai është bërë pengesa më e madhe për shtetin e BeH. Në cilën rrugë po ecën shteti i BeH?

Beqiroviq: Bosnja dhe Hercegovina është në një situatë përbuzëse. Veç disa vite, po bllokohet hyrja e saj në anëtarësimin e plotë në NATO. Kjo para se gjithash është për shkak të ndikimit të Serbisë, si dhe kohëve të fundit edhe për shkak të ndikimit të faktorit rus. Në këtë moment, anëtarësimi i BeH në NATO është më i rëndësishme se sa anëtarësimi në BE. Anëtarësimi i Bosnjë dhe Hercegovinë në NATO do të siguronte garantimin e integritet territorial dhe me këtë do të eliminohej rreziku nga çfarëdo lloj qëllimi secesionist ose separatist. Për shkak të ndikimit të Rusisë dhe eksponentëve të saj në rajon ekzistojnë qëllime për të ndryshuar orientimin gjeopolitik të rajonit gjegjësisht vendeve të veçanta. Qëllimi është që kjo perspektivë të mos jetë euroatlantike por ndonjë tjetër. Dhe këtu do të zhvillohet një konfrontim i fortë midis Perëndimit dhe Rusisë, por edhe rritjes së shtuar të ndikimit të Turqisë në rajon. Edhe një fakt tjetër. Marrëveshja paqësore e Dejtonit lejon forma të ndryshme të bllokadës dhe pengesave nga ana e aktorëve të ndryshëm dhe kjo shumë shpesh në BeH (keq)përdoret.

GeR: Pas mbajtjes së zgjedhjeve në Mal të Zi dhe presionit të madh të opozitës nuk është më kryeministër i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Mali i Zi është orientuar për integrime euro-atlantike, por që presioni i Rusisë është prezent. Çfarë të ardhme ka Mali i Zi në kontekst të orientimit të saj?

Beqiroviq: Mali i Zi ka zgjedhur perspektivën euro-atlantike. Ajo së shpejti do të bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Ky orientim strategjike i saj, sigurisht e ka lëkundur një pjesë të planeve ruse në këtë pjesë të botës. Për këtë ka një presion të fortë mbi udhëheqësit e Malit të Zi dhe tentimi për organizimin të trazirave, e edhe për një grusht shtet. Ky presion mbi Malin e Zi do të vazhdojë edhe më tej. Qëllimi është për të ndryshuar orientimin gjeopolitik të Malit të Zi. Pas hyrjes në NATO, Mali i Zi ka mundësi reale që të bëhet një anëtar i ri i BE-së. Kjo është një mundësi reale në Mal të Zi dhe për këtë arsye nuk duan të luajnë mbi këtë shans.

GeR: Në Maqedoni janë mbajtur zgjedhjet pas një krize politike e cila ishte për një kohë të gjatë prezente. Në skenë kanë dalë figura të reja politike. A ekziston mundësia e shfaqjes së ndonjë krize politike edhe me qeverinë e re?

Beqiroviq: Qytetarët e Maqedonisë në zgjedhjet e kaluara të parakohshme janë orientuar për ndryshime, nga se ata votuan për opozitën. Rreth 600,000 qytetarë votuan për ndryshime. Askush më nuk mund t’i ndalojë ato ndryshime demokratike. Është interesante, sesi asnjë nga bashkësia ndërkombëtar nuk e ka uruar “fitoren” e VMRO-DPMNE në këto zgjedhje. Për këtë është e rëndësishme që forcat demokratike të opozitës të formojnë qeverinë e re të Maqedonisë. Çdo gjë tjetër e çon Maqedoninë në një pasiguri edhe më të madhe dhe assesi në stabilitet.

GeR: Kosova, pavarësisht pengesave të konsiderueshme po bënë përpjekje për të ndërtuar të ardhmen e saj. Kriza politike po vazhdon për një kohë të gjatë. Presionet janë edhe të brendshme edhe të jashtme. Kërkesa më e madhe nga ana e BE-së për të është zgjidhja e çështjes së demarkacionit të kufirit të saj me Malin e Zi, në mënyrë që të marrë liberalizimin e vizave. Si e shikoni ju pozitën në të cilën ndodhet Kosova tani?

Beqiroviq: Kosova veç disa vide ndodhet në stanjacion. Në vend nuk ekziston një konsensus më shumë se i domosdoshëm për çështjet kryesore. Ka pasur lëvizje në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Megjithatë, problemi kryesor i Kosovës është standardi i ulët i qytetarëve,  ekonomia e shkatërruar dhe vazhdimi i emigrimit, sidomos i të rinjve. BE-ja do të duhet të lejonte regjim pa viza për qytetarët e Kosovës, nga se themelet e BE-së janë tek lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Pra, në këtë rast BE-ja i lë anash apo edhe i injoron themelet e saja. Nuk është mirë që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të ndërlidhet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kosova ka nevojë për udhëheqës të rinj, të cilët nuk janë të mbingarkuar me hipotekat e së kaluarës dhe të cilët Kosovën e shohin si shtet modern evropian dhe me prosperitet. Shtet i cili ka shumë për t’u treguar qytetarëve të saj dhe rajonit por edhe Evropës. Kosova tani ka ngecur në përmbushjen e kësaj detyre.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img