13.8 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Buy now

spot_img

Chollet u premton përfitime Kurtit dhe Vuçiqit nëse merren vesh

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pak orë para takimit të dy liderëve në Ohër.

Cholleti u ka thënë atyre se zbatimi i Planit evropian për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, do të sjellë përfitime për të dyja shtetet.

“Bisedova me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me bisedimet e 18 marsit lidhur me normalizimin e raporteve me Serbinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Zbatimi [i propozimit evropian] do të ofrojë përfitime domethënëse për të dyja vendet dhe do të tregojë përkushtim për një të ardhme paqësore në rajon”, ka shkruar në Twitter këshilltari i lartë amerikan, pas bisedës me Kurtin.

Ndërsa, me Vuçiqin Cholleti ka njoftuar se ka zhvilluar bisedë të mirë lidhur me “rëndësinë e angazhimit konstruktiv” në propozimin e BE-së, i cili sipas tij, është i konsoliduar.

“Bisedë e mirë me presidentin Vuçiq. U pajtuan në rëndësinë e angazhimit konstruktiv në propozimin e konsoliduar të BE-së më 18 mars. Riafirmova mbështetjen e SHBA-së për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe përfitimet që normalizimi i raporteve do t’i sillte Serbisë dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar më tej ai.

 

Ndryshe, për bisedën me Cholletin ka njoftuar edhe kryeministri Kurti përmes një postimi në Twitter, Ai ka theksuar se Kosova është e përkushtuar që takimi në Ohër të përfundojë me sukses.

“Diskutuam rëndësinë e kësaj fundjave për Kosovën, rajonin, integrimin euroatlantik dhe sigurinë. Theksova se jemi të përkushtuar që e nesërmja të jetë e suksesshme”, ka shkruar Kurti.

Kosova dhe Serbia e kanë pranuar propozimin evropian më 27 shkurt dhe të shtunën, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të diskutojnë për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Propozimi evropian shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img