7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Buy now

spot_img

Demarkacioni shkakton ‘kufi’ në mes VV-së dhe AAK-së e Nismës

Të tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK e Nisma, janë të vendosur të kundërshtojnë ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Por jo kundërshtim në çdo formë. Ata nuk do të shihen më bashkë në këtë kauzë, siç janë parë më herët.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha sot se ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të takohet me liderët e bllokut opozitar, AAK e Nisma, por një gjë e tillë është pamundësuar për shkak se liderët, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, nuk kanë pasur vullnet politik. E në anën tjetër, kreu i AAK-së tha po sot se as nuk do t’i bashkohen Vetëvendosjes e as nuk i bëjnë thirrje që t’u bashkohen atyre.
Ymeri deklaroi se përpjekjet e tij nuk kanë munguar që nga momenti kur ka filluar të ridiskutohet çështja e demarkacionit.
Sipas tij, kundërshtimi i përbashkët i opozitës do të ishte më i fuqishëm dhe do të rezultonte më i efektshëm, ndërsa tha se çfarëdo heqje dorë nga kundërshtimi aktiv i kësaj marrëveshje do të nënkuptonte pranim të saj.
“Fatkeqësisht nuk kanë ndodhë takime, pasi nuk kam parë vullnet politik nga ana e tyre. Pra ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që bashkë t’i kundërshtojmë këto, pasi mendojmë që kundërshtimi ynë parimor që ka zgjatë për një kohë të gjatë, përmbi 7 muaj ka sjellë efekte pozitive në Republikën e  Kosovës dhe çfarëdo heqje dorë nga kundërshtimi i këtyre marrëveshjeve, por edhe nga kundërshtimi aktiv i këtyre marrëveshjeve, do të nënkuptonte pranim të marrëveshjeve”, tha Ymeri.
Por, qëndrim të kundërt ka lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili thotë se ndonëse kanë qëndrime të njëjta sa i përket Demarkacionit dhe Asociacionit, nuk do t’i bashkohen Vetëvendosjes.
“Jemi me qëndrime që janë nacionale. Bashkësia e komunave serbe është gabim. E ka gjet Gjykata Kushtetuese që është gabim. E ndajmë këtë mendim me Lëvizjes Vetëvendosje me opozitën, me plot tjerë. Po ashtu, versionin e tashëm të demarkacionit e kanë gjet gabim ekspertët më të njohur, më të thirrurit, më të zotët e Kosovës, e ndajnë po këtë mendim. Nuk i bashkohemi Vetëvendosjes, nuk e ftojmë Vetëvendosjen të na bashkohet neve, por mbesim në kundërshtim të temave”, tha Haradinaj.
Përderisa, kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka bërë të ditur se do të përdorin protesta dhe metoda të tjera për kundërshtimin e marrëveshjes për demarkacionin, një gjë të tillë nuk e ka specifikuar lideri i AAK-së.
Në anën tjetër, deputetët e Vetëvendosjes u janë rikthyer formave të vjetra të kundërshtimeve.
Deputeti i kësaj partie, Driton Çaushi, dje ka hedhur gaz lotsjellës në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, për të kundërshtuar procedimin e Demarkacionit në Kuvend. Të njëjtën gjë, e ka bërë sot shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca, i cili ka hedhur gaz lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, në të cilën pritej të vendosej për datën e seancës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të dalë në votim kjo marrëveshje.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img