5.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Buy now

spot_img

Deputetët ankohen: Nuk njohim zëvëndësministrat në Qeverinë Mustafa

Qeveria e Kosovës është kritikuar në vazhdimësi për numrin e madh të zëvendësministrave. Opozitarët thonë se qeveria emërimet e zëvendësministrave vazhdimisht i ka bërë në mënyrë klandestine.
Mund të jesh zëvendësministër, por të mos njihesh nga deputetët. Kjo për shkak të numrit të madh të zëvendësministrave që ka Qeveria e Kosovës.
Deputetë nga opozita, kanë thënë për Radio Kosovën, se më shumë se gjysmën e zëvendësministrave nuk i njohin.
Shefi i Grupi Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj është një prej atyre deputetëve që me përqindje jep të dhëna se sa i njeh zëvendësministrat.
“Unë për vete, si deputet, 80 për qind të zëvendësministrave nuk i njoh, nuk e di nga vijnë, mirëpo dihet që kjo më tepër ka qenë për interesa individuale, sesa diçka tjetër”, ka tënë Lekaj.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina thotë se nuk i njeh shumicën e zëvendësministrave, pasi që sipas saj, asnjëherë nuk ka pasur njoftime për emërime të zëvendësministrave, sa është numri i tyre dhe cilat sektorë brenda ministrive i mbulojnë ata.
“Është shumë e vërtetë, unë nuk e di se kush janë ata, me përjashtim të ndonjë ministrie të caktuar, kur janë emëruar, në cilët dikasterë e kështu me radhë. Emërimet e tyre janë bërë në forma po thuajse klandestine dhe pastaj nuk është thjesht një zëvendësministër, i cili emërohet, por ai shoqërohet edhe me një numër të caktuar të stafit dhe pastaj krijon shpenzime tjera, të cilat janë ngarkesë e madhe për buxhetin e varfër të vendit”, tha Pantina për Radio Kosovën.
Por, jo vetëm opozitarët kanë problem t’i njohin të gjithë zëvendësministrat për shkak të numrit të madh.
Edhe deputeti i LDK-së, Sadri Ferati e ka një problem të tillë.“Po, këta të LDK-së i njoh të gjithë, domethënë zëvendësministrat e LDK-së, jo të tjerët. Pra, të LDK-së po, të tjerët s’jam i sigurt”, ka thënë Ferati.
Qeveria e Kosovës aktualisht i ka 20 ministra, dy prej të cilëve pa portofol, ndërsa në secilën ministri janë pothuajse nga 2 ose 3 zëvendësministra. Një ditë më parë kryeministri Isa Mustafa ka paralajmëruar se pas përfundimit të çështjes së demarkacionit, partnerët e koalicionit do t’i qasen seriozisht riformatimit të Qeverisë.
Kohë më parë është përmendur edhe mundësia e zvogëlimit të numrit të ministrive, pasi që vazhdimisht është vlerësuar si kabineti më i madh qeveritar në rajon dhe më gjerë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img