18.1 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Buy now

spot_img

Dramaturgu serb u kërkon falje shqiptarëve për të gjitha krimet serbe dhe pyet: A duhet Kosova ta njohë Serbinë?

“Është e pamundur të shtypësh Arnautët [shqiptarët] vetëm me kolonizim gradual … Mënyra dhe mjeti i vetëm është forca brutale e një qeverie të organizuar shtetërore, në të cilën kemi qenë gjithmonë mbi ta… Mund të mbijetojë vetëm një vend i banuar nga populli i vet”.  Në nënshkrim [të kësaj] nuk është Hitleri, Goebbels dhe të tjerë nga rruga e tyre.

“Dëbimi i arnautëve [shqiptarëve]”, është memorandumi i shkruar në vitin 1937 nga Vasa Çubriloviq, atëherë docent në Fakultetin Filozofik në Beograd, për Klubin Kulturor Serb, i cili në atë kohë drejtohej nga Slobodan Jovanoviq dhe Dragisha Vasiq.

Siç shkruan dramaturgu serb, Çedomir Petroviq, në një tekst autorial të publikuar në gazetën “Danas”, “Memorandumi i Çubriloviqit konsiderohet si një nga dokumentet themelore të ideologjisë serbomadhe të shekullit XX, në të cilën radhiten idetë që autoritetet serbe përdorën gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë me qëllim të spastrimit etnik të shqiptarëve, myslimanëve dhe kroatëve.

“Krimet kundër shqiptarëve u kryen gjithashtu gjatë luftërave Ballkanike, nga forcat ushtarake dhe policore të Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi. U vranë 120,000 shqiptarë, të të dy gjinive dhe të të gjitha moshave”, shkruan Petroviq.

Më tej ai shkruan se “Qeveria e Milan Stojadinoviqit nuk mundi të zbatojë memorandumin. Arsyeja, fillimi i Luftës së Dytë Botërore dhe shembja e Mbretërisë së Jugosllavisë”.

“Komunistët me ndrojtje do të refuzojnë idetë e Vasa Çubriloviqit, por Millosheviqi do të pranojë me dy duart planin për të dëbuar shqiptarët nga Kosova në vitin 1999, në operacionin e quajtur ‘Patkoi’. Plani do të përfshijë një fushatë shtazarake, masive të spastrimit etnik, të kryer nga forcat serbe në Kosovë gjatë konfliktit të vitit 1998 dhe 1999”, shkruan Petroviq, transmeton Telegrafi.

Ai thotë se “sipas Çubriloviqit, kolonialistëve duhet t’u jepen armë dhe të çojnë në një konflikt të drejtpërdrejtë midis malazezëve dhe shqiptarëve në Kosovë”.

“Duhej futur trazira dhe frikë në popullin shqiptar. Me kërcënime ose me para të detyrohen të shpërngulen. Aplikimi e gjobave të mëdha në të holla ndaj tyre, në një jetë edhe ashtu të vështirë dhe të varfër, prerja e pyjeve dhe dërgimi në punë të detyrueshme… Grumbullimi i pamëshirshëm i taksave, konfiskimi i kullosave shtetërore dhe komunale. Çubriloviq gjithashtu propozon presion mbi besimin, poshtërim të klerikëve fetarë, gërmimin e varrezave, ndalimin e poligamisë. Djegie e fshehtë e fshatrave dhe lagjeve shqiptare në qytete”, zbulon Petroviq, pjesë nga memorandum famëkeq.

Më tej, ai shkruan se “Vasa Çubriloviq, akademik, historian, ministër i dyfishtë, profesor universiteti, fitues i çmimeve të “Tetorit” dhe “Shtatë Korriku”, anëtar i organizatës revolucionare “Bosnja e Re” dhe pjesëmarrës në atentat, u bë një nga krijuesit përfundimtar të lindjes së serbit mbinjeri”.

“Rreth 10,000 shqiptarë të Kosovës u vranë në tre muajt e përgjakshëm dhe të çmendur të vitit 1999. Ushtria dhe policia e RFJ-së së atëhershme, nën kontrollin e udhëheqjes shtetërore, dëbuan mbi 850,000 shqiptarë nga Kosova”.

“Qytetarëve [shqiptarëve] të përndjekur, autoritetet kufitare [forcat ushtarake e policore serbe] ua konfiskuan dokumentet personale dhe prova të tjera të shtetësisë, duke fshirë sistematikisht identitetin e tyre”.

“Millosheviq urdhëroi që të gjithë kufomat në Kosovë, që mund të ishin me interes për gjykatën e Hagës duhet të asgjësoheshin.  Gjatë viteve 1998 dhe 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen shkatërrime të mëdha, masakra, zjarrvënie, helmime pusesh, përdhunime, grabitje, vrasje të civilëve…”

Dramaturgu serb thotë se “krimi më i tmerrshëm, të cilin nuk mund ta pranojë një mendje e shëndoshë njerëzore, u krye në 1998 në Prekaz, në zonën e Drenicës”.

“Forcat e mëdha të policisë ushtarake serbe, të armatosura me tanke, armë vetëlëvizëse dhe artileri, rrethuan shtëpinë e familjes Jashari dhe për tri ditë e tri net qëlluan pa dallim ndaj grave, fëmijëve, të moshuarve dhe civilëve të tjerë. Helikopterët dhe automjetet ushtarake zbrazën rafale mbi çatitë e shtëpive të fshatit dhe më pas forcat e policisë hynë në fshat, duke qëlluar me armë zjarri shtëpitë”.

“Forcat serbe të sigurisë, me ndihmën e ushtrisë serbe, vranë 56 anëtarë të familjes së Adem Jasharit. Midis tyre 18 gra dhe 10 fëmijë. U asgjësua fara dhe u krye gjenocidi kundër një familje”.

“Pas gjithë këtyre krimeve monstruoze, imazhet e të cilave mund të krahasohen me imazhet e krimeve fashiste nga Lufta e Dytë Botërore … A duhet Republika e Kosovës, në fund të fundit, ta njohë Republikën e Serbisë?”, pyet dramaturgu serb, transmeton Telegrafi.

Ai më tej shkruan se “Çdo kafshë dhe çdo njeri në këtë botë të trishtuar ka të drejtë të mbrojë veten kur dikush e sulmon atë. Si popull i një vendi, ata duhej të prisnin për t’u vrarë, deri në të fundit?”.

“Shumë shqiptarë që ishin përkrahës të politikës jo të dhunës, pas krimeve kundër familjes Jashari, iu drejtuan rezistencës së armatosur”.

“Një numër i policëve, që morën pjesë në aksione kundër shqiptarëve në Kosovë, në Serbi ende konsiderohen heronj të luftës. Hetimi në Serbi është i ngadaltë, sepse shumë janë larguar nga vendi, kurse disa prej autorëve të veprave penale janë akoma në radhët e policisë”.

“Duhet të tregohet historia, historia e vërtetë, për krimet e çmendura të një kombi kundër një tjetri dhe ndaj kombit të vet”, shkruan Petroviq.

“Ata [serbët] vranë edhe serbë”

Petroviq thotë se forcat ushtarako-policore serbe, kanë vrarë edhe serbë në Kosovë.

“Dy sulmues të maskuar, të veshur me uniforma të zeza me shenja të UÇK-së, hynë në kafenenë ‘Panda’ në Pejë dhe vranë me armë automatike gjashtë të rinj të nacionalitetit serb. Kjo ndodhi 22 vjet më parë. Masakra u organizua nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Serbisë”.

Petroviq thotë se “Ishte e nevojshme të paraqitej UÇK-ja para publikut ndërkombëtar si një organizatë terroriste dhe të justifikoheshin veprimet e forcave serbe në territorin e Kosovës”.

“Besoja në vendin tim, në Serbinë, luftëtarët e së cilës janë të drejtë, por duket se ajo [Serbia] krijoi monstra që ishin në gjendje të sakrifikonin fëmijë të pafajshëm. Ata mbollën urrejtje. Nuk e di se si është e mundur që Serbia të lindë monstra të tillë. Çfarë truri janë ata?”, tregon Petroviq, fjalët tronditëse të Milenës, nënës së njërit nga të rinjtë serbë të vrarë në lokalin “Panda” nga forcat serbe, transmeton Telegrafi.

“Nuk kishte asnjë shqiptar në afërsi të vendit të ngjarjes, por vetëm forcat ushtarake dhe policore serbe”, tregon ai.

Më tej ai thotë se “e vranë Oliver Ivanoviqin. Tinëzisht. Prapa shpinës. Kështu vetëm frikacakët më të mëdhenj vrasin”.

“Dhe vdekja flet në heshtje … Të gjitha gjurmët e vrasësve dhe ideatorëve çojnë në Beograd. Dhe kush e di se sa mizori të tjera ishin kryer nga ushtria dhe policia serbe, të maskuar me uniformat e UÇK-së?”

“Kërkoj falje për të gjitha mëkatet e popullit tim kundër popullit shqiptar. Dhe ne do t’i falim mëkatet e tyre”, shkruan Petroviq.

“Dhe le të vijnë në Kosovë ata serbë që nuk kanë kryer krime dhe le t’u dëshirojnë fqinjve të parë një jetë të lumtur të pavarur dhe liri në Republikën e tyre të Kosovës”.

“Ne t’u dëshirojmë që ata të bëhen anëtarë të plotë të KB, BE, NATO, UNESCO, Interpol dhe të gjitha organizatat e tjera të cilave edhe u përket Republika e Kosovës”.

“Që serbët dhe shqiptarët të fillojnë të jetojnë një jetë të qetë dhe të sigurt së bashku. Pas gjithë vuajtjeve që kanë kaluar në historinë e tyre, si pak popuj në botë, shqiptarët në Kosovë, i pret fillimi i jetës që ëndërruan paraardhësit e tyre, fillimin për ata që do të vijnë dhe nuk do të kurrë më nuk do të trajtohen si një popull ose një race më të ulët”.

“Dallim midis nesh nuk ka, nëse ato shfaqen, do të jenë në dëmin tonë”.

Petroviq citoi ish-kryeminitrin serb, Zoran Gjingjiq, I cili ka thënë: “Ju them, shikoni në të ardhmen, shikoni në të ardhmen dhe ju dhe unë do të takohemi atje …”

“Unë besoj se ai nuk do të zemërohej në mua, për shkrimin: ‘Shikoni të ardhmen, shikoni të ardhmen dhe atje në BE, do të takohen përsëri Kosova, Serbia dhe Shqipëria dhe të gjithë ata që dikur ishin pjesë e një vendi, një e mirë vendi, Jugosllavia”, ka shkruar Petroviq.

(Çedomir Petroviq është aktor, dramaturg dhe regjisor serb. Ai është djali i aktorit dhe komedianit të njohur Miodrag Petroviq – Çkalja)

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img