8.6 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Buy now

spot_img

Familja Dehari kërkon dorëheqjen e dy ministrave

Në një deklaratë lidhur me kërkesën e ministres së Drejtësisë që Scotland Yard ta hetojë vdekjen e djalit të tyre, Avni e Xhemile Dehari thonë se pa dorëheqjen e Dhurata Hoxhës e të Skënder Hysenit dhe pa ndërprerjen e hetimeve aktuale nuk pajtohen për hetime ndërkombëtare.

 Familja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili u gjet i vdekur më 5 nëntor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ka lëshuar një deklaratë lidhur me përpjekjet e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, për një hetim të pavarur ndërkombëtar për vdekjen e Astritit.
“Nga mediet mësuam se Ministrja e Drejtësisë, znj.Dhurata Hoxha, i është drejtuar ambasadorit britanik z.Ruairi O’Connell, me kërkesë për një hetim të pavarur të vdekjes së djalit tonë Astritit, me arsyetimin se pjesë të caktuara të opinionit publik kanë shprehur dyshime sa u përket integritetit dhe paanësisë së procesit hetues”, thuhet në fillim të deklaratës.
“Së pari, Ministrja Hoxha nuk u mor me kërkesën tonë si familje për hetim të pavarur, por vetë ajo bëri kërkesë. Pra, nuk është se ajo po bëhej gati të jepte leje për ne, por e inicoi kërkesën pa kurrfarë konsultimi me ne. Së dyti, nuk është se vetëm pjesë të caktuara të opinionit publik kanë shprehur dyshime për hetimin e deritanishëm, por të gjithë qytetarët e panë publikisht deklaratën e rrejshme të komandantit të policisë nga Prizreni, z. Nexhmi Krasniqi, për shkakun e vdekjes së Astritit, rrjedhjen e provave në televizione publike si dhe paragjykimin e kryeprokurorit Sylë Hoxha për shkaktarin e vdekjes së Astritit pa u kryer hetimet”, thekson më tej deklarata e lëshuar nga Avni dhe Xhemile Dehari.
Sipas kësaj deklarate, kërkesa e ministres së Drejtësisë është pranim i saj për papërgjegjësinë dhe për paaftësinë e kësaj Qeverie dhe të institucioneve shtetërore për ta zbardhur rastin e zbuluar shkaktarin e vdekjes së Astrit Deharit.
“Kjo kërkesë do të kishte kuptim vetëm nëse njëkohësisht znj. Dhurata Hoxha dhe kolegu i saj, Ministri i Punëve të Brendshme z. Skënder Hyseni japin dorëheqje menjëherë. Paralelisht me këtë duhet të ndërpriten hetimet aktuale që po i udhëheqin prokurorët Metush Biraj e Sylë Hoxha. Nga publikimet e kohëve të fundit morëm vesh se këta dy prokurorë i lidh me konflikt interesi vëllau i kryeprokurorit, z. Elez Hoxha, i dënuar me katër vjet burg për korrupsion”, thuhet në deklaratën e familjes Dehari.
“Pa dorëheqje të këtyre dy ministrave dhe pa ndërprerjen e hetimeve aktuale ne si familje Dehari nuk pajtohemi për hetime ndërkombëtare, përkundër vlerësimit të lartë që kemi dhe reputacionit të lartë që ka Scotland Yard”, thuhet në të njëjtën deklaratë.
Lidhur me vdekjen e Astrit Deharit sot Ministria e Drejtësisë njoftoi për suspendimin e katër zyrtarëve të Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img