26.1 C
Pristina
Saturday, May 21, 2022

Buy now

spot_img

Fondi për kredi, marrëveshje me të gjitha bankat

Fondi kosovar për garanci kreditore që nga funksionalizmi i tij në fillim të këtij viti, ka nënshkruar marrëveshje për garanci kreditore gati me të gjitha bankat komerciale në Kosovë, bëjnë të ditur zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Fondi kosovar për garantimin e kredive është një institucion vendor i pavarur dhe i qëndrueshëm, i cili është menduar që t’u lëshojë garanci të pjesshme të kredive institucioneve financiare, duke rritur në këtë mënyrë qasjen në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë.
Sokol Havolli, shef i kabinetit në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se marrëveshjet e nënshkruara me bankat komerciale kanë për qëllim stimulimin e kredidhënies për biznese, të cilat do të kontribuojnë në rritje ekonomike.
“Në fillim të këtij viti ka hyrë në fuqi Ligji për fondin për garantim të kredive, që ka qëllim për të përshpejtuar rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës dhe në këtë drejtim, pas hyrjes në fuqi, ka filluar edhe funksionalizimi i fondit dhe informatat tani janë se fondi ka nënshkruar marrëveshje me disa prej bankave komerciale apo me të gjitha bankat komerciale”, bën të ditur Havolli.
Në Kosovë janë dhjetë banka komerciale. Aktiviteti i këtyre bankave komerciale, si një nga sektorët më profitabil në Kosovë, dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë.
Raporti i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës, publikuar javë më parë, tregon se vlera e kredive është rreth 2.2 miliardë. Nga totali i kredive, 65.2 për qind janë kredi për ndërmarrjet.
Normat për kredi familjare, në të gjitha bankat komerciale në Kosovë mesatarisht janë rreth 8 për qind, kurse për ndërmarrjet 6.9 për qind.
Normat e larta të interesit për kredi, kërkesat e shumta për aplikim, duke përfshirë këtu edhe hipotekën, të aplikuara nga bankat komerciale në Kosovë, vazhdimisht ishin cilësuar si pengesë për zhvillimin e veprimtarive të bizneseve në vend.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se sektori privat ballafaqohet me kamata të larta bankare, por edhe procedura burokratike.
Sipas tij, Fondi për garantimin e kredive do t’i ndihmojë bizneset në zhvillimin e tyre, por që nuk do të jetë një shkop magjik që t’i zgjidhë problemet ekonomike të vendit.
“Është një fond që për efektet e këtij fondi, duhet të pritet pak kohë, kemi pasur takime të shumta, janë faza përgatitore për përgatitjen e grumbullimi të mjeteve për mbështetjen, megjithatë ky fond nuk është një shkop magjik për t’i zgjidhur problemet ekonomike të Kosovës”, vlerëson Gërxhaliu.
Efektet e Fondit kosovar për garantimin e kredive, ndërkohë, sipas Sokol Havollit, shef i kabinetit në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, do të shihen së shpejti.
“Efekti i këtij fondi do të jetë diku rreth 360 milionë euro në pesë vjetët e ardhshëm dhe do të jetë një ndër shtyllat që do të përshpejtojnë zhvillimin ekonomik pa krijuar efekte negative në tregun financiar”, sqaron Havolli.
Fondi kosovar për garantimin e kredive, i cili ka rreth 18 milionë euro, llogaritet që në gjashtë vitet e para të rrisë mundësinë për kredi të reja në rreth 400 milionë euro, me të cilat besohet se mund të krijohen deri në 20 mijë vende të reja pune.
Programi i Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në partneritet me Qeverinë e Kosovës dhe donatorët tjerë, ishin iniciatorë të themelimit të këtij Fondi.(REL)

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,319FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Marketing -spot_img

Latest Articles