12 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Buy now

spot_img

Gjeneralët e Serbisë kurrë nuk u gjykuan për krimet në Kosovë

Dy vjet më parë, në atë që nga aktivistët e të drejtave të njeriut u vlerësua si një lëvizje të guximshme drejt vënies së drejtësisë për viktimat e luftës të Kosovës, Zyra e Prokurorisë serbe për Krimet e Luftës hapi një hetim për rolin e gjeneralit të Ushtrisë jugosllave Dragan Zhivanoviç në sulmet e vitit 1999 në fshatrat e Kosovës Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq.
Kjo ishte hera e parë që Serbia kishte bërë një përpjekje për të ndjekur penalisht gjeneralë ushtrie që janë përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës së vitit 1999 ku mbetën të vdekur 12,000 persona dhe 800,000 shqiptarë të Kosovës u dëbuan.
Sipas një deklarate nga Zyra e Prokurorisë për krime lufte më 5 gusht 2014, Zhivanoviç, si ish-komandant i Brigadës 125 të Motorizuar të Ushtrisë jugosllave, dyshohej se kishte kryer një krim lufte kundër civilëve sepse ai “nuk ndërmori ndonjë masë dhe nuk parandaloi vrasjet e të paktën 118 civilëve shqiptarë, lëndimin e 13 civilëve, shkatërrimin e 40 shtëpive, plaçkitjet dhe dëbimin në katër fshatra të Kosovës”.

Por dy vjet më pas, prokurorët serbë nuk e kanë paditur Zhivanoviçin, as nuk e kanë zgjedhur hetimin për të hetuar komandantë të tjerë përgjegjës për disa nga sulmet më brutale në luftën e Kosovës.
Njëherësh, gjyqi në vazhdim e sipër i 12 personave të akuzuar për përfshirje në sulmet në fshatrat e Kosovës, pothuajse të gjithë ushtarë të thjeshtë të Ushtrisë jugosllave, është shoqëruar me vonesa, progres të ngadaltë dhe debate ligjore.
Gjyqi, i konsideruar një pikë referimi duke qenë se ishte një nga më të mëdhenjtë në Serbi për krime lufte, filloi në vitin 2011. Fillimisht, ai dënoi 11 burra në shkurt 2014, por çështja më pas kaloi për rigjykim dhe të pandehurit u liruan sepse gjykata argumentoi se vendimi i shkallës së parë nuk ishte i qartë dhe kishte gabime ligjore.
Gjyqtarja që dha dënimet e shkallës së parë u shkarkua në atë që ajo beson se ishte një lëvizje politike dhe çështja iu caktua gjyqtarëve të tjerë.
Burrat tashmë u liruan dhe disa prej tyre kanë arritur t’ia mbathin. Një nga të pandehurit kyç të çështjes, Ranko Momiç, fillimisht u dënua me 15 vjet burg për masakrën në Qyshk, u arratis në anën pro-ruse në Ukrainë, pavarësisht faktit se kishte një urdhër gjykate për të që të mos largohej nga vendi.
Një tjetër i pandehur i rëndësishëm, Dejan Bulatoviç, fillimisht u dënua me 20 vjet burg, u sëmurë me kancer, kështu që gjykata vendosi t’i jepte fund ndjekjes penale ndaj tij.
Të gjithë të tjerët – 11 prej tyre të akuzuar si autorë të drejtpërdrejtë të sulmeve – po rigjykohen. Rigjykimi është në fillimet e tij dhe me shumë gjasa s’do të përfundojë deri në fund të këtij viti duke marrë parasysh ritmin e ngadaltë të procedurave gjyqësore në këtë kaluarën.
Vetë çështja tashmë është zvarritur për pesë vjet, gjë që shkaktoi edhe një situatë tjetër më shqetësuese – viktimat humbën si durimin ashtu edhe shpresën se gjyqi do të përfundojë me dënime.
Në seancën e fundit dëgjimore, dy të mbijetuarit kyç të sulmeve refuzuan të dëshmonin, duke cituar “tradhtinë” e tyre nga gjykata serbe. Ata thanë se s’donin të merrnin më pjesë në atë që ata e quajtën një “gjyq farsë”.
Por s’janë vetëm viktimat shqiptare të Kosovës ata që nuk po paraqiten në gjyq. Ata që dyshohet se urdhëruan krimet nuk janë fare as në listën e dëshmitarëve, e jo më të jenë të listuar në aktakuzë.
Gjatë këtyre pesë viteve, Dragan Zhivanoviç, i cili nënshkroi urdhrin që ushtria të dërgohej në fshatin Qyshk në pranverë të vitit 1999, nuk u paraqit kurrë si dëshmitar në gjyq, edhe pse është e qartë që ai ishte në dijeni të asaj që ndodhi në Kosovë në atë kohë.
Megjithatë, ai u paraqit si dëshmitar në gjyqet në Gjykatën e Hagës, ku ai mohoi përfshirjen e tij në ndonjë krim lufte.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta nga BIRN për të marrë një koment, Prokuroria nuk ka shpjeguar kurrë se si është e mundur të nxjerrësh në gjyq njerëz që ishin vartësit e tij dhe shkuan në fshat me urdhrat e tij, por të mos e përfshish vetë Zivanoviçin në procesin gjyqësor.
Është gjithashtu për të ardhur keq të theksosh se dy vjet pasi ai u hetua fillimisht për krime lufte, ndaj atyre që dhanë urdhra për këtë krim nuk është ngritur asnjë padi.
Pavarësisht zotimeve për të ruajtur sundimin e ligjit, të dhënat e Prokurorisë serbe për krimet e luftës mbeten të varfra kur vjen puna te zyrtarët e lartë. Asnjë gjeneral ushtrie apo policie s’ka dalë kurrë në gjyq në Serbi për krime lufte në ish-Jugosllavi.
Në vend të kësaj, ne kemi një Zyrë Prokurorie të Krimeve të Luftës e cila ka tetë muaj pa një kryeprokuror dhe një Qeveri që mirëpret në shtëpi heronj kriminelë që janë dënuar për krime lufte në Kosovë nga gjykata e OKB-së.
Mbetet ende për t’u parë nëse zotimet për të ndjekur penalisht zyrtarë të lartë për krime lufte në Serbi, zotime të bëra së fundmi në strategjinë e saj të krimeve të luftës si pjesë e paketës së saj të anëtarësimit në BE, do të përmbushen.
Mbetet gjithashtu për t’u parë sa e ashpër dhe parimore do të jetë BE-ja në presionin e saj ndaj Serbisë që ajo të mbajë premtimet e bëra gjatë negociatave të anëtarësimit.
Nëse nuk bëhet asnjë progres në nxjerrjen para drejtësisë të të dyshuarve të nivelit të lartë, kjo do të jetë një tjetër histori e errët në të cilët politika ngrihet mbi drejtësinë./BIRN/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img