20.1 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Buy now

spot_img

Haradinaj dhe Bahtiri kërkojnë të rrënohet menjëherë muri në veri

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur në kabinetin e tij liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, me të cilin ka biseduar për situatën e përgjithshme në Mitrovicë dhe zhvillimet e fundit në këtë qytet, me theks të posaçëm për situatën e krijuar pas ndërtimit të murit në pjesën veriore, jo larg urës kryesore mbi lumin Ibër, nga ana e drejtuesve të komunës së Mitrovicës Veriore.

“Kryetari Bahtiri, pasi e falënderoj për interesimin e vazhdueshëm për Mitrovicën dhe zgjidhjen e problemeve të komunës,  i tha liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, se situata e përgjithshme në Mitrovicë deri para disa ditësh, ishte stabile dhe e qëndrueshme, por që kjo u tensionua atëherë kur serbët ndërtuan një mur në mënyrë jo ligjore dhe me qëllim të  provokimit të qytetarëve në cepin verior të urës mbi Ibër.
Ai tha në vazhdim, se falë angazhimit maksimal të drejtuesve të komunës, që duke apeluar tek qytetarët që të mos bien pre e këtij provokimi dhe bashkëpunimit të ngushtë me ta dhe organet e rendit e të sigurisë,  situata mbeti nën kontroll dhe nuk eskaloi.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri hodhi poshtë të gjitha kritikat dhe përpjekjet e disa drejtuesve të institucioneve më të larta të vendit, kryesisht atyre që janë anëtarë të PDK-së, për hedhjen e fajit tek ai për ndërtimin e murit dhe tensionimin e gjendjes në Mitrovicë kohëve të fundit.
“Nëse ka ndonjë individ, qoftë ai politikan apo jo, që është angazhuar për stabilizimin e plotë të gjendjes në Mitrovicë, atëherë jam unë ai. Asnjëherë nuk jam ndalur së punuari dhe biseduari me përfaqësuesit e të gjitha institucioneve relevante vendore e ndërkombëtare, për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë, për largimin e barrikadave që kishin bllokuar tërë qytetin, për krijimin e kushteve për lëvizje e qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave, për përmirësimin e raporteve ndëretnike etj. Dhe në këtë drejtim janë arritur rezultate të lakmueshme. Mjerisht, në këtë drejtim nuk e kam pas mbështetjen e duhur të atyre që sot po kritikojnë”, tha ai.
Sidoqoftë, tha në vazhdim kryetari Bahtiri, për punën që ka bërë e ka pas dhe ende e ka mbështetjen e fuqishme të qytetarëve të Mitrovicës dhe të gjithë atyre që ia duan të mirën këtij qyteti dhe vendit në përgjithësi, por jo edhe të atyre që punojnë vetëm për interesa personale dhe në dëm të qytetarëve e të vendit, e të cilët paturpësisht po mundohen që përgjegjësinë dhe fajin e tyre për lëshimet e bëra lidhur me ndërtimin e murit, ta hedhin mbi të.
“Unë jam shumë i bindur se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës e dinë fare mirë se problemi i murit dhe veriu në përgjithësi janë përgjegjësi të nivelit qendror, e jo të Agim Bahtirit, prandaj po e përsërisë se përpjekjet për të më fajësuar mua për diçka që ndodhë në hapësirën e një komune tjetër që e kanë formuar  po këta zyrtarë të lartë të vendit që sot po më akuzojnë mua pafytyrësisht, është e turpshme dhe skandaloze”, tha ai.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se ai dhe partia e tij janë jetësisht të interesuara që të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët dhe drejtuesit e komunës së Mitrovicës të zgjidhen në mënyrë institucionale.
“Ashtu sikur në takimin e para disa ditëve, edhe sot biseduam për gjendjen në Mitrovicë dhe në veçanti për murin që është ndërtuar në mënyrë jo ligjore nga serbët në veri të Mitrovicës. Atëherë dhe sot jemi dakorduar plotësisht se ndërtimi i këtij muri ka për qëllim tensionimin e gjendjes në Mitrovicë dhe si i tillë është i pa pranueshëm, prandaj edhe sot e përsërisim kërkesën tonë decidive që institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, e që janë ato të nivelit qendror, të marrin të gjitha masat e menjëhershme ligjore për rrënimin e murit nga aty ku nuk e ka vendin”, tha ai.
Haradinaj në vazhdim tha se në Mitrovicë partitë politike duhet të jenë bashkë kur është fjala për zgjidhjen e problemeve të shumta të qytetarëve, ashtu sikur që duhet të jenë bashkë edhe kur është në pyetje interesi i vendit dhe qytetarëve të tij.
“Fatkeqësisht, kjo në rastin e Mitrovicës dhe më konkretisht lidhur me murin, nuk po ndodhë. Niveli qendror, në mënyrë të pa ndershme po mundohet që tërë përgjegjësinë e vet ta hedh tek kryetari Bahtiri, vetëm e vetëm që ai të goditet dhe kështu të zbehet për të përkrahja e qytetarëve të Mitrovicës, të cilën ai e ka të plotë”, tha ndër të tjera Haradinaj.
Duke i dhënë mbështetje të plotë kryetarit Bahtiri për punën që ka bërë dhe po bënë në Mitrovicë, edhe lidhur me zhvillimet e fundit, Haradinaj nga Mitrovica i ftoj përgjegjësit e institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës, që të kryejnë punën e tyre ashtu si duhet dhe në bazë të Ligjit e Kushtetutës, pra që murin ta rrënojnë menjëherë dhe të ndërpresin fushatën e pakuptimtë dhe të pa dinjitetshme kundër kryetarit Bahtiri”- thuhet në komunikatën drejtuar mediave.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img