12 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Buy now

spot_img

Hoti: Vlera e koeficientit nuk duhet të jetë nën 125 euro

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, vlerëson se vlera e koeficientit nuk duhet të jetë më e vogël se 125 euro.

Sipas tij, rritje reale sigurohet nëse vlera e koeficientit është mbi 125 euro.

Ai thekson se çfarëdo vlere nën 125 euro nënkupton ulje të pagave.

Postimi i tij i plotë:

SA DUHET TË JETË VLERA E KOEFICIENTIT TË PAGAVE?

PASOJAT E INFLACIONIT: Për shkak të rritjes enorme të çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm, vlera reale apo fuqia blerëse e pagave u zvogëlua dukshëm gjatë vitit 2022. Qeveria nuk i përshtati pagat për normën e inflacionit, e as nuk e rriti pagën minimale. Rrjedhimisht, për pjesën më të madhe të familjeve (që kanë të ardhura vetëm nga paga) standardi i jetës ra për shkak të reduktimit të konsumit.

PASIGURIA ME LIGJIN E PAGAVE: Edhe pse ligji i pagave është shpallur në Gazetën Zyrtare më 5 janar 2023, Qeveria ende nuk e ka caktuar vlerën e koeficientit. Rrjedhimisht, askush nuk e di sa do ta ketë pagën në muajin shkurt. Kjo ka krijuar pasiguri tek të punësuarit, pasi shumë prej tyre kanë kredi apo obligime të rregullta mujore. Mos caktimi i vlerës së koeficientit përbënë shkelje të të drejtave të punëtorëve.

SA DUHET TË JETË VLERA E KOEFICIENTIT PËR TË RUAJTUR PAGAT E NJËJTA NË FUQI BLERËSE? Bazuar në një llogaritje të thjeshtë: një vlerë e koeficientit prej 125 euro i ruan pagat e njëjta në fuqi blerëse, siç kanë qenë në dhjetor 2021 përpara rritjes së çmimeve. Pra, kjo vlerë e koeficientit nuk paraqet rritje reale të pagave. Rritje reale sigurohet nëse vlera e koeficientit është më e lartë se 125 euro. Çfarëdo vlere e koeficientit më pak se 125 euro nënkupton ulje të pagave në fuqi blerëse në mallra dhe shërbime.

SA DUHET TË JETË VLERA E KOEFICIENTIT PËR NJË RRITJE TË ARSYESHME TË PAGAVE? Pagat në sektorin publik nuk janë rritur që nga viti 2016, kur u zbatua rritja prej 2% deri në 20% për shkak të viteve të përvojës së punës. Për shkak të ndryshimeve strukturore në ekonomi dhe në nevojat për konsum të familjeve, si dhe inflacionit inercial për periudhën 2016-2021, është e natyrshme që pagat reale duhet të rriten së paku me 10%. Kjo rritje është modeste, pasi përbën rritje prej 2% në vit. Kështu që, për të siguruar rritje reale të pagave prej 10%, si dhe për të kompensuar zhvlerësimin për shkak të inflacionit siç u diskutua më lartë, vlera e koeficientit të pagave duhet të jetë 137.5 euro. [e njëjta përshtatje duhet të ndodhë edhe për skemat pensionale dhe të ndihmës sociale].

Secili i punësuar në sektorin publik mund të bëjë vetë llogaritje për tu bindur:

(i) krahasoni sasinë e mallrave që e keni blerë me pagën tuaj në dhjetor 2021 me sasinë e mallrave që e keni blerë në dhjetor 2022 (krahasoni faturat javore të ushqimeve, transportit dhe barnave që i konsumoni në familje brenda një jave, apo çmimet e mallrave dhe shërbimeve bazike);

(ii) sa duhet të jetë rritja në pagë në mënyrë që sot të blini të njëjtën sasi mallrash sikurse në dhjetor 2021?;
(iii) sa duhet të jetë vlera e koeficientit që të keni pagë me të cilën mund të blini të njëjtën sasi mallrash sikurse në dhjetor 2021?/Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img