9.2 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Buy now

spot_img

Hoxhaj: Sikur të zbatohej Asociacioni në 2013-n, shumë tema do të harroheshin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, deklaroi se sikur në vitin 2013 të niste zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në 2023-n do të harroheshin shumë tema, e një prej tyre edhe liberalizimi i vizave.

Ai deklaroi në Interaktiv të KTV-së të enjten, se kompromisi në vitin kur u nënshkrua Asociacioni do të ishte më i dëmshëm, sesa neni i 7-t i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sikur në vitin 2013 të nisnim të zbatonim marrëveshjen e Asociacionit, në 2023-n s’do të ishte temë. Kompromisi që është bërë atëherë ka qenë më pak i dëmshëm, sesa neni 7 i kësaj marrëveshje. Propozimi i Asociacionit ishte i zonjës Ashton. Asociacionin e ka bllokuar atëherë Kurti me të tjerët. Po të zbatohej, sot do t’i kishim rezultatet. Çështja e vizave do të ishte harruar. S’do ta kishim situatën në veri”, deklaroi ai.

Sipas Hoxhajt, kryeministri Albin Kurti ka hequr dorë nga njohja e Serbisë, por më e pakta që duhet të arrihet, siç tha ai, është ratifikimi i marrëveshjes në Kuvendin e Serbisë.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, theksoi se Kurti duhet t’i shohë të gjitha mundësitë që të përfitojë nga ky proces.

Plani B i Kurtit, sipas Hoxhajt, është partneriteti me ndërkombëtarët, se në cilat organizata do të mund të anëtarësohej Kosova .

“Nëse OKB-ja është e pamundur, nëse sot kemi një marrëveshje të tillë dhe dështon, cilat organizata do të ishin jetike për Kosovën. Prej tyre Këshilli i Evropës. Nëse shtetet partnere s’mund ta vendosin në tavolinë aplikimin e Kosovës dhe cila është parashikueshmëria e procesit. Nën tre, cilat janë agjencitë e OKB-së që janë jetike për Kosovën. A mund të ketë edhe organizata të tjera që janë jetike. Kur kemi bërë dialog, s’e kemi bërë vetëm me Serbinë, por ka qenë edhe me partnerët tanë. Kurti duhet para takimit në Ohër të ishte në Uashington, në Paris, pra, të ishte në qendra vendimmarrëse”, shtoi ai.

Deputeti opozitar potencoi se Kurti duhet të ndërtojë partneritet strategjik me SHBA-në, në mënyrë që ta ketë më të lehtë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Hoxhaj përmendi se takimi i Ohrit që do të mbahet të shtunën (18 mars), mund të mos jetë takimi i fundit mes palëve. Kjo marrëveshje që pritet të nënshkruhet, s’është obligative e as ligjore sipas Hoxhajt. Ai theksoi se përfundimi i kontekstit mund të përmbyllet në fund të luftës në Ukrainë.

“Kjo është kohë e hapave të vegjël në Ballkan, s’është kohë e kthesës. Në të kaluarën në raport me dialogun kemi pasur debate me politikë të jashtme, që janë kthyer në politikë të brendshme. Po flasim për një konflikt 200-vjeçar në Ballkan, ku në anën e Serbisë ka pasur politike të hegjemonisë të shpërnguljes dhe s’i ke katër persona racionalë për të drejtën e Kosovës për të ekzistuar. Serbët në Serbi s’kanë pasur qëndrim racional karshi Kosovës. Kur i sheh çka flasin dhe kur ka përpjekje për rikthim të historisë. Në kontekstin që e kemi me mbështetje amerikane dhe evropiane, mund të ndryshojnë gjerat. A jemi të dëshpëruar pse s’e kemi një marrëveshje që është bazë për pajtim. S’mund të ketë pajtim pa e njohur Serbia ekzistencën e Kosovës”, tha ai.

Pa i përmendur me emër, deputeti i PDK-së tha se në rast të përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë, Kosova mund të njihet nga 2 shtete mosnjohëse.

Hoxhaj: Neni 7 i Planit evropian, përtej Marrëveshjes së Asociacionit të 2013-s

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka cilësuar nenin 7 në propozimin evropian për normalizim raportesh midis Kosovës dhe Serbisë, si pikën shqetësuese, pasi sipas tij, ky nen tejkalon Marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të arritur më 2013.

Në “Interaktiv” të KTV-së, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se ky nen u jep më shumë kompetenca serbëve. Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të negociojë për ta kthyer këtë pikë në kuadër të planit të zbatimit, në përputhje me rendin kushtetues të Kosovës.


Çka thotë neni 7 i këtij plani?

Neni 7

Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.


“Shqetësimin kryesor që e kemi është neni 7 dhe neni 7 si i tillë, shqetësimi është se neni 7 është përtej marrëveshjes së Asociacionit të komunave të prillit 2013. Kam qenë në Vjenë në negociata dhe një formulim të tillë, kompetenca të tilla, përgjegjësi të tilla, qëllim të tillë të Serbisë e kemi pasur në tavolinë për dy vjet dhe s’e kemi pranuar në një kohë kur do të duhej ta pranonim me qëllim që Kosova të shpallej e pavarur. Mendoj që Kurti duhet të negociojë e të jetë shumë i përgatitur që nenin 7 ta përkthejë në planin e zbatimit që është në përputhje me renin kushtetues të Kosovës dhe sistemin aktual politik, e që s’mund ta bëjë Kosovën jofunksionale. Dy shqetësimet tona janë të thjeshta. Nën 1, a i përmbush kjo marrëveshje interesat strategjike të Kosovës dhe nën dy a ruhet rendi kushtetues. A është autonomi territoriale apo avancim i gjendjes së komunitetit serb në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2013”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, Kurti në dialog duhet të përmendë Planin Ahtisaari që ka bërë që Kosova t’i tejkalojë shtetet tjera me respektim të të drejtave të pakicave. Ai ka thënë se me Marrëveshjen e asaj kohe, Asociacioni kishte të bënte “me katër-pesë fusha, dhe jo si neni 7 tash”. Sipas tij, është e paqartë se çka nënkupton “vetëmenaxhimi”. Ai ka thënë se e sheh si të rrezikshme edhe pikën kur flitet për kanale komunikimi të veçanta të serbëve me Qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë.

Hoxhaj ka insistuar që Kurti duhet të kërkojë në dialog që plani evropian të ratifikohet nga të dyja kuvendet. Ai e ka cilësuar propozimin si të pashmangshëm, ndërsa ka shtuar se duhet të synohet që të sigurohet njëkohësisht njohja e pesë vendeve mosnjohëse evropiane.

Sipas tij, pasi me rënien nga tavolina të çështjes së njohjes dhe anëtarësimit në OKB, “Serbisë i është siguruar fitore kolosale diplomatike”. Ai ka thënë se plan B duhet të jetë pranimi në NATO dhe BE, ndërsa plan C “të paktën ratifikimi në dy Kuvendet pasi do ta bënte marrëveshje ndërkombëtare”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Takimi në kuadër të dialogut ndërmjet dy shteteve do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell dhe emisari Miroslav Lajcak.

Diskutimet të shtunën pritet të fokusohen në arritjen e një dakordimi edhe për planin e zbatimit të propozimit evropian, e ku pritet të përcaktohen edhe afatet e zbatimit të pikave e veprimet që do të ndërmerren.

Hoxhaj flet për “planin B” të Kosovës në marrëveshjen me Serbinë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, deklaroi se bazuar në marrëveshjen e dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Albin Kurti nuk është as afër realitetit me ato që i premton.

Ai theksoi se nëse njohja e ndërsjellë ka dështuar si pjesë e “planit A”, Kosova duhet të fokusohet kah insistimi i ratifikimit të marrëveshjes, së bashku me Aneksin, drejt “planit B”.

Sipas Hoxhajt, marrëveshja do të kishte kuptim sikur të ratifikohej në kuvendet e Serbisë dhe të Kosovës, duke u pajtuar për nenet që flasin për njohjen e pasaportave, të vulave dhe të sovranitetit.

“Marrëveshja bazë s’është e diskutueshme, por neni 1, 2, 3, 4 dhe 5, që flasin për parimet e OKB-së, barazinë e sovranitetin, ku flitet për njohje të pasaportave dhe të vulave, për anëtarësimin e Kosovës në organizata, që Serbia s’do ta përfaqësojë Kosovën, do të kishte kuptim marrëveshja, nëse do të ratifikohej në kuvendet e Serbisë dhe të Kosovës”, deklaroi Hoxhaj në Interaktiv të KTV-së të enjten.

Deputeti i partisë opozitare potencoi tutje se nënshkrimi i marrëveshjes është çështje ditësh, e ky proces sipas tij, përfshin tri situata.

“Situata e parë është teksti i marrëveshjes dhe si pjesë është edhe plani. Situata e dytë është procesi dhe se do të duhet një imagjinatë si ta interpretojmë marrëveshjen dhe situata e tretë është situata gjeopolitike”, tha ai.

Sipas Hoxhajt, problematik mbetet neni i marrëveshjes ku theksohet se palët “duhet të kalojnë të kaluarën”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img