16.5 C
Pristina
Friday, May 27, 2022

Buy now

spot_img

Hyseni: Do të veprojmë konform ligjit

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se me trenin, i cili është nisur nga Serbia për në Kosovë, “do të veprojmë konform ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës”.

“Ju siguroj që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do të zbatojnë ligjin, në funksion të ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Unë jam në ministri me drejtorinë e policisë dhe jemi duke e përcjellë situatën dhe do të veprojmë konfrom ligjit dhe kushtetutës ”, ka thënë Hyseni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se autoritetet e Kosovës duhet t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për ndaljen e menjëhershme të trenit, i cili është nisur nga Beogradi për në Mitrovicë.

Përmes një postimi në facebook Thaçi ka shkruar se “çfarëdo që është ilegale dhe cenon sovranitetin shtetëror të Kosovës, duhet të parandalohet.

“Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Por, hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme. Për më tepër, në këtë tren ka udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi”, ka shkruar Thaçi.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i ka kërkuar “BE-së ndërhyrjen për të ndaluar destruksionet e Serbisë në Kosovë”, përfshirë edhe “provokimin me trenin nga Beogradi”.

Tahiri ka shtuar se “çështja e trenit nuk ka qenë pjesë e dialogut në Bruksel dhe rrjedhimisht edhe është çështje e përgjegjësive të institucioneve të tjera të Kosovës”.

Nga stacioni qendror i hekurudhave në Beograd të shtunën unis për në Kosovë një tren me ngjyrat e flamurit të Serbisë.

Autoritetet serbe thanë se treni shënon hapjen e linjës hekurudhore prej Beogradit drejt Kosovës, për herë të parë që prej përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s mbi objektivat serbe.

Por, zyrtarët në Kosovë thanë se treni është provokim.

“Unë kam kërkuar ndërhyrjen e BE-së për të ndalur Serbinë dhe destruksionet e saj ndaj Kosovës, përfshirë provokimin nga ky tren me simbolika ultra-nacionaliste, në emër të ruajtjes së paqes e stabilitetit dhe parimeve të dialogut për fqinjësi të mirë”, ka thënë ministrja Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Treni i nisur të shtunën drejt Kosovës thuhet se është një provë që do të zgjasë prej 20 janarit deri më 26 shkurt, pas së cilës datë, autoritetet në Beograd do të vendosin nëse do të vazhdojnë me linjën e rregullt hekurudhore.

Në përcjelljen e këtij treni ishte edhe drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, por ai pastaj ka zbritur, ndërsa udhëtimin me këtë tren e ka vazhduar zëvendësi i tij, Dushan Kozarev, dhe drejtori i hekurudhave të Serbisë, Mirosllav Stojçiq, raporton agjencia Beta.

Pjesa e jashtme e trenit është dekoruar me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mbishkrimin “Kosova është serbe”.

Autoritetet në Kosovë këtë linjë hekurudhore e kanë quajtur ilegale dhe si një provokim të radhës për destabilizimin e situatës në Kosovë.

Ministrja Edita Tahiri ka thënë se kjo është një ndërhyrje agresive në sovranitetin shtetëror të Kosovës dhe një dëshmi tjetër se Serbia po dëshiron ta destabilizojë Kosovën.

Ajo ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta ndal trenin ilegal të Serbisë në shtetin e Kosovës.

“Serbia po vazhdon me provokime të rënda ndaj Kosovës në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve”, ka deklaruar Tahiri duke shtuar se “Serbia po bëhet rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe faktori ndërkombëtar duhet ta ndal Serbinë”.

Deputetë të opozitës në Kosovë kanë hedhur kritika të ashpra në adresë të Qeverisë së Kosovës për lejimin e qarkullimit të trenit nga Beogradi për në Mitrovicë.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në facebook, ka thënë “se nuk mund të pritet heqja e murit dhe ndalimi i trenit nga një Qeveri, siç shkruan ajo, që është e nënshtruar karshi Serbisë”.

“Në fakt është e njëjta që ka ndihmuar Serbinë në realizimin e këtyre projekteve që kanë për qëllim ndërhyrjen në sovranitet dhe ndarjen e vendit, ngjashëm po vepron edhe me ‘Zajednicen’”, ka shkruar Haxhiu.

Ndërkohë, ish zëvendëskryeministrja e Kosovës, tani kryetarë e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila ka propozuar masa reciprociteti me Serbinë.

“Treni u nisë, pasi nuk kemi mënyrë/gatishmëri të ndalim trenin, mund të ndalim në Doganë kamionët e Serbisë dhe mallin serb. Më shumë se 1 mil Euro në ditë Serbia shet në Kosovë. Le të zgjedhin midis trenit ilegal apo 400 mil Euro të humbura shteti Serb. E shteti Kosovar të tregojë që interesi i shtetit është mbi interesin personal”, ka shkruar në profilin e saj në facebook Kusari – Lila.

Institucionet e Kosovës nuk administrojnë me hekurudhat në veri të vendit.

Administrimi mbi këto hekurudha nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, nga ajo periudhë, linjat hekurudhore në veri janë nën administrimin e Serbisë dhe strukturave paralele serbe.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Infrastruktura hekurudhore në Kosovë, nga ekspertë të kësaj fushe shumë herë është konsideruar e nivelit jo të mirë, që sipas tyre, për një modernizim të hekurudhave investimet janë të domosdoshme.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,333FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Marketing -spot_img

Latest Articles