12 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Buy now

spot_img

Ish-Presidenti Trump thotë se mund të arrestohet të martën

Ish-Presidenti Donald Trump thotë në një postim në rrjetet sociale se ai pret të arrestohet të martën ndërsa u bëri thirrje mbështetësve të protestojnë. Postimi i zotit Trump në rrjetin social “Truth Social” vjen në një kohë kur prokurorët e Nju Jorkut po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së akuzave në kuadër të një hetimi lidhur me pagesat e bëra ndaj dy grave, që pretendojnë se kanë patur marrëdhënie seksuale me zotin Trump.

Megjithatë, nuk ka asnjë provë që prokurorët të kenë patur ndonjë kontakt zyrtar me të.

Ish-presidenti thotë në postimin e tij se “sipas rrjedhjes së paligjshme të informacionit” nga Zyra e Prokurorit të Qarkut në Manhatan, tregohet se “udhëheqësi republikan dhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara” do të arrestohet të martën e ardhshme.

Nëse kjo ndodh atëherë zoti Trump do të bëhet ish-presidenti i parë që do të akuzohej për një vepër penale.

Nëse i ngrihet aktakuzë, ish presidenti Trump do të arrestohej vetëm nëse do refuzonte të dorëzohej. Avokatët e zotit Trump kanë thënë më parë se ai do të ndiqte procedurën normale, që do të thotë se ai ka të ngjarë të pranojë të dorëzohet në një zonë të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut ose drejtpërdrejt në zyrën e prokurorit Alvin Bragg.

Një zëdhënës i ish presidentit Trump tha të shtunën se “nuk ka pasur asnjë njoftim” për një arrestim të mundshëm.

Danielle Filson nga zyra e prokurorit të qarkut tha se prokurorët nuk “do të konfirmojnë ose komentojnë” mbi pyetjet në lidhje me postimin e zotit Trump, si dhe akuzat e mundshme. Avokatët e ish presidentit, Susan Necheles dhe Joseph Tacopina, ende nuk kanë bërë asnjë koment.

Thirrja e zotit Trump për mbështetësit e tij për të protestuar, ishte veçanërisht e mprehtë, duke evokuar gjuhën që presidenti përdori pak para sulmit në Kapitolin e SHBA-së më 6 janar 2021.

Pas një tubimi pranë Shtëpisë së Bardhë atë mëngjes, mbështetësit e zotit Trump sulmuan Kapitolin, duke thyer dyert dhe dritaret dhe duke rrahur dhe gjakosur oficerët teksa përpiqeshin të ndalonin certifikimin në Kongres të zgjedhjes së demokratit Joe Biden si president i ri i Shteteve të Bashkuara.

Përmes një deklarate, zëdhënësi i zotit Trump tha se postimi i ish presidentit në “Truth Social” nuk mbështetej në ndonjë njoftim nga prokurorët “përveç rrjedhjeve të paligjshme” të informacionit në media.

“Presidenti Trump me të drejtë po thekson pafajësinë e tij dhe përdorimin si armë politike të sistemit tonë të padrejtësisë”, thuhet në deklaratë.

Aktakuza ndaj ish presidentit 76 vjeçar do të ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm pas vitesh hetimesh mbi marrëdhëniet e tij të biznesit, marrëdhëniet politike dhe personale. Kjo ka të ngjarë të nxisë kritikët që thonë se zoti Trump, tanimë një kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, përshkoi rrugëtimin drejt pushtetit duke gënjyer dhe mashtruar dhe po kështu inkurajoi mbështetësit e tij që mendojnë se republikani po sulmohet padrejtësisht nga një prokuror demokrat.

Në postimin në rrjetin social “Truth Social”, zoti Trump përsëriti pretendimin e pavërtetuar se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 që ai i humbi përballë presidentit Biden u vodhën dhe ai u bëri thirrje mbështetësve të tij që të “PROTESTONI DHE RIMERRNI KOMBIN TONË!”

Zyrtarët e zbatimit të ligjit në Nju Jork kanë thënë se autoritetet kanë bërë përgatitjet në rast të ngritjes së një aktakuze. Nuk ka patur asnjë njoftim publik për ndonjë kornizë kohore për punën sekrete të jurisë së madhe në këtë rast, duke përfshirë ndonjë votim të mundshëm nëse do të paditet ish-presidenti.

Postimi i zotit Trump i bën jehonë një tjetër postimi që ai bëri verën e kaluar kur dha lajmin në “Truth Social” se FBI po kontrollonte shtëpinë e tij në Florida si pjesë e një hetimi për keqpërdorimin e mundshëm të dokumenteve të klasifikuara.

Lajmi i asaj bastisjeje nxiti një vërshim kontributesh financiare për kampin politik të ish presidentit Trump. Të shtunën, ai u dërgoi një email për mbledhjen e fondeve mbështetësve të tij që thoshte “Prokuroria e Manhattanit mund të jetë afër aktakuzës ndaj zotit Trump”.

Juria e madhe ka dëgjuar nga dëshmitarët, duke përfshirë ish-avokatin e zotit Trump, Michael Cohen, i cili thotë se ai orkestroi pagesa në vitin 2016 për dy gra që pretendojnë se kanë patur marrëdhënie seksuale me zotin Trump para një dekade.

Zoti Trump mohon se takimet kanë ndodhur duke thënë se ai nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe e ka cilësuar hetimin si një “gjueti shtrigash” nga një prokuror demokrat i prirur për të sabotuar fushatën e republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Zyra e prokurorit Alvin Bragg me sa duket ka ekzaminuar nëse ndonjë ligj shtetëror është shkelur në lidhje me pagesat ose mënyrën se si kompania e zotit Trump e kompensoi avokatin Cohen për punën e tij për të mbajtur të heshtura akuzat e grave.

Aktorja e filmave pornografikë Stormy Daniels dhe të paktën dy ish ndihmës të zotit Trump, ish këshilltarja politike Kellyanne Conway dhe ish zëdhënësja Hope Hicks janë ndër dëshmitarët që janë takuar me prokurorët javët e fundit.

Michael Cohen ka thënë se me urdhërin e zotit Trump, ai organizoi pagesa në total prej 280,000 dollarësh për zonjën Daniels dhe modelen e revistës “Playboy”, Karen McDougal. Sipas zotit Cohen, pagesat ishin për të blerë heshtjen e tyre për ish presidentin Trump, i cili atëherë ishte në kulmin e fushatës së tij të parë presidenciale.

Michael Cohen dhe prokurorët federalë thanë se kompania e zotit Trump i pagoi atij 420,000 dollarë si rimbursim për pagesën prej 130,000 dollarësh për zonjën Daniels dhe për të mbuluar bonuset dhe shpenzimet e tjera të supozuara. Kompania i klasifikoi ato pagesa si shpenzime ligjore. Pagesa prej 150,000 dollarësh për zonjën McDougal u bë nga botuesi i atëhershëm i tabloidit “National Enquirer”, i cili gjithashtu vendosi të mos e publikonte historinë e saj.

Prokurorët federalë ranë dakord të mos ndjekin penalisht kompaninë mëmë të tabloidit “National Enquirer” në këmbim të bashkëpunimit të saj në një hetim mbi financimin e fushatës që çoi në akuza kundër Michael Cohen më 2018. Prokurorët thanë se pagesat për zonjën Daniels dhe zonjën McDougal përbënin dhurata të palejueshme dhe të paregjistruara në përpjekjet për të fituar zgjedhjet nga zoti Trump.

Zoti Cohen u deklarua fajtor, kreu burg dhe iu mor licenca e punës si avokat. Prokurorët federalë nuk ngritën asnjëherë padi ndaj zotit Trump për ndonjë krim.

Përveç hetimit në Nju Jork, zoti Trump përballet me hetime të veçanta penale në Atlanta dhe Uashington mbi përpjekjet e tij për të zhbërë rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Këshilltari special i Departamentit të Drejtësisë ka paraqitur gjithashtu prova përpara një jurie të madhe që hetonte posedimin e qindra dokumenteve të klasifikuara nga zoti Trump në pronën e tij në Florida. Nuk është e qartë se kur do të përfundojnë këto hetime ose nëse ato mund të rezultojnë në kallëzime penale, por ato do të vazhdojnë pavarësisht nga ajo që ndodh në Nju Jork, duke nënvizuar peshën e vazhdueshme dhe shtrirjen e gjerë gjeografike të sfidave ligjore me të cilat përballet ish-presidenti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img