Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe i PDK-së, Kadri Veseli thotë se korrupsioni duhet të luftohet me tërë fuqinë, jo vetëm si kusht që na është vënë nga BE për liberalizimin e vizave.

“Por, ne duhet ta çrrënjosim si “kulturë”, si “mënyrë e të jetuarit”. Jo vetëm korrupsionin, por edhe krimin e organizuar dhe nepotizmin. Në të kundërtën, vendi nuk mund të zhvillohet”, thotë Veseli.

Veseli për lajmi.net ka thënë se Kosova duhet ta luftojë kulturën korruptive, sepse krim bëjnë edhe ata që japin ryshfet, jo vetëm ata që marrin.

Korrupsioni ka dy anë, thotë ai, palën që merr ryshfet ose zyrtarët, por edhe dhe palën që jep.

“Lufta kundër korrupsionit duhet të bazohet në rritjen e efikasitetit, në rritjen e vendosmërisë për luftimin e tij, si dhe në fuqizimin e kornizës ligjore dhe mbylljen e zbrazëtirave ligjore që lënë hapësirë për keqpërdorime. Ne kemi bërë veprime konkrete. Kemi filluar me legjislacionin si bazament për gjithçka”, thotë Veseli.

Sipas tij, është duke u plotësuar Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale, me theks të veçantë në dispozitat që fuqizojnë luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe dukurive tjera negative.

“Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve të veprave penale është proceduar në Kuvend. Ky Projektligj e lufton kulturën e mos-ndëshkimit. Është Ligj që specifikisht është kërkuar nga Zëvendëspresidenti Biden, e po ashtu edhe nga Komisionit Evropian, ndërsa është përmendur si kritikë edhe në Raportin e Progresit. Projektligji për parandalimin e konflikt interesit është proceduar në Kuvend. Të emëruarit publikë nuk mund të fshihen më pas detyrave të tyre, por janë të definuara qartë përgjegjësitë e një personi dhe kur përbën konflikt interesi”, thekson për lajmi.net kreu i Kuvendit.

Veseli ka thënë se ai i ka propozuar disa herë edhe opozitës ndërmarrjen e një nisme legjislative për hartimin e një ligji të pastërtisë së figurës publike, me të cilin do t’iu pamundësohej të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, që të kandidojnë për detyra të larta shtetërore.

“Nëse opozita është e interesuar që ta shërojmë së bashku plagën e korrupsionit dhe jo vetëm të propagandojë, atëherë le ta mbështes një nismë për t’i larguar nga jeta publike individët që kanë kryer korrupsion apo që kanë pasur lidhje me krimin. Me anë të kësaj nisme, mund të kërkojmë edhe një kontroll të kujdesshëm dhe kritik për çdo individ përpara se të kandidojë për një detyrë të rëndësishme shtetërore”, vlerëson ai.

Pjesë e filozofisë së tij si kryetar i PDK-së, thotë ai, është edhe derregullimi, përmes të cilit mendoj se lëmë sa më pak autoritet në dorë të vendimit të qeveritarëve ose burokratëve, në mënyrë që mos ta përdorin autoritetin për të bërë presion e siguruar ryshfete.

“Me derregullim, nënkuptohet edhe thjeshtimi i procedurave, minimizimi i hallkave burokratike dhe heqja e barrierave ligjore të panevojshme. Pra, derregullimi faktikisht ul korrupsionin nëpërmjet mbylljes së rrugëve ose hapësirave për të bërë korrupsion”, ka thënë ai.