9.2 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Buy now

spot_img

KEK-u – nga dinozauri i Kouchnerit te filtrat dhe bojlerët e Kurtit

Nga: Nazmi Elezi

Kurrë s’na u nda gazepi dhe kurrë rehat s’u bëmë.

Deri dje: Pse po na e ndalni rrymën?

Tash: Pse po na shtrenjtoni rrymën?

Krejt kjo që po ndodhë me krizën energjetike (sa të lumtur dhe me fat do të ishim sikur ta kishim veç këtë krizë), ma kujtoi një histori të para shumë vjetëve.

Në fillim të viteve ’80-ta të shekullit të kaluar, në një katund jo shumë larg katundit tim, herifi (s’po ia përmend emrin, sepse tashmë është i ndjerë) e kishte ndërtuar një serë në oborrin e tij, rast i rrallë ky për atë kohë. Por, lajmi nuk ishte sera – që në atë kohë kanë mundur të numërohen në gishta në gjithë Kosovën – por se në të njëjtën ai e kishte instaluar sistemin e ngrohjes, që perimet e mbjella t’ju rezistonin temperaturave të ulëta të dimrit. E, pronari i saj nuk ishte as fermer as biznesmen, por një punëtor administrate (furnizues) në njërën nga ndërmarrjet më të mëdha të asaj kohe në Kosovë.

Ishte furnizues në ndërmarrje – me demek vendi i punës që ia mundësonte të vjedh. Pra, hajnia e korrupsioni këtu i kanë rrënjët ma të thella se 20 vjet.

Ngjashëm me herifin që e ngrohte serën me paratë që i përfitonte në mënyrë korruptive, po veprojnë jo vetëm qytetarët, por edhe institucionet në veri të vendit. Atje nuk prodhohen vetëm kriptovalutat me rrymën që nuk e paguajnë, por ngrohen edhe oborret – siç ishte rasti me nxehëset elektrike jashtë objektit shëndetësor në Mitrovicën veriore, aty ku kryhen testimet për koronavirus.

Ndërsa, një ditë më vonë, në Parlamentin e Kosovës – ku po debatohej për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike – kryeministri Kurti, bashkë me kabinetin e tij qeveritar, po përpiqej ta arsyetonte ngritjen e çmimit me mungesë të prodhimit dhe me ngritjen e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar.

Aty u tha shumëçka, pati akuza e kundërakuza. Veç pranim të fajit – pra të përgjegjësisë – nuk pati.

Opozita akuzoi rëndë Qeverinë për rënien e blloqeve të TC “Kosova A” dhe për mos planifikimin dhe sigurimin (blerjen) e rrymës gjatë verës kur çmimi ka qenë shumëfish ma lirë.

Parlamenti për këtë punë është.

Jo për të nxjerr ligje e vendime në dobi të shtetit e qytetarëve. Por, arenë ku bëhet garë për promovimin e patriotëve, etiketimin e tradhtarëve dhe hajnave. Është edhe vendi ku nën një kulm mblidhen intelektuali dhe analfabeti.

Nejse.

T’i kthehemi krizës energjetike.

Si shtet i ri që jemi dhe si popull që mendojmë veç për sot dhe jo për nesër, kriza energjetike nuk është prej sot. Dikujt edhe mund t’i kujtohet një deklaratë e kryeadministratorit të UNMIK-ut në Kosovë, Bernard Kouchner (në vitin 2000), i cili duke e parë teknologjinë e vjetruar në TC “Kosova A”, këtë termocentral e kishte quajtur dinozaur.

Ndërkohë, në vitin 2005 ishte marr vendimi të fillojë ndërtimi i termocentralit “Kosova C”, që më vonë u riemërua në “Kosova e Re”, i cili do të prodhonte  2 100 megavat energji, e që ishte llogaritur si projekti më i madh kapital në Kosovë. Emri i projektit ndryshohej si dhe megavatet që termocentrali i ri do t’i prodhonte. Së fundmi, në arbitrazh shkoi rasti me kompaninë “Contour Global” që kishte kontratë për ndërtimin e termocentralit me kapacitet 500 megavatë. Gjithçka mbeti vetëm një dëshirë që kurrë nuk u realizua tash e 17 vjet, kurse dinozauri “Kosova A” vazhdon të prodhojë më shumë tym dhe ndotje të ambientit, sesa energji elektrike.

Derisa prishjet, rrjedhjet në kazan, rënia nga sistemi i blloqeve të “Kosova A” dhe “Kosova B” vazhduan, konsumi i energjisë elektrike veçse shtohet. Dhe, sa herë bien blloqet e kaldajat e termocentraleve tona, duhet ndarë qindra mijëra euro – tashmë edhe për ekspertët gjermanë.

Kryeministri Kurti, në seancën e Kuvendit ku po flitej për ngritjen e çmimeve të energjisë elektrike, arsyetoi këtë ngritje me krizën globale energjetike dhe me disproporcionin mes prodhimit dhe konsumit të energjisë në vend.

Ai gjithashtu tregoi se në KEK nuk ka ra menaxhmenti, por një bllok i TC “Kosova B” dhe, pasi elaboroi se çka dhe si është prishur, tha se “ka ra turbina … sa i përket filtrave, ata kanë deshtë me i instalu filterat, por kur kanë shku aty e kanë pa që është llom … duhet njëherë bojlerat e tani filterat. Ju s’i keni ba as bojlerat as filterat [i thotë opozitës]. Nuk ka filtera pa bojlera. Tash ne do t’i vendosim bojlerat që t’i vendosim edhe filterat”.

Po, Albin.

Jo veç KEK-u, por edhe PTK-ja, “Trepça” e shumë ndërmarrje të mëdha publike për 20 vjet u keqmenaxhuan dhe u sollën buzë falimentimit, duke u shërbyer pushtetarëve më shumë si një mundësi për zhvatje dhe për prodhim votash përmes punësimit të familjarëve dhe militantëve të tyre.

Prandaj, 51 për qind e votuesve ta besuan ty pushtetin.

Erdhe me premtime të mëdha.

Edhe pritjet e qytetarëve ishin të mëdha, por jo për çmime më të larta.

Prandaj, Albin, lëri akuzat e kritikat ndaj PAN-it e PLAN-it dhe arsyetimet, e grahi punës.

Siguroju qytetarëve rrymë e mirëqenie, përmes zhvillimit ekonomik e krijimit të vendeve të punës.

Nejse.

Si popull optimist që jemi nuk duhet humbur shpresat.

Le t’i besojmë profesorit universitar dhe deputetit Jahja Kokaj.

Ai pak ditë më parë tha se nuk do të kalojë shumë kohë dhe energjia elektrike do të jetë falas, pasi do të rritet efiçienca e prodhimit të energjisë solare.

Mirëpo, deri kur secili prej nesh të ketë mbi kulmet e shtëpive e banesave panelet solare, na siguroni  rrymë me çmim të përballueshëm.  Shumë prej qytetarëve jetojnë në banesat pa oxhaqe për ngrohje me dru. Prandaj, nëse deri sot qytetari e ndante gjysmën e rrogës së tij modeste për pagesën e qirasë a të kredisë për banesë, tani e tutje gjysmën tjetër do ta ndajë për faturat e rrymës.

E, qytetari, sapo t’i marrë faturat e KEDS-it me çmimet e ngritura, vetë do t’i vendos filtrat e kursimit.

Kursejmë ne, derisa dikush diku në Kosovë do të vazhdojë t’i ngrohë edhe oborret e sokaqet.

Jeta (ab)normale në këtë vend ka çmim.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img