17 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Buy now

spot_img

Këto janë vendimet e Qeverisë në mbledhjen e sotme

E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar dokumente dhe vendime të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës ka marr miratimin e kabinetit qeveritar.
Projektligji ka për qëllim rregullimin e procedurave të funksionimit dhe obligimet e Fondit Pensional të Kosovës.
Çështja kryesore e trajtuar me këtë projektligj është inkuadrimi i ndryshimeve të nevojshme për rritjen e tavanit të investimeve dhe të mjeteve në fondin e letrave me vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Projektligji i propozuar si element kryesor e ka zgjerimin e mundësive për investim në letrat me vlerë të Kosovës si dhe zgjerimin e bazës së instrumenteve tjera për investime në veçanti letrat me vlerë në korporata ose në institucione financiare ndërkombëtare dispozitat e afatizuara, bankat vendore dhe ndërkombëtare, fonde investive dhe marrëveshje të riblerjes.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për fillimin e mbledhjes së premiumeve për sigurimin e obligueshëm shëndetësor nga të punësuarit dhe punëdhënësit në sektorin publik, privat dhe publiko privat në Republikën e Kosovës.
Duke pas parasysh, se në programin e Qeverisë së Kosovës 2015-2018, shëndetësia radhitet si prioritet, në kuadër të realizimit të këtij prioriteti, krahas implementimit të reformës në shëndetësi, Ministria e Shëndetësisë në vazhdimësi dhe intensivisht ka punuar në përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe teknike për fillimin e mbledhjes së premiumeve, detyrim ky i definuar me Ligjin për Sigurime Shëndetësore. Fillimi i mbledhjes së premiumeve do të bëhet nga data 1 janar 2017.
Me vendimin e miratuar sot nga Qeveria e Kosovës, është shfuqizuar vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Komitetit Ndërministror për Projektin Zhvillimor të Qendrës Turistike tëBrezovicës, i datës 03.04.2015. Ky komitet shpërbëhet pasi që Marrëveshja për Partneritet Publik Privat për zhvillimin e Qendrës së Brezovicës është shkëputur në tërësi.
Kryeministri Mustafa tha se ky propozim është me vend, sepse s’mund të mbahet një komision, i cili praktikisht e ka përfunduar punën, sepse pala nuk arritur që të përmbushë kushtet, në mënyrë që projekti të zhvillohet dhe se për çdo projekt tjetër do të themelohet komision tjetër ndërministror. “Ajo që duhet të bëjmë krahas aprovimit të këtij vendimi, që nuk është pjesë e vendimit, por është përkushtim yni që të punojmë shumë, në mënyrë që të gjejmë alternativë tjetër ose investitor tjetër, në mënyrë që ta zhvillojmë atë pjesë dhe t’i shfrytëzojmë të gjitha ato potenciale, të cilat janë atje, sepse i takojnë Kosovës, janë pasuri jona natyrore, janë asete të Republikës së Kosovës dhe përkundër krekosjes nga Serbia dhe tendenca e saj që të pengojë projektet atje, askush nuk do të mund të pengojë asnjë projekt që zhvillohet në Kosovë, në pasuritë natyrore të saj dhe në tokat e asetet e Republikës së Kosovës. Por ne vetëm duhet të punojmë në tërheqjen e investitorëve të jashtëm. Pjesë e kësaj pune është që të bashkërendisim me Kuvendin, në mënyrë që të procedohet edhe Ligji për Investime Strategjike, që na hapë mundësi që ne të tërheqim investitorë tjerë”, tha kryeministri Mustafa.
Është miratuar sot edhe vendimi përfundimtar për shpronësim dhe krijimin e detyrueshëm të servitutit për interes publik për pronat e paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i linjës së dyfishët 110 kV Nënstacioni Peja 3 dhe Peja 1 dhe rehabilitimi i linjës ekzistuese 110 kV Nënstacioni Peja 2 dhe Nënstacioni Deçan.
Edhe vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme dhe objekteve të “Bankës Themelore të Lubjanës në Prishtinë”, ka marr miratimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Shpronësimi i këtyre pronave bëhet për nevojat e funksionimit dhe akomodimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Koncept-dokumenti për inovacion dhe transfer të dijes dhe Teknologjisë, është miratuar në mbledhjen e sotme.
Çështja e trajtuar në koncept dokument është zhvillimi i fushës  së inovacionit dhe transferit të teknologjisë, ku përcaktohen kriteret për rregullimin e marrëdhënieve për zhvillimin e inovacionit dhe transferit të teknologjisë dhe dijes, të cilat lidhen me mbrojtjen e interesit publik, zhvillimin ekonomik dhe në zhvillimin e marrëdhënieve mes komunitetit shkencor dhe industrisë e ekonomisë, duke respektuar parimin e shqyrtimit të pavarur dhe autonomisë akademike, mbrojtjen dhe garantimin e standardeve për zhvillimin e inovacionit dhe transferit të teknologjisë dhe dijes, në mënyrë të veçantë zhvillimi i tyre bëhet në kritere të njohura ndërkombëtare dhe mbi bazat e të drejtës së pronësisë intelektuale.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore, me emërtimin “Ndërmarrja për Magazinimin e Mbeturinave të Rrezikshme Sh.A.”. Ky projekt edhe do të mbështetet financiarisht nga Komisioni Evropian përmes Instrumenteve të para anëtarësimit 2015, në vlerë prej 12 milionë eurove.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Pastrimi” Sh.A. në Hani i Elezit, me 100% aksione në pronësi të Kuvendit Komunal të Hanit të Elezit.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar Komisionin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Përmes miratimit të këtij vendimit përmbushet një obligim ligjor dhe i hapet rrugë funksionalizimit të këtij Komisioni si dhe fillimit të jetësimit të kompensimit të viktimave të krimit. Ky komision do të jetë përgjegjës për shqyrtimin dhe vendosjen lidhur me kërkesat për kompensim të paraqitura nga ana e viktimave të krimit.
Kabineti qeveritar është njoftuar edhe me Agjendën Evropiane të Reformave.
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka prezantuar para kabinetit qeveritar Agjendën Evropiane të Reformave që ka për qëllim dinamizimin e punës së institucioneve në zbatimin e MSA-së si dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.
“Agjenda Evropiane e Reformave është rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta në nivelin më të lartë politik për të intensifikuar zbatimin e reformave kyçe me rëndësi politike me qëllim të përmbushjes së detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Qëllimi i Agjendës është që të shërbejë si dokument formal për zhvillimin e dialogut të nivelit të lartë politik mes Republikës së Kosovës dhe BE-së që do ta shtyjë përpara zbatimin e MSA-së; rrjedhimisht procesin e anëtarësimit të vendit në BE. Ministria për Integrim Evropian me qëllim të formalizimit të agjendës së reformave, ka zhvilluar një proces gjithëpërfshirës konsultativ me të gjitha institucionet përgjegjëse të vendit në njërën anë dhe Komisionin Evropian në anën tjetër. Ky proces ka prodhuar një listë prej 17 prioritetesh të cilat ndahen në tri shtylla: Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit; Konkurrueshmëria dhe klima e investimeve dhe Punësimi dhe arsimi”, ka thënë ministri Çollaku.
Me vendimin e miratuar ne mbledhjen e sotme nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është emëruar Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka njoftuar kabinetin qeveritar për përgatitjet që janë duke u zhvilluar për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor. Ai ka theksuar nevojën e koordinimit për sigurimin me kohë të mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore falas për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët në Republikën e Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa, ka kërkuar vëmendje të veçantë për problemin e rasteve që po humben në gjykata të ndryshme dhe prej të cilave po dëmtohet Qeveria dhe buxheti i Republikës së Kosovës.
“Para dhjetë ditësh kemi pasur vendimin lidhur me detyrimin që ne duhet ta paguajmë për pasaporta, rreth pesë milionë euro. Gjatë këtyre ditëve kemi problemin e AXOS-it dhe të procesit që po zhvillohet në Gjykatën e Arbitrazhit lidhur me AXOS-in. Ka edhe shumë probleme dhe lëndë tjera, të cilat po zhvillohen këtu në Kosovë, pjesa dërrmuese e tyre po humbet ose po kontestohen dhe në të cilat buxheti mund të dëmtohet. Në këtë aspekt po i hapi problemet që ne të koordinohemi. E kemi tash ministren e Drejtësisë dhe një departament të Drejtësisë që merret me këto. Të bëjmë përpjekje maksimale që ta forcojnë dhe në qoftë se ka nevojë të sigurojmë edhe buxhet të veçantë që ai sektor të forcohet edhe me njerëz, sepse është më mirë që të paguajmë dhe të sigurojmë mjete për njerëzit tanë, në mënyrë që ata të aftësohen dhe të kenë njohuri ndërkombëtare për t’i mbrojtur këto lëndë, sesa gjithmonë të paguajmë arbitrazhe dhe ekspertë të jashtëm, edhe pse të tillë do të paguajmë. Në javët në vijim, jemi marr vesh edhe me ministrin Stavileci, që ta përfundojmë çështjen e zhvillimit të procedurave dhe të shohim në çfarë forme do ta bëjmë lëndën që është në AXOS, në mënyrë që ajo të mbrohet, por gjithsesi pastaj të shtojmë përgjegjësinë edhe për humbjen e parave me këto raste, për shkaqet, rrethanat, të cilat kanë sjellë deri tek ajo që ne tash rrezikojmë t’i humbim pesë milionë për pasaporta ose mund të rrezikojmë të humbim për proceset e tjera. Nuk është çështje që vetëm t’i mbrojmë, por është çështje edhe që të përcaktojmë përgjegjësinë dhe të kërkojmë përgjegjësi për çdo rast veç e veç”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, në emër të Qeverisë së Kosovës ka uruar të gjithë qytetarët për fitoren e medaljes së artë nga xhudistja Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike në Rio.
“Është një fitore shumë e madhe, është kënaqësi e madhe që ne të shohim flamurin tonë që të ngritet në Rio dhe po ashtu të shohim përkushtimin e sportistëve tanë për t’i mbrojtur vlerat e shtetit dhe për t’i promovuar ato. Në këtë rast, e kemi Majlindën si simbol të këtij promovimi. Dëshiroj që si Qeveri të punojmë, që të kemi promovues jo vetëm në fushën e sportit, por edhe atë të shkencës, kulturës dhe në fushën e ekonomisë, njerëz të cilët do të garojnë në aspekte ndërkombëtare dhe të konkurrojnë në aspektin ndërkombëtar. Shihet se vlera kemi, por duhet të punojmë të gjithë së bashku më shumë”, tha kryeministri Mustafa.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img