10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Buy now

spot_img

“Komuna e Gjakovës po favorizon kompanitë për dhënien e tenderëve” (Dokument)

Kompania “Dujaka Lux” pretendon se i është bërë e padrejtë nga Komuna e Gjakovës në lidhje me një tender të shpallur nga kjo e fundit në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Kompania e cila ka qenë njëra nga operatorët konkurrues në tenderin “Furnizim me produkte ushqimore, higjenike dhe mish për nevojat e Komunës së Gjakovës”, pretendon se ka qenë më e lira ndërsa të njëjtit nuk kanë  fituar tenderin.

Përfaqësuesi i saj, Reshat Alija mendon se kjo gjë atij i është bërë qëllimisht, pasi në ditën e dorëzimit të ofertës, ai thotë se me çdo kusht kanë lyp që t’i gjejnë ndonjë dokument që i mungon.

“Kur kemi marrë pjesë kemi qenë prezentë tre operator, pra njëri ka konkurruar në mënyrë elektronike, ndërsa ne dhe dy operatorë tjetër kemi pasur që në ditën e hapjes së tenderit t’i dorëzojmë ato. Pra, ne dhe “Burimi” kemi pas mungesë të dokumentacionit. Në hapje, kur ke puna tek unë, tek firma që unë përfaqësoj  lypke me çdo kusht me dal diçka mungesë dhe për fat të keq apo të mirë unë kisha diçka mungesë. Ndërsa, vërejta se tek operatorët e tjerë nuk pat shumë vonesë në hapjen e dokumenteve. Mirëpo, gjatë këtij procesi munda të vërej se operatori tjetër “Burimi” përveç mungesë së dokumentacionit kishte mungesë edhe të kopjes. Kur i pyetja pse nuk i ka, menaxherja e zyrës së prokurimit më tha se nuk i kanë kërkuar”, ka thënë Alija për Indeksonline.

Ky është dokumenti nga dita e hapjes së tenderit:

Pas kësaj, ai thotë se ka marrë informata ligjore se asnjë mënyrë nuk ka mundësi që të konkurrohet fizikisht dhe të pranohen dokumentacionet me një kopje.

Megjithatë, ai thotë se pasi kompanisë së tij iu gjenden dokumentet në mungesë, ata janë pajtuar me këtë fakt dhe e kanë ditur se nuk mund të shpallen fitues. Mirëpo, ata kanë shpresuar se tenderi do anulohet në tërësi, pasi që edhe kompania “Burimi”, përveç mungesës së dokumentacionit ka pasur edhe mungesë të kopjeve.

Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Alija më tutje për Indeksonline thotë se është shokuar kur ka marr njoftimin që kompania “Burimi” e cila ka pasur mungesë të dokumentacioneve dhe të kopjeve është shpall fitues  i këtij tenderi.

Alija tregon se i ka bërë ankesat që është dashur të bëhen, mirëpo që nuk janë marrë parasysh nga Komuna e Gjakovës.

“Në këtë mënyrë unë u anulova si fitues i parë dhe nuk bëra zë se kesh i pajtimit se kam pasur mungesë të dokumenteve, por isha i bindur se do të anulohet i gjithë tenderi për shkak se edhe operatori tjetër ka pasur mungesë të dokumenteve. Por pas dy dite më erdh edhe një email se fitues është operatori i dytë me çmim edhe më të lartë se i imi dhe unë normalisht kërkova sqarim. Së pari e dërgova një emaili ku kërkova që të mos ia japin këtë tender këtij operatori, duke ju thënë të mos e shkelin ligjin sepse do i ndjek të gjitha procedurat deri të zbardhet rasti”, ka shtuar ai.

Alija më tutje thotë se ankesën e njëjtë e ka bërë edhe kompania Apetiti, i cili është ankuar edhe për operatorin fitues, edhe për konkurrimin e “Dejaka Lux”, për shkak të mungesës së dokumenteve të plota, mirëpo, sipas tij, kanë rënë poshtë të dy ankesat. Madje thotë se kanë pasur injorim total nga Komuna e Gjakovës.

Ai për Indeksonline ka treguar një dokument për të cilin thotë se është dokumenti i vlerësimit që Komuna e Gjakovës ia ka bërë kompanive për këtë tender. Në këtë mund të shihet se përveç mungesës së dokumentacionit, “Burimi ka pasur edhe mungesë të kopjes”.

Këtë dokument ai tregon se e ka siguruar në një mënyrë të fshehtë, pasi që përkundër kërkesës së tij, nuk i është lejuar të ketë qasje dhe të shoh vlerësimin nga kjo komunë.

Mirëpo, në anën tjetër, Autoriteti Kontraktues i Komunës së Gjakovës thotë se Operatori Ekonomik “Burimi” ka dorëzuar ofertën e tij në mënyrë fizike, ku bashkë me ofertën origjinale kanë dërguar edhe një kopje të ofertës.

Të kontaktuar nga Indeksonline, ata thonë se sjellja e dokumenteve kopje, nuk ka qenë e nevojshme, pasi nuk ka qenë kërkesë e tyre. Nënshkruan

“Ne në aktivitetin e prokurimit “Furnizim me produkte ushqimore, higjienike dhe mish për nevojat e Komunës së Gjakovës”, nuk kemi kërkuar kopje për Operatorët Ekonomik, mbasi ku aktivitet është zhvilluar në e-prokurim dhe nuk ka hapësirë ku të kërkohet kopja për Operatorë Ekonomik dhe Sipas nenit 59 të këtij ligji, ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve është kompetencë dhe përgjegjësi e plotë e autoritetit kontraktues. Sipas paragrafit 4 të nenit 59 të këtij ligji, AK-ja do të konsiderojë një tender si të përgjegjshëm vetëm nëse tenderi në fjalë është në përputhshmëri me të gjitha kërkesat e parashtruara në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë”, ka thënë kjo zyre.

E sa i përket ankesave, ata thonë se OE Dujaka Lux në asnjë moment nuk ka kërkuar zyrtarisht të ketë qasje në dokumente zyrtar të firmës Burimi, përveç e-mailit që e kanë dërguar në formë elektronike, duke pretenduar se pa asnjë bazë ose argument kanë paragjykuar fituesin.

Ndërsa, për ankesën e paraqitur nga “Dujaka Lux”, komuna thotë se ankesa e tyre është hedhur poshtë në bazë të Ligjit për Prokurim Publik (LPP).

Në anën tjetër, OE “Dujaka Lux” thotë se do ankohet edhe në OSHP, pasi janë të bindur se kanë të drejtë dhe për këtë kanë dëshmi. Sipas tyre, edhe nëse anulohet nga OSHP ankesa e tyre, do ngrenë edhe padi dhe nuk do e lënë me kaq këtë punë.

Gjithashtu, Reshat Alija thotë se do ngriti edhe padi personale për shkak të shpenzimeve në kohë dhe shpenzimeve tjera që ia ka marrë kjo çështje.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img