18.1 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Buy now

spot_img

Kurrë mos thuaj kurrë!

Prapa cinizmit të disa opininistëve që shfaqin fotografinë e Albin Kurtit duke u tërhequr zvarrë nga policia e Kosovës, me idenë se duan ta çojnë me zor në T7 e Kanal 10 fshehet një fakt: Kurti është n’zor t’madh, si ta shesë në publik “Zajednicën” që ai qe dhjetë vjet e ka stigmatizuar duke i thënë “kurrë”!?

Nga Halil Matoshi

Shokut Albin Kurtit i kujtohet sigurisht ajo që i pati thënë Ademi (Demaçi) Vukut (Drašković) në emisionin Most të Omer Karabeg në RFI, “Brate, nikad ne reci nikad”!

(Vëlla, kurrë mos thuaj kurrë!)

Mirëpo, këtë mësim nuk e kishte nxënë dishepulli i Demaçit, Albin Kurti. Dhe tendenca për ta zhbërë një detyrim shtetëror e nxori atë jo vetëm cullak, por edhe e nxiti të bëjë budallallëqe, që nuk riparohen lehtë.

Liria kombëtare dhe sovraniteti shtetëror fitohet me shumë mund e flijime ndër breza, por mund të humbët në çast, me budallaki, në emër të një nacionalizmi arkaik dhe mburravecërie tipike për kosovarët që byryten ndërmjet veti, se cili është më antiserb e kush më shqiptar i madh?

Ata që në opozitë i mëshonin fort tezës për bashkim me Shqipëri, kur erdhën në pushtet, flisnin me gojën e Kurtit: “Nuk po e lejuaka Kushtetuta!?”

Dhe po ky Albin, nga një çështje politike në veri, duke dashur që para marëveshjës të krijonte realitt të ri dhe pasi që e luajti fare keq nacionalistin e veshur me pushtet, e shndërroi në çështje të sigurisë.

Dhe kur ambasadori Jeff Howenier në nëntor 2022, i tregoi për pasojat e mundshme të papresedan, Kurti u tha zgjedhësve “ambasadori kishte më shumë informata” dhe u zbyth nga vendimi për ndëshkim për targat.

Porse zbrapsja tash vërtet krijoi realitet të ri: e nxori Kosovën administrative nga veriu për ta zëvendësuar me një Kosovë policore, e cila, ashiqare nuk kryen punë.

Kur tifozërisë së Lëvizjës Vetëvendosje, ua thoshim të vërtetën për Marrëveshjën e Parë (2013) si obligim ndërkombëtar i shtetit, pasi që ajo ishte ratifikuar në Kuvend me 84 vota, kuazipatriotët më të rinj (populli i Vetëvedosjës) me brimë deklaronin se kjo nuk do të bëhej kurrë, sepse e ka rrëzuar Gjykata Kushtrtuese, por e vërteta ishte se ajo marrëveshje kurrë nuk ka shkuar në kushtetuese.

E kur ua përmendnim kompromiset rreth Pakos Ahtisaari që Kosovës i dha pavarësi kombëtare, në këmbim të një mekanizmi që mbronë serbët kosovarë nga titullari i kombit të ri, ata kërcenon si zorra n’prush: “Po doni t’i jepni hala diçka Serbisë!?”

Kur u thoshim se çështjet politike nuk zgjidhen me polici sepse, po të ishte kjo e mundshme, Slobodan Milošević-i do ta zgjidhte shpejt e përfundimisht çështjën e Kosovës, ata na thoshin se serbët në veri janë veç do krimielë të çartur e prorusë që duhej shtypur.

Paçka se Perëndimi i cilësonte protesta demokratike!?

Dhe ajo që skandalizonte secilin njeri që ka tre dërhèm mend, deputetë e komentatorë të pushtetit i sugjeronin liderit të tyre të ndërmarrë në veri të vendit ndonjëfarë operacioni të modelit si “Oluja” në Kroaci (shtrëngata), ata të pushtetit marrëzisht lyenin me bojë të kaltër Humvee-t e falur për FSK-në, nga Marina amerikane.

Ashiqare që këto ide të krisura, Kosova i paguajti shtrenjtë në Bruksel me 18 shkurt me pikën 10 dhe duke e përforcuar në Ohër më 27 mars, me pikën 7.

Sepse Kurti donte ta shmangte me çdo kusht emrin Asociacion/Zajednica dhe “fitoi” edhe vetëmenaxhim!?

Ndërmjetësit ia dhanë atij këtë favor – njëfolje si semantikë boshe – për t’ia shitur 51%shit, që në thelb nuk ndërron asgjë në substancën e marrëveshjës; në anglisht mbetët vetadministrim e në serbisht ‘samouprava’/vetqeverisje!

Ne mbronim faktet, ata na thoshin  “po spinovatni” për Vučić-in.

Na thanë edhe proserbë e çkamos!

Kur vënim në spikamë ekzistencën e Planit franko-gjerman, një dokument i modeluar si në Rambouillet, 1999, ata, përfshi Presidenten Vjosa Osmani, piskatnin: Fake news!

Kur ne, pohonim se Kurti e ka pranuar Marrëveshjën në Ohër, ata, përfshi ministren e jashtme Donika Gërvalla deklaronin se nuk ka marrëveshje, pasi që nuk ka nënshkrim, ndonëse Kurti e pranonte se marrëveshje ka dhe është ligjërisht obligative.

Ne dekaronim se Albjn Kurti në pikën 10 i tha po Asociacionit, ata, përfshi Presidenten, vazhdonin mohimin nga prizmi i një universi të tyre paralel.

Ne argumentonim se Asociacioni pas ratifikimit është kategori kushtetuese, ata ishin kategorik: “Nuk e lejojmë qoftë nga pushteti qoftë nga opozita”, si Albini.

Ne e shihnim se po bëhet Asociacioni, ata ngulnin këmbët n’lloq: “As ksi as asi”, si Glauk Konjufca.

Ne u jepnim dëshmi se në gjuhën serbe nuk ka vetëmenaxhim, por samouprava’, (vetëqeverisje) ata shpërthenin: “E ça po m’intereson, nuk o gjuha e nanës tem”, si Arbër Rexhaj, pa e vrarë mendjën se gjuha serbe është gjuhë kushtetuese në Republikën tonë, që madje ia mundëson atij të zgjidhet deputet!

Kujt nuk i bëhej vonë për Kushtetutën, që kurrë nuk e pranuan, si Albini dhe 51%shi i tij.

E tash, militantat janë mbetë si pulat e ndukta të kamionit!

Albin Kurti po bredh nepër studiot televizive, për ta shitur si të bërë, atë që njëherë e gjatë kohë e ka shitur si kurrë!

Po get – nëse shërbehemi me cinizmin e disa komentatorëve politikë në Prishtinë – Dejona Mihali e ka vënë Kurtin para urdhërave të saj: “E ke pranuar “Zajednicën” – shite!”

Dhe kalimi nga kurrë në po – “vetëm se është një nga 39 marrëveshjet” – po e konfuzionon e djersinë, po e vë në siklet, po e shndërron në qenie të shfytyruar Mister Albin Kurtin.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img