10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Buy now

spot_img

Kurti: Defender Europe 23 është ngjarja me e madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marr♪7 pjesë në ceremoninë e hapjes së ushtrimit ushtarak “Defender Europe 23” e cila u mbajt në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e në të cilën Kosova është nikoqire e këtij ushtrimi.

Fjalën e tij, kryeministri Kurti e nisi duke thënë se ‘Sot, këtu, në sheshin që mban emrin e kryeheroit tonë dhe njërit prej strategëve më të njohur ushtarakë që ka njohur njerëzimi –Skënderbeut, po shënojmë fillimin e ushtrimit të madh të drejtuar nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës’.

Kryeministri Kurti tha me këtë rast se ushtrimi Defender Europe 23 është ngjarja me e madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.

“Republika jonë sot është e nderuar që për herë të dytë është vend nikoqir i ushtrimit që shtrihet prej zonës së Mesdheut e deri në kufijtë lindorë të kontinentit tonë. Mbi 1300 ushtarakë të forcave tona do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake në krahë të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, Kurti shtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës në këtë ushtrim radhitet e katërta në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse sa i përket numrit të personelit të angazhuar në këtë ushtrim, që siç tha ai dëshmon për vullnetin që kemi për të zhvilluar sistemin tonë të mbrojtjes, por dhe përkushtimin tonë të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike.

Duke ju uruar suksese në përmbushjen e objektivave të ushtrimit, kryeministri Kurti tha se njëherit ju siguroj që do të vazhdoni të keni mbështetjen e Qeverisë së Republikës dhe institucioneve të shtetit në ngritje dhe zhvillim profesional.

“Demokracia, shoqëria dhe vlerat njerëzore kanë nevojë për ushtrinë më shumë se kurrë, sepse demokracia është sistemi më i brishtë pikërisht sepse është sistemi më i hapur”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Kjo është hera e dytë që Kosova është pjesë e këtij ushtrimi ushtarak, në të dy herat është vend nikoqir. Me mbi 1000 ushtarë më shumë se në ushtrimin paraprak, Kosova radhitet si vendi i katërt për sa i përket personelit të angazhuar në këtë ushtrim në mesin e 25  ushtrive pjesëmarrëse.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia juaj, Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

Shkëlqesia juaj, Jeffrey Hovenier, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë,

I nderuari ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj,

I nderuari ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,

I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari,

I nderuari Gjeneral Adams,

I nderuari Shef i Stafit të KFOR, John Bozicevic,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës,

Të nderuar deputetë të Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes,

Kryetarë të Grupeve Parlamentare,

Të nderuar Kryetarë të Komunave,

Të nderuar Gjeneralë të FSK-së, oficerë dhe ushtarakë,

Të nderuar të pranishëm,

Të dashur qytetarë,

Sot, këtu, në sheshin që mban emrin e kryeheroit tonë dhe njërit prej strategëve më të njohur ushtarakë që ka njohur njerëzimi – Skënderbeut, po shënojmë fillimin e ushtrimit të madh të drejtuar nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Padyshim, ushtrimi Defender Europe 23 – Mbrojtësi i Evropës 23, është ngjarja më e madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Republika jonë sot është e nderuar që për herë të dytë është vend nikoqir i ushtrimit që shtrihet prej zonës së Mesdheut e deri në kufijtë lindorë të kontinentit tonë. Mbi 1,300 ushtarakë të forcave tona do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake në krahë të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Forca e Sigurisë së Kosovës në këtë ushtrim radhitet e katërta në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse sa i përket numrit të personelit të angazhuar në këtë ushtrim. Kjo dëshmon për vullnetin që kemi për të zhvilluar sistemin tonë të mbrojtjes, por edhe përkushtimin tonë të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike.

Siguria e kontinentit Evropian është interes jetik i yni, si shtet që beson në atë që e don: të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, paqen dhe demokracinë. Defender Europe 21 ishte më pak se një vit para se Rusia të shpërfaq në mënyrën më agresive e brutale synimet e saj të kahmotshme për t’u shtrirë dhunshëm në thellësi të Evropës. Defender Europe 23 po zhvillohet në një realitet të tensionuar, 15 muaj pas invazionit rus në Ukrainë, dhe që si i tillë ka të bëjë drejtpërdrejt jo vetëm me të ardhmen e Evropës, por edhe mbarë botës.

Prandaj, përgatitja për t’u përballur me kërcënimet e njohura si dhe ato të paparashikueshme është e domosdoshme, ashtu siç është e domosdoshme rritja e ndërveprimit dhe ngritja e gatishmërisë luftarake e që janë objektivat kryesore të ushtrimit Mbrojtësi i Evropës 23.

I nderuari Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të ushtrisë sonë dhe të vendeve tona mike që jeni sot të pranishëm këtu, para monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, jeta dhe vepra e të cilit na e mësoi se sa të rëndësishme janë aleancat dhe gatishmëria luftarake për të mbrojtur rendin e organizimit dhe të ndërtimit. Madje edhe ky togfjalëshi “Stronger Together” (Bashkë më të fortë), është veçse variacion dhe jehonë e thënies së famshme të kryeheroit tonë Skënderbeut “Bashkimi bën fuqinë”.

Ju uroj suksese në përmbushjen e objektivave të ushtrimit dhe njëherit ju siguroj që do të vazhdoni të keni mbështetjen e Qeverisë së Republikës dhe institucioneve të shtetit në ngritje dhe zhvillim profesional.

Demokracia, shoqëria dhe vlerat njerëzore kanë nevojë për ushtrinë më shumë se kurrë, sepse demokracia është sistemi më i brishtë pikërisht sepse është sistemi më i hapur.

Duke mos harruar mësimet nga historia jonë kombëtare dhe ajo e mbarë njerëzimit, le të jemi të bashkuar, me vullnet dhe me disiplinën më të lartë në zhvillimin dhe përmbylljen me sukses të këtij ushtrimi kaq të rëndësishëm për të gjithë ne.

Suksese dhe ju faleminderit!

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img