7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Buy now

spot_img

Kurti s’iu bind DASH-it, amerikanët ndërhyjnë me njeriun e Bidenit

Që nga 26 maji, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është përballur me qortim të ashpër amerikan, sanksione e presion të madh për de-eskalim të situatës në veri të vendit, pas vendimit për të çuar në objekte komunale nën përcjelljen policore kryetarët e rinj. Niveli i involvimit amerikan është ngritur pasditen e së enjtes më 1 qershor, ku pas një varg reagimesh nga Hovenier, Escobar e Blinken, në këtë situatë ka ndërhyrë edhe Shtëpia e Bardhë, përmes zëvendësit të Jake Sullivanit, këshilltarit të Joe Biden për Siguri Kombëtare.

Shtete e QUINT’it (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania e Italia),  në qëndrimin zyrtar pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore, kishte këshilluar Qeverinë e Kosovës që të mos marrë veprime për t’i çuar kryetarët me forcë në objektet komunale.

Megjithatë këtë qëndrim nuk e ka përfillur kryeministri i Republikë së Kosovës, partia e të cilit ka fituar dy prej komunave në veri. Më 26 maj, Kurti kishte vendosur që nën përcjelljen e Policisë t’i dërgonte kryetarët e rinj në objektet e komunave respektive.

Kjo kishte nxitur reagimin e menjëhershëm të serbëve lokalë, të cilët kishin bojkotuar zgjedhjet masivisht. Ka qenë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i pari që ka reaguar, duke dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës për hyrje me forcë në ndërtesat e komunave në veri.

“SHBA dënon veprimet e vazhdueshme të autoriteteve të Kosovës për t’u qasur në objektet e komunave në veri të Kosovës. Masat e dhunshme të sotme duhet të ndalen menjëherë”, kishte shkruar Hovenier në reagimin e tij .

Pas afër tri orëve, në drejtim të kryeministrit Albin Kurti kishte ardhur edhe thirrja e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken për të ndalur ato që amerikanët i kanë cilësuar si “masa të dhunshme”.

Blinken kishte thënë se dënojnë këto veprime të Qeverisë së Kosovës që po e eskalojnë situatën në veri dhe që po e rrisin destabilitetin.

Blinken kishte paralajmëruar pasoja në raportet Kosovë-Amerikë pas veprimeve në veri të vendit. Pas datës 26 maj, tensionet në veri të vendit janë rikthyer tre ditë pas. 30 ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të plagosur nga përplasja me protestuesit serbë të dhunshëm.

Rritja e tensioneve kishte ngritur shqetësime edhe tek Aleanca Veri-Atlantike që ka vendosur të sjell në Kosovë 700 trupa shtesë dhe që të vendos edhe një batalion tjetër në gjendje të lartë gatishmërie.

Duke parë situatën, të gjitha shtetet aleate të Kosovës kishin bërë thirrje për de-eskalim urgjent të situatës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të qartë se kërkojnë nga kryeministri Kurti që kryetarët e rinj të ushtrojnë detyrën nga objekte alternative dhe që policia e Kosovës të tërhiqet nga objektet e komunave me qëllim të qetësimit të situatës.

Për të çuar përpara këtë mesazh të Sekretarit Blinken, Kurti ishte telefonuar edhe nga Emisari i DASH për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, por Kurti kishte refuzuar kërkesën e tij duke thënë se kryetarët e rinj s’mund ta ushtrojnë detyrën e tyre përmes “Zoomit”.

Kësaj radhe, Kurti s’ka marrë ndonjë telefonatë nga njeriu kryesor i ekipit të Blinken, Derek Chollet.

Pas kësaj mosbindje të Kurtit ndaj DASH-it që rezultoi edhe me sanksione për Kosovën, niveli amerikan i reagimit ka arritur në Shtëpinë e Bardhë. Mbrëmë në orët e vona, Kurti ka marrë një telefonatë nga zëvendësi i Këshilltarit për Siguri Kombëtare të Joe Biden, Jon Finer.

Kurti ka dhënë detaje për këtë bisedë me Finer, duke thënë se e falënderon atë për përkushtimin dhe punën për të de-eskaluar situatën. Në këtë njoftim Kurti kishte treguar hapjen e tij drejt organizimit të zgjedhjeve të reja për katër komunat në veri, në rast se do të ndalet dhuna dhe do të largoheshin protestuesit.

Ndërkohë derisa Kurti përballej me kërkesat amerikane, në Moldavi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borell, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin e Francës, Emanuel Macron. Osmani kishte treguar se Kosova është e gatshme për opsionin e zgjedhjeve të reja.

Ndërkohë Borell kishte bërë të ditura tri kërkesat e BE-së për de-eskalim të situatës, duke përfshirë organizim të zgjedhjeve të reja menjëherë, pajtueshmëri për serbët për pjesëmarrje në zgjedhje, dhe fillim të Asociacionit. Kreu i diplomacisë evropiane kishte thënë se nëse s’do të plotësohen këto kërkesa do të ketë pasoja në raportet e Kosovës me BE-në.

Dje, ndërkaq, Ambasadori Hovenier duke folur për një diskutim të mirë me Kurtin tha se kërkesat amerikane që kryetarët të punojnë në objekte alternative dhe që polica e Kosovës të tërhiqet nga objektet e komunave në Veri mbesin në fuqi./Express/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img