12 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Buy now

spot_img

Kush është fajtor që Kosova nuk e ka Ushtrinë, institucionet, apo Lista Serbe?

Ndonëse po kalon edhe viti 2016, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), ende nuk është transformuar në Forcën e Armatosur të Kosovës (FAK).

Njohës të çështjeve të sigurisë thonë për Telegrafin se kjo vonesë po ndodhë për shkak të neglizhencës së Qeverisë së Kosovës dhe pengesave që janë bërë nga deputetët e Listës Serbe.
Derisa deputetë nga koalicioni qeverisës besojnë se kjo çështje do të mbyllet shumë shpejt dhe theksojnë se “fajin” e kanë deputetët e Listës Serbe, që Kosova ende nuk e ka ushtrinë e sa.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, njëherësh anëtar i Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka theksuar se institucionet e Kosovës, Ministria e FSK-së dhe Komanda e këtij mekanizmi ka deklaruar sipas tij, se është e gatshme të ngarkohet me mision ushtarak.
Ai ka thënë se “të gjitha përgatitjet FSK-ja i ka bërë me ndihmën e NATO-s, përkatësisht KFOR-it, të cilat kanë vlerësuar se FSK ka bërë shumë për t’u përgatitur sa më mirë”.

“Në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, udhëheqës ushtarakë të SHBA-ve dhe të NATO-s kanë vlerësuar se FSK mund të transformohet në FAK, dhe në këtë drejtim do ta ketë përkrahjen e plotë të tyre”, ka thënë Quni, për Telegrafin.

Ai ka thënë se ka mbetur vetëm vendimi politik nga Kuvendi për të bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore, për të cilat (ndryshimet kushtetuese) sipas tij, kërkohet vota e dyfishtë prej dy të tretave – pra edhe e komuniteteve etnike.
“Në këtë drejtim, ka pasur shqetësime nga komuniteti serb lidhur me sigurinë e tyre. Mendoj se bashkë me partnerët tanë SHBA dhe NATO-n do të arrijmë t’i sigurojmë serbët se Ushtria e Kosovës nuk do të jetë rrezik për ta, por do të ofrojë më shumë siguri për paqen në Kosovë dhe rajon”, ka thënë Quni.
Sipas tij, “në kushtet e rritjes së kërcënimeve globale sidomos nga terrorizmi botëror dhe faktorë të tjerë destabilizues dhe cenues të paqes globale, nevoja që edhe Kosova të ketë ushtrinë e vet është shumë e madhe”.
“Nëpërmjet ushtrisë, Kosova realizon marrëdhënie të reja me partnerët strategjikë dhe me NATO-n. Në këtë aspekt, FSK i ka kapacitetet për t’u shndërruar në FAK dhe me ndihmën e NATO-s dhe SHBA-ve do të vazhdojë të rrisë kapacitetet e saj mbrojtëse. Edhe vendimi i Kongresit Amerikan është një nga vendimet që detyron Administratën Amerikane që të angazhohet ta ndihmojë Kosovën për t’u përgatitur për Programin e Partneritetit për Paqe dhe për anëtarësim në NATO”, ka shtuar ai.

Quni ka theksuar se kjo do të thotë se SHBA-të do të angazhohen në të gjitha fazat që nga shndërrimi i FSK-së në FAK, e deri në pranimin e Kosovës në NATO, duke shtuar se “për Kosovën partneriteti me SHBA-të edhe në fushën ushtarake është shumë i rëndësishëm për sigurinë e saj dhe për të hapur perspektiva të integrimeve dhe të përfshirjes në agjenda të rëndësishme ndërkombëtare”.

Njohësi i rrethanave të sigurisë, Naim Maloku, ka thënë për Telegrafin se fajin kryesor për mos transformimin e Forcës të Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), e ka Qeveria e Kosovës.
Sipas tij, “u kuptua se në 2016 nuk ndodhi ky proces, por nuk besoj se do të ndodhë as vitin që po hyjmë”.
“Më kujtohet një fjalë që e përdorin sllovenët, e cila thotë ‘se nga ky miell nuk ka bukë’. Edhe unë po them se nga kjo Qeveri nuk do të ketë transformim të FSK-së në FAK. Le që nuk do të ketë ushtri të Kosovës në vitin 2017, por kjo nuk do të ndodhë as në vitin 2018”, ka shtuar ai.
Maloku thotë se nuk pret nga kjo Qeveri ndonjë veprim në këtë drejtim, duke shtuar se duhet të pritet kur të formohet ekzekutivi i ri, që të ketë ndonjë lëvizje në këtë drejtim.

“Fati jonë është që në e kemi KFOR-in në Kosovë, dhe besoj fuqishëm se derisa të përgatitet Kosova që ta ketë një ushtri në raportet me nevojat e saj, KFOR-i do të jetë këtu”, ka thënë Maloku.

Ndryshe, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ka deklaruar para pak ditësh në media se ndryshimet kushtetuese, të cilat do t’i hapnin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, kanë mbetur peng i zhvillimeve politike në vend.
Ai ka theksuar se ministria që drejton ka kryer përgatitjet e nevojshme të planifikimit dhe të procesit të transformimit dhe se është e gatshme të fillojë procesin e transformimit, pasi të jetë marrë një vendim politik në Kuvendin e Kosovës.
“Aktet normative apo draft ligjin për transformimin e FSK-së në FAK e kemi dërguar në Qeveri të Kosovës dhe po ashtu amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me transformimin e FSK-së janë në Kuvendin e Kosovës. Por, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe janë duke e bojkotuar punën e Kuvendit të Kosovës, si dhe nuk kanë treguar gatishmëri për të dhënë votën e tyre pro ndryshimeve kushtetuese, të cilat do të ishin edhe bazë për fillimin dhe zhvillimin e këtij procesi”, ka deklaruar Demolli.
Ministri Demolli ka theksuar se janë bërë përpjekje që të kontaktohen deputetët nga Lista Serbe, për të parë se cilat janë shkaqet e mos votimit të ndryshimeve kushtetuese për FSK-në dhe se cilat janë kërkesat eventuale që mund të kenë, mirëpo, sipas tij, “ nuk ka pasur sukses në atë drejtim”.

“Shtyrja e këtij procesi mund të jetë demotivim sa i përket zhvillimeve të brendshme në FSK. Kjo vërtetë mund të krijojë demotivim tek pjesëtarët e FSK-së, të cilët ka dy vite që po presin fillimin e këtij procesi”, ka deklaruar Demolli.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img