7.7 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Buy now

spot_img

Majko e pranon, ka çarje në koalicionin qeverisës PS-LSI

Një ndër të ftuarit e Institutit Demokratik Amerikan në Kuvendin e Filadelfias ishte edhe deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, ish-kryeministri Pandeli Majko.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” nga konventa e Partisë Demokratike në SHBA, Majko shprehet i çliruar që reforma në drejtësi u miratua, por pohon se reforma vështirë se do të ishte miratuar pa një presion të fortë nga Perëndimi dhe publiku shqiptar.
Në gjykimin e deputetit të Partisë Socialiste, klasa politike në Shqipëri doli e humbur, pasi aktorët politikë nuk arritën të shfrytëzojnë këtë mundësi historike për të dëshmuar gatishmëri dhe vullnet për ta miratuar vetë reformën.
Majko tha se Kuvendi u kthye në një regres dhe u duk pak a shumë në statusin e ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës në periudhën e viteve ‘90”. Ndër të tjera, Majko thotë se procesi për miratimin e reformës në drejtësi nuk lë vend për optimizëm për punën e Kuvendit, ndërsa procesi sipas tij nxori në pah edhe problemet që ka koalicioni mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai pranon se ka një ftohje të koalicionit, ndërsa bën thirrje që problemet që tashmë nuk mund të fshihen në koalicion duhet të diskutohen mes dy aleatëve qeverisës.
Çfarë kuptimi kanë për ju zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara?
Po, kjo është një mundësi për të takuar miq të vjetër dhe për të ndjekur nga afër një nga momentet më të rëndësishme të politikës amerikane, por që tani nuk është më vetëm një moment i rëndësishëm i Shteteve të Bashkua të Amerikës, por edhe i gjithë botës, pasi është një vend që me lidershipin e tij ndikon në një mënyrë apo tjetër në fatet e kombeve të tjerë. Me zonjën Klinton ne shqiptarët ndajmë një moment të veçantë, ka të bëjë me atë se çfarë ajo dhe bashkëshorti i saj kanë dhënë për Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve atje.
Le të kthehemi pak tek politika në Shqipëri, reforma u miratua tashmë, megjithëse pas tensionesh politike të mëdha?
Dua të jem tek pjesa e njerëzve optimistë, pavarësisht se kam qenë shumë optimist që reforma në drejtësi do të kalojë dhe kaloi. Mbase nuk isha shumë i bindur që ajo do të kalonte me 140 pro, por kjo reformë duhet pranuar kështu. Por, pa ndihmën e Perëndimit, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian reforma vështirë se do të kalonte në Kuvend.
Kuvendi, në një mënyrë ose tjetër, pa dashur të jem thellësisht qortues karshi qëndrimeve të disa palëve në Kuvend u kthye në një regres dhe ne u dukëm pak a shumë në statusin e ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës në periudhën e viteve 90-të. Reforma në drejtësi mendoj se u miratua në një presion të tillë, nën presionin e publikut dhe të perëndimit. Mendoj se të gjitha partitë patën një rast për të bërë një takim me të kaluarën e tyre dhe për sa më takon ndihem krenar për atë që bënë kolegët e mi dhe Partia Socialiste.
Mënyra se si e pasqyroni ju arritjen e reformës në këtë pikë është pak e njëanshme po të kemi parasysh se pati kundërshtime të forta për mënyrën se si u miratua reforma?
Mund ta kishim zgjidhur edhe vetë, pa ndërhyrjen e fuqishme të ambasadorëve të cilët dua t’i falënderoj, në mënyrë të veçantë ambasadorin Lu dhe Vlahutin. Por mendoj se presioni i Perëndimit ishte domethënës dhe i paprecedentë dhe kjo duhet thënë kështu siç është. Pa këtë presion vështirë se reforma do të kalonte edhe në planin matematikor. Do të kishim probleme shumë të mëdha dhe nuk hyj tek optimistët për të thënë se kjo që bëmë ishte diçka gjeniale. Jo. Ne u ndodhëm në një presion të madh të publikut, të Perëndimit dhe rezultati ishte votimit me 140 pro. Nuk kemi pse fshihemi pas gishtit, realiteti është ky.
Megjithatë, pas miratimit të reformës ka filluar një lojë politike për të deklaruar fitues dhe humbës, pse duhet bërë kjo?
Nuk besoj që ia vlen të diskutojmë për fitues dhe humbës në këtë pikë. Mendoj që do të kishim qenë fitues po ta kishim bërë vetë reformën. Jemi deri diku humbës deri sa politika shqiptare u vu në një presion të tillë nga Perëndimi, nga publiku shqiptar dhe nga një pjesë e shoqërisë civile që kjo reformë të kalonte. Në fund fare Perëndimi mbajti krahun e publikut shqiptar, jo të politikës. Sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës pohuan një fakt shumë të rëndësishëm, të cilët ne të politikës kemi qejf ta themi e ndonjëherë nuk kemi qejf ta themi; miqësia e SHBAve me Shqipërinë nuk ka kaluar nga dyert e politikës, ka kaluar nga dyert e shqiptarëve, sidomos e emigracionit shqiptar që nga koha e Nolit e deri më sot.
Faktori ndërkombëtar megjithatë i mori parasysh shqetësimet e shtruara nga opozita, duhet pranuar që maxhoranca ka treguar infleksibilitet gjersa u miratua me një kompromis të asaj që donit ju me opozitën?
Sinqerisht do doja të ishte kështu, e mospranimit tonë, por deklaratat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, shpesh shumë të ashpra në drejtim të opozitës e sjellim të natyrshëm faktin që pengesë nuk ka qenë maxhoranca. Megjithatë dëshiroj të them që kjo nuk më bën të ndihem i lumtur, në fund fare Shqipërisë nuk i intereson të ketë asnjë vokacion politik antiperëndimor. Unë shpresoj dhe mendoj që kjo nuk ka për të ndodhur.
Debate ka pasur edhe për arsye të paketës së ligjeve?
Besoj që këtu nuk bëhet fjalë për interesa nenesh, por bëhet fjalë për interesa politike të pushtet-mbajtjes së sotme dhe pushtet-marrjes së nesërme. Por, një gjë është e sigurt me ndryshimet kushtetuese gjërat janë të kuadratuara dhe ne nuk mund të dalim as jashtë tyre, as të japim më pak se sa janë shkruar dhe që do të garantojnë të ardhmen e drejtësisë në Shqipëri.

  1. Majko, është folur vazhdimisht gjatë këtij procesi për problemet e brendshme që mund të ketë koalicioni. Z. Meta, gjatë gjithë procesit të reformës paralajmëroi dy herë se nëse kjo nuk do të zgjidhej do të jepte dorëheqjen ose bëri thirrje për qeveri teknike. Duket sikur ka një tension mes PS-së dhe LSIsë, megjithëse z.Meta në intervistën për “Zërin e Amerikës” foli për thashetheme dhe intriga mediatike, duke deklaruar se i qëndron marrëveshjes. Si e lexoni ju situatën, si është në të vërtetë duke qenë se jeni brenda PS-së?

Ka një të vërtetë. Me diskutimin e reformës ne nuk mund ta themi dhe ta fshehim që koalicioni po funksionon në rregull dhe gjithçka është si më parë. Mendoj se diskutimi i reformës në drejtësi nxorri disa probleme dhe sigurisht ka një lëvizje të LSI-së për një marrëdhënie më të afërt me Partinë Demokratike, ta quajmë kështu. Por mendoj se kjo nuk duhet parë në sensin e negativitetit. Ajo që është përgjegjësia e PS-së në marrëdhënie me LSI-në dhe anasjelltas është se si do të ndërtohet e ardhmja e qeverisjes, sepse qeverisja është një nga gjërat e rëndësishme dhe nuk ka të bëjë thjesht se kush janë llogaritë e PS-së, LSI-së apo të PD-së për pushtetin kur do të bëhen zgjedhjet.
Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes, qoftë LSI-ja qoftë PS-së, është se si do ta ndërtojnë dhe vazhdojnë këtë histori të përbashkët të qeverisjes së vendit. Kjo nuk mund të vazhdojë me aludime, me akuza dhe intriga dhe jam dakord me atë që ka thënë Meta në këtë drejtim, por në funksion të një diskutimi të hapur dhe transparent me njëri-tjetrin. Se kush do të jetë e ardhmja e kësaj qeverie, mendoj se kjo nuk është pikëpyetja, por një pyetje e rëndësishme publike pasi ne e kemi marrë votën për të qenë seriozë dhe jo vetëm me të majtët por edhe me të djathtët.
Qeverisja nuk mund të jetë një histori sallonesh, por një histori e përgjegjshme që do të kërkojë një risqarim, pse jo ridiskutim të marrëdhënies së koalicionit mes PS-së dhe LSI-së, si do ta vazhdojnë këtë koalicion, si do ta ndërtojnë të ardhmen sepse kemi edhe një vit qeverisje në vazhdim, kemi reformën zgjedhore që pret për t’u diskutuar dhe mendoj se nga ky soliditet në marrëdhëniet e PS-së dhe LSI-së do të varet edhe ecuria e hapave të parë që do të hedhë reforma në drejtësi.
Por, po qe se ne do të vazhdojmë me tempin e deklarimeve dhe të ruajtjes së një distance nga njëri-tjetri atëherë jemi në një pikë që duhet të marrim një vendim se si do ta vazhdojmë marrëdhënien ne me LSI-në dhe LSI-ja me ne. Nuk e them këtë në sensin e të bërit presing, por në sensin e përgjegjësisë që të dyja palët kanë për qeverisjen e vendit.
Kam dëgjuar deklarata edhe nga përfaqësues të LSI-së që janë shprehur për vazhdimin e koalicionit, por pakënaqësitë, problemet të cilat grumbullon një qeverisje në radhë të parë duhen diskutuar në tavolinën e bisedimeve në mënyrë institucionale, sigurisht pa ngjalë përballë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img