7.1 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Buy now

spot_img

Mbroni vlerat e proklamuar ose mos u thirrni në vlera

Unë kam besuar dhe dua te besoj ne vlera evropiane dhe përgjithësisht ato euroatlantike, por kohën e fundit ka filluar një lëkundje nga vlerat evropiane, edhe në vendin ku kanë  zërë fill ato vlera pas Luftës se Dytë Botërore. Nuk kam asnjë dyshim, ato vlera i kanë dhënë ndryshime progresive Botës, e sidomos vendeve të BE-së.
Këto vlera ka vite që kanë zërë të gjejnë terren në Evropë, e sidomos filli i tyre nisi me Raportin e shpifur te Dick Martit i cili për fat të keq u bë Rezolutë zyrtare e Këshillit te Evropës se gjëja qenkan bërë krime lufte e trafikim e transplantim të organeve nga UCK-ja?! Dhe mbi bazën e atyre gënjeshtrave u hapen “hetimet” nga Prokurori Viliamson dhe më pas u kërkua krijimi i Gjykatës Speciale.Madje për të qenë absurdi edhe më i madh, kjo gjykatë nuk do të merret me dënimet e krimeve të luftës dhe krimet ndaj njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë?! Por shpiken gjeja krimet e luftës e të njerëzimit të kryera nga UCK-ja në Kosovë nga viti 1998 – 2000 në Kosovë edhe pse lufta ka përfunduar në qershor të vitit 1999.
Kështu si është krijuar kjo gjykatë nga Kosova e për Kosovën, por me seli jashtë saj, jo vetëm që kjo gjykatë është formuar jashtë çdo standardi të drejtësisë ndërkombëtare, por edhe jashtë çdo standardi, pasi ligësisht parashihet që të ndiqen vetëm njëra palë e luftës, pra vetëm shqiptaret që bënë luftë çlirimtare. Kështu si është bërë kjo gjykatë, duhet të jesh më shumë se i verbër, që mos ta shikosh si një gjykatë thjeshtë politike dhe për përndjekje politike.
Raporti i Dick Martit, Rezoluta e KE, të “gjeturat” e Viliamsonit, krijimi i Gjykatës Speciale, e kanë vendosur Republikën e Kosovës në raporte më shumë se të pa barabarta me Serbinë. Natyrisht për ketë nuk janë më faj vetëm europerëndimoret që bënë presion, por edhe udhëheqësit e pa kurriz te shqiptarëve te Kosovës. Ndërsa, përgjegjësia ju bie mbi të gjitha deputetëve te Kuvendit të Kosovës, të cilët duke qenë të padijshëm, të pa integritet e të pa dinjitet, morën një vendim tepër të dëmshëm për vendin dhe të ardhmen e tij. Vendim për t’i ndjekur luftëtarët e UCK-së, të cilët për veprimet e tyre gjatë luftës, në vend që të dekoroheshin, ata mund të dënohen, ashtu siç u dënuan para disa ditë edhe krerët e luftës çlirimtare në rastin Drenica “1” e “2”.
Ky qyqarllak i njerëzve tanë të veshur me pushtet nga qytetarët tanë, ndoshta atë pushtet e kanë grabitur me forma të tjera jo demokratike, sikur ju ka dhënë krah jo vetëm neomillosheviqistëve, por edhe disa shteteve te BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe disa forcave të se djathtës ekstreme evropiane (Francë e Austri) , kandidatë për President nga ato vende te cilët janë vërë haptas në mbrojtje të politikës serbe që ka ushtruar gjenocid të pastër në Kosovë mase tri herë që nga viti 1876/78 e deri të lufta e fundit 1997/99.
Pra, janë disa forca ekstreme brenda përbrenda BE-së, pa folur për vende të tjera te Evropës, që i kanë trimëruar neomillosheviqët në krye me Presidentin e Serbisë, Nikoliq që të deklarohet shpesh, sikur Kosova te ishte krahinë serbe apo zemër serbe siç e thonë shpesh ata. E kemi thënë edhe më herët, kjo nuk është gjë tjetër vetëm politikë e kërcënimit! Ai këto kërcënime para një kohë i përdori në Peterzburg e sa herë t’i epet rasti. Aji këto kërcënime i përdori edhe më 28 nëntor, në takimin me homologun grek.
Në takimin me ketë të fundit tha: “Ne edhe më tutje mbetemi të angazhuar vendosmërisht për ruajtjen e integritetit tanë territorial dhe bisedojmë me Prishtinën në mënyrë që njerëzit në Krahinë të jetojnë më mirë, për sa kohë nuk kërkohet nga ne ta njohim pavarësinë. Ne këtë nuk do ta bëjmë kurrë”, Nuk e di nëse Kryeministri dhe Presidenti i Kosovës i tanë  dëgjuar këto kërcënime serbe, që kohëve të fundit janë përsëritur goxha shpesh.
Ai madje ka shtuar se do të ishte “shkatërrim për njerëzimin” nëse do t’u lejohej shqiptarëve të Kosovës që të kujdesen për kishat dhe manastiret ortodokse serbe në Kosovë. Në këto raste shtrohet pyetja: Vërtetë kush ishin shkatërruesit e kulturave të të tjerëve në FJ? Kush ishin ata që i zhvilluan katër luftëra në ish FJ? Kush ishin ata që i shkaktuan tre gjenocide në fund të shekullit XX? Dhe dikush e pengoi Gjykatën e Drejtësisë që ta dënoi Serbin për gjenocid? Pra janë këto politika që i kanë dhënë krah politikave neomillosheviqiane, që sot udhëhiqen nga politika zyrtare serbe në Beograd dhe që përfaqësohet jo vetëm nga Nikoliqi.
Nikoliqi homologut nga Greqia i tha edhe ketë: “Ne presim përkrahje më të fuqishme nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Jemi të gatshëm që t’i lejojmë shqiptarët të kujdesen për trashëgiminë e tyre kulturore, por nuk mund të lejojmë që të kujdesen për tonën”. Ky President i çmendur serb, ka harruar se e gjithë trashëgimia në Kosovë, përfshirë edhe atë ortodokse serbe, është e Kosovës dhe pronë e saj. Por, gjithsesi këto që i thotë Nikoliq, janë kërcënime të haptë për paqen e sigurinë në rajonin tonë. Janë kërcënime që duhet t’i obligojnë udhëheqësit shqiptarë në Kosovë e Shqipëri, që të mendojnë me një përgjegjësi tjetër për sigurinë e kombit tonë i cili jo pak herë në shekullin e kaluar ka qenë i kërcënuar nga politika të tilla serbe.
Ne një situatë të tillë, disa qarqeve evropiane brenda BE-së, nuk kemi si mos t’ju themi: Mbroni vlerat e proklamuara me të drejtë ose mos u thirrni në ato vlera pasi drejtues shtetesh të BE-së, gjunjëzohen para kërcënimeve luftënxitëse të neomillosheviqizmit!

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img