10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Buy now

spot_img

Më shumë se tri orë takim prapa dyerve të mbyllura, ZKM: Në Ohër udhëtojmë me vullnet dhe qëllime të mira

I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë ditës së djeshme dhe sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë. Escobar dje takoi partitë opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa sot nisi ditën me një takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, e më pas vazhdoi me kryekuvendarin, Glauk Konjufca, raporton Gazeta Sinjali.

E vizitën e tij e përfundoi me një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Rreth orës 11:00, emisari amerikan u nis drejt objektit të Qeverisë ku u prit në takim nga Kurti, e që atje qëndroi për më shumë se tri orë.

Escobar nuk u deklarua për media, siç bëri pas takimit me Osmanin, por Zyra e Kryeministrit ka lëshuar një komunikatë rreth takimit të sotëm.

“U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim”, thuhet në komunikatë.

ZKM-ja thotë se Kurti falënderoi Emisarin për “angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog”, teksa u shprehën se delegacioni kosovar udhëton për në Ohër me vullnet të mirë dhe qëllime të mira.

“Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë që pas takimit me Osmanin, Escobar tha se është optimist për një rezultat pozitiv nga takimi i nesërm mes Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, nga Prishtina ka përsëritur se Kosova ka mbështetjen e Amerikës, si mbështetësi më i madh i saj [Kosovës] në botë.

Ndërkohë është publikuar agjenda e takimit të nesërm në Ohër, ku pritet të zhvillohen takime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Sipas agjendës së takimit, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, bashkë me të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të zhvillojnë takime dypalëshe me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

E pas përfundimit të takimeve të ndara, do të ketë edhe një takim të përbashkët trepalësh.

Takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit Zbatues të Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Borrell.

“Koha e saktë do të përcaktohet gjatë pasdites”, thuhet në njoftimin e EEAS.

Kujtojmë se Kurti është shprehur i gatshëm që në Ohër, nën ndërmjetësimin e BE-së, të nënshkruajë marrëveshjen, por Vuçiq ka deklaruar se nuk i shkon në mendje që ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Por, të dyja shtetet kanë synime të ndryshme sa i përket një marrëveshjeje finale. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img