11.6 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Buy now

spot_img

Mehmeti, çfarë deshi?! Çfarë tha Mehmeti?!

Pasi konstaton se Hashim Thaçi akuzohet për kohën e të a.q. Qeveri e Përkohshme në Kosovë, që nuk është e saktë sipas aktakuzës kundër tij, Mehmeti nis e përpunon vet aktakuzën. Për ata që nuk e dinë sikur Mehmeti, ata në Hagë akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, element i qenësishëm i së cilës është vazhdimësia e veprimtarisë kriminale të të akuzuarve. Kjo do të thotë se cilësimi i Hashim Thaçit si autoritar dhe si lider efektiv i një strukture qeveritare që nuk njihet ndërkombëtarisht, nënkupton konfirmimin e elementit qenësor të veprës penale për të cilën ai dhe të tjerët akuzohen.

Shkruan Enver Hasani

Një tekst i varfër, metodologjikisht i sakatosur, pa qoftë edhe një pyetje të vetme hulumtuese

Opinioni këto ditë pati rastin ta lexojë një tekst, përfshirë dhe këtë autor, që u shpërnda nga kryetari ASHAK-ut, pa vulë e shenja dalluese të këtij institucioni, gjë që zgjoi kërshërinë dhe dyshimin për autenticitetin e tij. Në fakt, dyshimi mbi këtë të fundit më shumë ishte ngjallur nga përmbajtja e varfër dhe kaotike e estetike, pa fije metodologjie e pyetjeje që kërkon përgjigje. Ishte, thjeshtë, një ese e një njeriu që mëton të barazojë fuqinë e një institutcioni që drejton administrativisht me fuqinë e prodhimit që duhet të këtë ai institucion. Kjo bën që dyshimet e atyre që e lexuan, të kërkojnë përgjigje gjetiu, në arsyet (ana subjektive) dhe motivet (ana objektive) e autorit të tekstit, përkatësisht në atë që quhet sociologjia e dijes. Vetëm aty mund të gjendet përgjigja në nivelin e tekstit dhe gjendjen shpirtërore të autorit të tij.

Sa i përket dimensionit të fundit, anës subjektive, meqë autori është shkrimtar i një drejtimi e stili letrar, në mendje vjen menjëherë mesazhi i fabulës së romanit “Robinson Crusoe”. Njëjtë si autori i këtij romani, Mehmeti ynë dëshiron të tregojë, përmes një eseje, se ka individualitet që shkon kundër trendeve globalizuese e zhvillimore të civilizimit në të cilin jeton. Kështu kishte bërë edhe personazhi Daniel Defoe-s me të njëjtin emër: puritan në shpirt, kishte ndjekur vetizolimin si mënyrë protestimi ndaj dominimit ekonomik të prodhimit, pa tregëtinë si ndërmjetësues, në kohën e revolucionit industrial kur kishte jetuar e vepruar presonazhi real i romanit. Dallimi me Mehmetin, ndërkaq, përvijohet në dy aspekte: në arsyet dhe motivet që kanë shtyrë atë për të prodhuar përmbajtje, krahasuar me autorin e romanit të parë në letrësinë angleze. Mehmeti, qartë shihet që synon të dalë nga vetizolimi i shkaktuar si rrjedhojë e trenedeve aktuale civilizuese, që tregon edhe reagimi tij ditë më parë ndaj emsionit “Big Brother” në një mënyrë tërësisht anti-civilizuese, i motivuar nga kushtet objektive të lidhura me formimin e tij intelektual të mangët e të limituar kulturalisht, në një segment të papërfillshëm të botës shqiptare. Kjo bën që eseja e tij të jetë pa asnjë gjurmë metodologjike dhe pa asnjë cak që synon të arrihet. Në mungesë të tyre, teksti është i mbushur me pasaktësi shkencore dhe paragjykime subjektive deri në inkriminim shtesë të atyre që sot janë në Hagë duke u gjykuar, me ose pa të drejtë. 

Pasakatësitë shkencore

Gjithnjë duke ndjekur rrugën e socilogjisë së dijes, tekstin e shohim si një dokument të prodhuar nga arsyet krejtësisht subjektive të një njeriu, motivet e të cilit dalin në shesh nga sfondi kulturor e arsimor, me të cilin operon autori i tij. Kombinimi këtyre dy dimensioneve shpjegon pse teksti ka paskatësi, të cilat prodhojnë një orientim anti-evropian dhe anti-perëndimor të autorit të tekstit. Autori përgjatë tërë tekstit fajëson Serbinë për të këqijat e rajonit, që e dëgjojmë përditë nga politikanët e Kosovës, pozitë e opozitë, dhe nuk përfaqësojnë asnjë relevancë për ne. Një tekst që mëton ta orientojë publikun duhet  t’i tregojë arsyet pse Serbia është e tillë: narrativa që Serbinë e paraqet si satelit të Rusisë, e cila synon ujërat e deteve të ngohtë, është e stërvjetëruar dhe nuk është e saktë. Në kohën që jetojmë, nga ku nuk mund të ikim siç ka bërë Robisnon Crusoe, ka armë e armatime që çështjen e daljes në detëra të ngohta e kanë bërë aq të pavlerë sa më askush nuk e zë në gojë. I vetmi rast ku ka një relevancë “deti i ngrohtë” për Rusinë është Deti Zi dhe flota ruse në Sevastopol: anise e ankoruar atje, shumica e saj gjendet e shkapërderdhur në ujëra ndërkombëtare gjetiu, deri në detërat e veriut, dhe për t’u kthyer në bazë duhet leja e Ankarasë, sipas një ligji ndërkombëtar që Mehmeti nuk e merr vesh. 

Në këtë përpjekje serbe, Mehmeti fajëson Evropën e krishterë dhe një segment të shoqërisë kosovare që ka oreintim të fuqishëm islamik dhe që mbështet Ankaranë. Narracioni që sheh Evropën e krishterë si fajtor për tragjeditë tona i takon versionit komunist të historisë, që në Kosovë është bartur përmes Tiranës komuniste dhe kjo gjë nuk përbën risi. Ajo që përbën risi është besimi Mehmetit që kjo Evropë verbërisht ia mban anën Serbisë dhe, meqë e krishterë, penalizon kosovarët si muslimanë. Përgjatë tekstit, Mehmeti përdor fjalën kosovar, një emërtim që nuk hyn në proveniencën e atyre që kultivojnë kombin kosovar ndër ne. Këta të fundit, me kosovarë nënkuptojën deifnimin kushtetues të tërë popullësisë së vendit, kurse Mehemti e përdor për të treguar një neutralitet dhe për të luajtur rolin e arbitrit mes Tiranës dhe Prishtinës, si një i tretë që ka ardhur nga hapësirat që nuk bien në asnjërën prej tyre.  Gjenerata ime këtë shprehje për herë të parë e ka dëgjuar si fëmijë kur shkonim në Ulqin për pushime, dhe vendasit na drejtoheshin me “kosovarët”, diçka që më vonë kur u hapën rrugët me Shqipërinë e morëm si të mirëqenë, anise jo me dëshirë. Nejse, kjo këtu nuk ka rëndësi ! Të kthehemi te muslimanizimi si shkaktar i të keqes dhe rolit që aty luan Ankaraja zyrtare, të cilën Mehmeti e protretizon si shkaktarin kryesor të ngritjes së islamit politik ndër kosovarët e tij, dhe për pasojë, edhe të keqes së tyre. Mehmeti, qartë shihet, nuk di të dallojë mes bektashizmit, të cilin e merr si liberal, dhe Islamit selafist, që përbën shkaktarin kryesor të së keqes në rajon, jo vetëm në Kosovë. Këtë të fundit, Mehmeti e ngatërron me vehabizmin, që nuk është islam, por ideologji e oborrit mbretëror në Arabinë Saudite, që nuk ka asnjë profet dhe asnjë hadith që kodifikon pikëpamjet e atyre që kanë themeluar atë, pra vehabizmin. Me një narracion konspirativ Mehmeti vë gishtin te vehabizmi, ndërkohë që tërë analizat e vendeve perëndimore dhe përtej kanë treguar dhe flasin për degën selafiste të Islamit si shkaktarin kryesor të terrorizmit ndërkombëtar, përfshirë edhe vetë vehabistët, që më vonë u integruan në formacionin politik të njohur si ISIS. Ndikimi i Turqisë zyrtare në këtë mes është zero: ajo që Mehemti nuk e merr vesh është se politikat islamiste të Erdoganit janë pjellë e politikës neo-otomane të Islamit me bazë Hanefi, me metodologjinë e sekteve dhe ideologjive të Islamit politik, si “vëllzëria muslimane” apo sekti Nakshibendi. Sidoqoftë në asnjë variant , nuk bëhet fjalë për përhapje të Islamit radikal, por për përhapje të ideologjisë neo-otomane, me qëllim të shtrirjes së ndikimit personal të presidentit turk Erdogan, jo të Turqisë si shtet. Në momentin që ky shef shteti bjen nga pushteti, çdo gjë përfundon aty, për faktin se Turqia nuk ka potencial për përhapje të neo-otomanizimit në kushtet aktuale të gjeopolitikës në Mesdheun lindor. Këtë rol ka TIKA, jo përhapjen e Islamit vehabist, selafist ose tjetër, por të idologjisë neotomane, e cila asnjëherë, siç e provojnë katërcipërisht studiuesit Halil Inalcik e Kemal Harapt, nuk ka prodhuar Islam radikal. Në këtë kuptim, TIKA luan rolin e njëjtë siç luajnë agjencitë tjera perëndimore në Kosovë dhe Ballkan – përhapjen e ideologjike politike të shteteve nga vijnë. Fajësimin e Perandorisë Osmane, ndërkaq, për krejt të këqijat e shqiptarëve në rajon, nuk e bën vetëm Mehemti: këtë e kanë bërë të gjitha akademitë e rajonit, përveç Bosnje-Hercegovinës, dhe ka shpjegim tjetër, të cilin si duket Mehmeti nuk e merr vesh. Kjo këtu gjithashtu nuk ka rëndësi: ajo që ka rëndësi është se nuk është i saktë portretizimi i kësaj Perandorie në terma bardh e zi dhe këtë konstatim joshkencor nuk ta pranon askush përveç intelektualëve të Ballkanit, përjashtuar historianët grekë që janë edukuar jashtë vendi dhe që gjërësisht kanë shkruar kundër trendit zyrtar grek dhe kanë ndikuar në zbutjen e tij dukshëm, krahasuar me vendet tjera përreth.

Paragjykimet dhe inkriminimet shtesë të njerëzve

Interpretimet në esencë të Mehmetit sa i përket hisotrisë aktuale të Kosovës dhe vendeve përreth karakterizohen me dy gjëra: e para, urrejtje e shfrenuar ndaj Shqipërisë si shtet, në të gjitha periudhat e zhvillimit të saj; dhe, e dyta, në portretizimin e atyre që janë në Hagë si njerëz të padenjë për politikë dhe potencialisht të inkriminuar në vrasje të njerzve. 

Mehmeti provon të tregojë një vijë lineare të politikës anti-Kosovë të shtetit shqiptar, duke qenë më i mëshirshëm për të djathtën shqiptare të dr. Sali Berishës dhe duke i dhënë dimension veri-jug konstantës së kësaj politike shqiptare anti-Kosovë. Ajo që Mehmeti nuk merr vesh as këtu, ka të bëjë me atë që Richelieu e ka cilësuar si “raison d’etat”: Franca, me insistim të tij, u bashkua me vendet protestante dhe kundër stofit të vet fetar (katolik), hap ky që i solli asaj statusin e vendit dominant në Evropë për shumë shekuj.  Ngjashëm kishte vepruar edhe Bizmark shekuj më vonë, kur kishte sulmuar dhe goditur ushtarakisht Austrinë, në vigjilje të unifikimit të parë gjerman. Po të kishin pasur Richelieu e Bizmark mendjen e Mehmetit, sot këto dy vende nuk do të ishin ato që janë. Kështu veproi Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Sali Berisha dhe Edi Rama. Ajo që dikton tempon dhe përmbajtjen e politikës së jashtme të shtetit shqiptar nuk është dallimi veri e jug, por arsyeja shtetërore, që formohet dhe diktohet nga dinamikat ndërkombëtare të secilës kohë, e që Mehmeti nuk i merr vesh. Sikur t’i merrte vesh, do kishte një qasje tjetër ndaj interpretimit të idesë dhe praktikës mbi Ballkanin e hapur, që aktualisht përbën orientimin kryesor të politikë së jashtme të shtetit shqiptar.

Pas konstatimit të pasaktë dhe manipulativ se gjoja Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka thënë se “Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare” dhe interpretime të tjera të pasakta të këtij dokumenti të rëndësishëm për historinë ndërkombëtare të Kosovës, Mehmeti iu vërsulet atyre që janë në Hagë, në Gjykatën Speciale. Para se të tregojë se si bëhet kjo vërsulje, më duhet të them se Mehmeti as idenë nuk e ka se ato që u quajtën tërheqje të njohjeve, në fakt nuk kanë qenë fare njohje. Për të kuptuar këtë, Mehemti duhet të lexojë ose të pyes dike që di pak nga drejtësia, dhe i tregon me siguri se cili organ është kompetent ndërkombëtarisht për të dhënë e tërhequr njohjen. Këtë nuk e ka pasur të qartë as personi që Mehemti e kritikon dhe që thoshte se ka sjellur njohje për Kosovën (sic!). Merreni me mend çfarë mendon Serbia, ose çfarë ka menduar kur ka parë se si po merren si njohje deklaratat fiktive të zyrtarëve të vendeve të caktuara !? T’i kthehemi tani çështjes së inkriminimit të atyre burrave të Kosovës në Hagë.

Pasi konstataon se Hashim Thaçi akuzohet për kohën e të a.q. Qeveri e Përkohshme në Kosovë, që nuk është e saktë sipas aktakuzës kundër tij, Mehmeti nis e përpunon vet aktakuzën. Për ata që nuk e dinë sikur Mehmeti, ata në Hagë akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, element i qenësishëm i së cilës është vazhdimësia e veprimtarisë kriminale të të akuzuarve. Kjo do të thotë se, cilësimi i Hashim Thaçit si autoritar dhe si lider efektiv i një strukture qeveritare që nuk njihet ndërkombëtarisht, nënkupton konfirmimin e elementit qenësor të veprës penale për të cilën ai dhe të tjerët akuzohen. Eseja e Mehemetit, jam shumë i sigurtë, do të merret si provë dhe si një dëshmi e prokurorisë për të vërtetuar natyrën autoritare të të akuzuarit kryesor si dhe për veprimtarinë e tij kriminale në vazhdimësi. Krejt përshkrimi i esesë për ndarjen e Kosovës dhe Gjykatën Speciale, si shtytës dhe motiv kryesor i Hashimit për të ndarë Kosovën, shkojnë në favor të organit të akuzës në Hagë. E vërteta, ndërkaq, është krejt tjetër: idenë e ndarjes së Kosovës në botën shqiptare e ka sjell Edi Rama, për arsye shtetërore dhe krejtësisht legjitime nga aspekti rishelian e bizmarkian, kurse takimin me Putin nuk e ka organizuar Erdogan, por i njëjti – Rama me mikun e tij Vuçiq, u mor vesh, me bekimin e aleatëve tanë strategjik. Pse? Nuk është Hashimi i vetmi lider që ka takuar zyrtarë të lartë rus, para tij ka qenë edhe kryeminsitri Agim Çeku. Këtu asgjë të keqe nuk ka, sepse marrëdhëniet ndërkombëtare kështu funskionojnë. Dikur aleatët tanë strategjik, që kanë dhënë leje për takimin Thaçi – Putin, të tjerëve iu kanë thënë të dalin në zgjedhjet serbe, të pranojnë marrveshjen për hapje parciale të shkollave shqipe nën diktatorin serb Sllobodan Millosheviq dhe kështu me radhë. Duhen provuar të gjitha mjetet para se të nis përdorimi i forcës e dhunës fizike në shkallë të gjërë, kështu shkojnë marrëdhëniet mes popujve dhe atyre që i mësojnë popujt se si të çlirohen nga zgjedha e huaj. Kështu ka ndodhur me grekët në gjysmën e parë të shekullit 19-të, me serbët, malazezët e rumunët në gjysmën e dytë të atij shekulli, me shqiptarët në fillim të shekullit 20-të, me çekosllovakët, polakët dhe me turqit e Ataturkut pas Luftës së Parë Botërore dhe kështu me radhë. Fundja, vetë rusët dhe Lenini i tyre u mbështetën nga gjermanët për ta bërë Revolucionin e Tetorit, vet Ludendorfi kishte organizuar udhëtimin e tij nga Gjeneva me tren special. Bota kështu funskion Mehmet, jo me konspiracione e baltosje të njerëzve pa asnjë argument ! E keqja e Mehemtit këtë radhë është se , me përdorim të narracionit konspirativ, ka ndikuar dukshëm në inkriminim të mëtejshëm të atyre që janë në Hagë. Këtë nuk ia ka pasur borxh Kosova Mehmetit, të cilin e ka edukuar, shkolluar dhe mbajtur  që nga dita e parë kur ka shkelur në të, por nuk ia kanë pasur borxh as ata në Hagë dhe familjet e tyre.

Çfarë deshi Mehmeti, në fakt?

Me sa duket ka dashur të dalë nga izolimi i trenedeve globalizuese që po sillen rreth nesh, dhe të tërheq vëmendjen rreth këtij ziolimi , me shpresë se do të hapet një debat me të në qendër të vëmendjes ! Këto motive do të kishin arritur një cak të dëshiruar nga Mehmeti sikur eseja e tij të ishte ndërtuar në të dhëna të sakta shkencore që mund të operacionalizohen dhe mobilizohen për shpjegimin e gjendjes së sotme në vend dhe rajon. Nëse Kisha Serbe është e tillë çfarë është, nuk ndihmon asgjë për të shpjeguar pse serbët në veri janë rebeluar; nëse memorandumet serbe për shfarosje të shqiptarëve kanë qenë raciste, nuk shpjegojnë asgjë pse serbët kërkojnë asociacion dhe autonomi në veri; nëse Edi Rama ka miqësi me Vuçiqin dhe nëse ky Vuçiqi është njëjtë si Millosheviqi, nuk shpjegon aspak faktin se përse i njëjti nuk mobilizon forcat ushtarake për të hyrë në Kosovë. Fundja, këto tema i dëgjojmë nga politikanët, të cilët na thonë të njëjtat gjëra si Mehmeti, në vartësi të asaj nëse janë në pozitë ose opozitë. Mehmeti nuk ka arritur as të hap debat e as të dalë nga izolimi i vet që vjen si rezultat i shkaktarëve kulturor dhe formimit të tij intelektual. Krejt çfarë ka arritur Mehemti me këtë ese është ajo që ai vetë e pat thënë me një rast, kur e rrokën përpara mediet dhe publiku për mangësitë e një prodhimi të ASHAK-ut: “Akademia nuk mund të jetë më ndryshe se populli ku gjendet!”. Atëherë dhe sot jam pajtuar me këtë konstatim të tij, se ASHAK është e njëjtë me popullin, por, e keqja është se Mehemti si duket nuk e merr vesh, që akademitë nuk duhet të jenë si populli (sic!). Për pasojë, eseja e Mehmetit duhet parë kësisoji, si diçka pa relevancë dhe ndikim substancial në shoqëri, për shkak të paskatësive thelbësore shkencore dhe të tjera në përshkrimin dhe trajtimin e fenomeneve shoqërore përreth nesh.

(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img