10.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Buy now

spot_img

Ministria jep 20 mijë euro për funksionalizimin e Rezidencës së Rugovës

Ministria e Kulturës ka ndarë 20 mijë euro për funksionalizmin e Rezidencës së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Objekti i cili që prej muajit prill të këtij viti është nën mbrojtje të shtetit si aset i trashëgimisë kulturore, do të hapet për vizitorë, shkruan sot “Koha Ditore”. Qeveria e Kosovës tashmë e ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës për harmonizim të brendshëm të buxhetit.
“19 mijë e 405 euro merren nga nënprogrami mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore… nga nënkategoria e shpenzimeve kapitale nga projekti ‘Kalaja e Novobërdës’…”, shkruhet në vendim.
Këto mjete, sipas vendimit të nënshkruar dy javë më parë, do të shërbejnë për atë që MKRS-ja e ka quajtur funksionalizim të Rezidencës së ish-presidentit Rugova. Për projektin kapital të restaurimit e konservimit të Kalasë së Novobërdës, MKRS-ja sivjet kishte ndarë 100 mijë euro. Sivjet punimet kanë përfunduar e po ky buxhet është paraparë edhe për vitin që vjen.
“Tashmë ka nisur të punohet për projektin e funksionalizimit të Rezidencës. Ajo do të jetë e hapur për vizitorë dhe do të ketë rreth 10 punonjës. Ende nuk mund të flasim për kohën e saktë se kur do të hapet, por jemi duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.
Ky projekt ka nisur të hartohet nga zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë. Por, sipas saj, pjesë e hartimit të tij do të jenë edhe zyrtarët e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Sipas Aliut, projekti do të ruajë pamjen që ka rezidenca dhe punonjësit do t’u shpjegojnë vizitorëve rrëfimin për rezidencën. Aliu ka thënë se ende nuk mund të flitet për detaje se sa ditë në javë do të jetë e hapur për vizitorë Rezidenca.
Rezidenca është objekti i tretë që lidhet me Presidentin Ibrahim Rugova e që mbrohet nga shteti. Kur më 2011 qe miratuar për herë të parë Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme e nënshkruar nga ish-ministri Memli Krasniqi, aty ishte përfshirë edhe “Shtëpia e lindjes së presidentit Ibrahim Rugova e shekullit XIX – XX në Cërcë të Istogut”. Kjo, ani pse s’ka asnjë gjurmë të shtëpisë.
Në listën aktuale, me numër 510 mbrohet “Vendi i shtëpisë së lindjes së Presidentit Ibrahim Rugova”. Objekti tjetër është “Muzeu i Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” që dikur ka qenë selia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, që një kohë udhëhiqej nga Rugova.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img