18.1 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Buy now

spot_img

Ndalimi i Haradinajt ftoh marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë

Fletë-arrestet e Serbisë përmes INTERPOL-it, që çuan në ndalimin e disa figurave politike të Kosovës, së fundit edhe të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Bazel, kanë përkeqësuar edhe më shumë marrëdhëniet, edhe ashtu jo të mira, të Prishtinës me Beogradin.

Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar masa reciprociteti në fusha të ndryshme në raport me Serbinë, pasi që ky vend në vazhdimësi, po vlerësohet se po provokon destabilizimin e Kosovës përmes veprimeve të ndryshme.

Duke u nisur nga rasti i fundit, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur shqetësimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e Haradinaj në Bazel, dhe procedurave që po zhvillohen atje, sipas fletë-arrestit dhe kërkesave shtesë të Serbisë.

Para kabinetit qeveritar, Mustafa ka deklaruar se Haradinaj është ndaluar nga autoritetet franceze në bazë të një fletë-arresti të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi.

“Më lejoni që të ritheksoj qëndrimin e pa dilemë të Qeverisë së Republikës së Kosovës kundër këtyre fletë-arresteve të Serbisë, të cilat janë akte plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të provokuar tensione, konflikte dhe për të dëmtuar proceset evropiane në rajon dhe më gjerë”, ka thënë Mustafa.

Ndalimi i Haradinajt mbi bazën e fletë-arrestit serb, sipas kryeministrit Mustafa, është i papranueshëm dhe ka rikujtuar se Haradinaj, tashmë e ka dëshmuar pafajësinë e tij dy herë në proceset gjyqësore në Tribunalin e Hagës.

“Aktet e ndalimit të Haradinajt, por dhe personaliteteve të tjera në Kosovë, i konsiderojmë se janë akte të palejueshme, duke pas parasysh edhe faktin se Haradinaj e ka dëshmuar para drejtësisë ndërkombëtare në dy raste pafajësinë e tij. Po ashtu, ai është përballur edhe me ndalesa të tjera të përkohshme të cilat e kanë konfirmuar se fletë-arrestet serbe nuk kanë asnjë bazë”, ka theksuar Mustafa.

Që nga ndalimi i Haradinajt nga policia franceze, Qeveria e Kosovës është përballur me presionet e shtuara të opozitës dhe shoqërisë civile për ndërprerjen e dialogut me Serbinë dhe vendosjen e masave të reciprocitetit në fushat ku Kosova ka mundësi ta bëj një gjë të tillë.

Si kundërpërgjigje e parë ndaj fletë-arresteve serbe, ishte vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos i lejuar vizitën në Kosovë, presidentit serb, Tomosllav Nikoliq. Ai po planifikonte që të qëndronte në Kosovë për Krishtlindjet Ortodokse.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, tha se autoritetet e Kosovës i janë nënshtruar një presioni të madh ndërkombëtar pas këtij vendimi.

“Reagimi ynë i parë ka qenë se si do të duhet të sillet Republika e Kosovës në këtë rast dhe me këtë të tregojmë një kulturë të mos dorëzimit në raport me Serbinë dhe njëri prej vendimeve ishte ai për të parandaluar vizitën e Nikoliqit në Kosovë. Është përtej imagjinatës tuaj presioni ndërkombëtar që ka qenë mbi mua, por vendimi ka qenë sovran”, ka deklaruar Hoxhaj.

Autoritetet në Prishtinë, u kanë drejtuar tashmë edhe letra zyrtarëve dhe vendeve të Bashkimit Evropian, ku, sipas tyre, sqarojnë obstruksionet që Serbia po u bën jo vetëm zbatimit të marrëveshjeve të dialogut të Brukselit, por edhe ndërhyrje tjera, siç ishte rasti me ndërtimin e murit në Mitrovicën veriore.

Këto sjelle të Beogradit, sipas zyrtarëve në Prishtinë, duhet të marrin kundërpërgjigje adekuate nga Kosova.

Ndërkaq sa i përket dialogut, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk kanë ndryshuar pozicion dhe se bisedimet kanë mbetur ende në fuqi, me kërkesa të shtuara për ndryshimin e formatit, temave dhe përmbajtjes së tij në të ardhmen.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img