26.1 C
Pristina
Saturday, May 21, 2022

Buy now

spot_img

Në kujtim të Ibrahim Rugovës, presidentit historik të Kosovës

Ibrahim Rugova i ka pasur të përpunuar shumë elementë të identitetit e të shtetësisë së Kosovës, para se të hynte në politikë. Me dhjetëra herë më ka folë për disa nga këta elementë. E para, ishte kryengritja e vitit 1912 e udhëhequr nga Hasan Prishtina. Ibrahimi ishte i mendimit se Hasan Prishtina do të duhej ta kishte shpallur pavarësinë e Kosovës me të hyrë në Prishtinë, në gusht të vitit 1912.

Shkruan: Milazim Krasniqi
(Disa fragmente nga libri në dorëshkrim, „Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova“)
(KULLA E DAJËS SI MODEL PËR NDËRTIMIN E SHTETIT)
Të vetmin person nga familja e gjerë, të cilin Ibrahimi e lavdonte dhe e kishte si model për punën e vet, ishte një daja i tij, emrin e të cilit nuk e mbaj mend. Tregonte se ai dajë i tij kishte qenë njeri i qetë, i vendosur dhe bile njëfarë artisti kokë më vete. Daja i tij e kishte nisur një kullë dhe i kishte gëdhendur me dorë të vet gurët për të një nga një, ngadalë e ngadalë ashtu që i ishin dashur njëzet vjet që ta ngrinte atë kullë. (Një gur të asaj kulle, të gëdhendur nga daja i tij, Ibrahimi e ruante dh e mbante të ekspozuar në muzen e vet, në rezidencën e tij në Velani.)
Ibrahimi më ka thënë që i kishte ngjarë më së shumti atij daje, me qetësinë dhe me vendosmërinë që e karakterizonte. Ideja e tij ishte që edhe në politikë duhej të veprohej ngadalë, si të gëdhendësh gurin, paçka se të hante shumë kohë. Për Ibrahimin kishte rëndësi caku, pra të arrije në cak, kurdo që të mundje. Se sa mund të jetë adekuate ideja e ndërtimit të një shteti në përgjasim të ndërtimit të një kulle, kjo është një enigmë. Enigmën e këtij koncepti Ibrahimi, nëse nuk e ka shënuar e vlerësuar me shkrim askund, e ka marrë me vete. Por, ata gurë që janë në muzeun e tij personal, mbase do të mund të ekspozoheshin në muzeun shtetëror, me një shpjegim për konceptin nga i cili janë gëdhendur nga daja i ish presidentit historik të Kosovës, si ka ndikuar ajo vepër arkitektonike e dajës mbi Ibrahimin përkatësisht në formësimin e idesë që ta konceptojë ndërtimin e shtetit të Kosovës, me durim e përsosmëri, si ndërtimin e ngadaltë të një kulle.
(SHALLI SI IMIXH NGA PARISI)
Për shallin Ibrahimi ka dhënë deklarata të shumta e edhe të ndryshme, duke e përshtatur ndonjëherë edhe me kontekstet e trashëgimisë kulturore rugovase etj. Por, para se të bëhej president, në ato bisedat e gjata që bënim në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, më pati thënë se shallin e kishte si imixh nga Parisi. Me atë shall donte të dallohej nga intelektualët provincialë, nga shkrimtarët realsocialistë, nga elita uniforme e socializmit. Pra, donte të ishte individualitet. Thjesht, ndryshe prej të tjerëve. Natyrisht, më vonë ka mund të pasurohej edhe me kuptime të tjera, të bëhej polisemik, por esencialisht ka qenë një trill i sjellë nga Parisi e për ta mbajtur të freskët kujtimin për Parisin,e jo për ta ngjallur trashëgiminë e rugovasve.
(KONFLIKTI I HESHTUR ME TË VJETRIT)
Ibrahimi nuk ka pasur ndonjë respekt për intelektualët e vjetër, përveç ndonjë rasti si Esad Mekuli ose Anton Çetta. Bile konceptualisht ishte në konflikt me të vjetrit. Ai thoshte se intelektualët e vjetër janë njëfarë surrogati, e jo intelektualë të mirëfilltë. Konsideronte se nuk kishin as përgatitjen e duhur profesionale dhe se nuk e kishin dhënë provën e misionit që ka intelektuali në shoqëri. I quante intelektualë me kostume folklorike dhe me koncepte dogmatike. (Kjo mund të jetë edhe arsyeja kryesore pse ai për vite të tëra parapëlqente të rrinte me shkrimtarë e gazetarë të rinj, e jo me të vjetrit.) Thoshte se të vjetrit rrahnin gjoksin për punë të imëta, kishin prirje ta lavdonin veten e njëri tjetrin dhe të ishin arrogantë ndaj të tjerëve, atyre që ishin jashtë klanit të tyre. Ishte i sigurtë se shumë prej tyre ishin kompilatorë dhe plagjiatorë, që kishin improvizuar nga disa libra, që me to të zinin funksione në jetën politike, kulturore e arsimore.
NGA BURONTE FUQIA POLITIKE E RUGOVËS
Edhe pse fliste edhe me figura e me batuta të shumta, nganjëherë shplohej më shumë dhe thoshte disa gjera më eksplicite. Nuk e besoj se e bënte që të më bindte për fuqinë e tij, po thjesht i vinte në fyt nga nervoza që i shkaktonin disa njerëz e disa zhvillime. Kështu, në një rast teksa po bisedonim për politikat që Sali Berisha po i ndryshonte në raport me Kosovën, duke kërkuar partnerë të tjerë në Kosovë (Adem Demaçin, Hydajet Hysenin e ndonjë tjetër) e duke e relativizuar madje edhe kërkesën e Kosovës për republikë (me “hapësirë demokratike”), me idhnim më tha” “Ai nuk duhet të harrojë se më kanë pyetur për të, dhe ia kam dhënë okejin.” Kur e pa që nuk po e merrja vesh tamam, vazhdoi gjithë idhnim” “Për të e për Izetbegoviqin, më kanë pyetur miqtë tanë dhe unë ua kam dhënë okejin. Ai duhet ta dijë se më pyesin prapë.” Kjo bisedë është zhvilluar pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 1996 në Shqipëri dhe pas rizgjedhjes së Berishës si president. Por pas disa muash, në Shqipëri filloi rebelimi i armatosur kundër Berishës dhe qeverisë së tij, që rezultoi me rrëzimin e qeverisë dhe me zgjedhje të parakohshme. Tash unë nuk mund të spekuloj se a e ka pyetur kush Rugovën se çfare duhej të bënin me Berishën a nuk e ka pyetur, por e vërteta është se Rugova kurrë më nuk i ka riparuar marrëdhëniet me Berishën.
ENIGMA E „TAKIMIT“ NË PRISHTINË ME MILLOSHEVIQIN
Protestat e minatorëve të Trepçës gjatë atij janari u përshkallëzuan dhe shënuan një radikalizmim të ri e të panjohur më parë, të qëndrimit armiqësor të shqiptarëve ndaj Serbisë. Përveç tubimeve protestuese që i organizuam në Shoqatën e Shkrimtarëve e që patën jehonë të madhe në medie, edhe dy gjëra më kanë ngelur në kujtesë nga ato ngjarje. E para, ka të bëjë me ardhjen e Millosheviqit e të Stipe Shuvarit në Kosovë përkatësisht me një koment të çuditshëm të Ibrahim Rugovës për Millosheviqin. Ishim bashkë me Ibrahimin duke shkuar drejt Rilindjes, te kioskat që janë para udhëkryqit në të djathtë të hotelit Grand. Aty po kalonte në ato çaste eskorta me Millosheviqin. Unë po shikoja me habi e trishtim se si ballkonet e banesave ishin plot njerëz, që po e përshëndesnin eskortën e Millosheviqit, të ekzaltuar. Natyrisht ishin serbë. Kur kaloi eskorta, Ibrahimi më tha një gjë që nuk e kam pasur të qartë as atëherë kur ma tha e nuk e kam as tash: „ A e vure re se si u kthye e më shikoi?“ Unë jo vetëm që nuk e kisha vu re, po as nuk e kisha parë fare figurën e tij në veturën e errësuar e të blinduar, edhe ngase kisha qenë më shumë i preokupuar me pamjet e njerëzve që brohorisnin si të çartur nëpër ballkone. As sot nuk e di a është kthyer ai tipi për ta parë Ibrahimin vërtet, apo ka qenë ajo një parandjenjë e Ibrahimit. Ai do të ballafaqohej me atë njeri, që nga takimi në prill 1998 në Beograd, ku e dërgoi me pahir Holbruku, nënshkrimit të një marrëveshjeje kompromentuese për arsimin, me ndërmjetësinë e Shën Exhidios, përmes mbajtjes peng të tij nga ana e paramilitarëve të Millosheviqit në kohën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 e deri te gjykimi i Millosheviqit për krime të luftës në Hagë, ku Ibrahimi ishte dëshmitar i prokurorisë. Për mua ato fjalë të Ibrahimit kanë mbetur enigmë. Mbase ishte një parandjenjë e tij!
RUGOVA POLITIKISHT ISHTE “KOSOVAR”
Ibrahim Rugova i ka pasur të përpunuar shumë elementë të identitetit e të shtetësisë së Kosovës, para se të hynte në politikë. Me dhjetëra herë më ka folë për disa nga këta elementë. E para, ishte kryengritja e vitit 1912 e udhëhequr nga Hasan Prishtina. Ibrahimi ishte i mendimit se Hasan Prishtina do të duhej ta kishte shpallur pavarësinë e Kosovës me të hyrë në Prishtinë, në gusht të vitit 1912. Mendonte se ata të jugut ia kishin luajtur lojën, e kishin lënë në baltë lidhur me kryengritjen e përgjithshme, prandaj edhe ai do të duhej t’ua kishte kthyer me të njëjtën monedhë, duke e shpallur pavarësinë e shtetit shqiptar në Prishtinë. Po të shpallej shteti në Prishtinë, para luftës ballkanike, do ta kishim një fill historie shumë më legjitime, më të fortë, mendonte. E dyta, ai mendonte se himni ynë do të duhej të ishte “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë.” Këtë këngë e kishin kënduar rugovasit në luftë me malazezët, ndërsa gjyshi i Ibrahimit, Rrusta, kishte qenë një nga udhëheqësit e rugovasve. Derisa po ktheheshim nga Zagrebi, në shtator 1989, ai po e analizonte tekstin e këngës dhe ritmin e saj, i bindur se do të ishte himni më i mirë për shtetin tonë, i cili do të krijohej “herët e vonë”.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,319FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Marketing -spot_img

Latest Articles