10.4 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Buy now

spot_img

Një dekadë vërshime në Kosovë: Një 10-vjeçare e vdekur, e dëme të shumta materiale

Kosova, ndër vite, është përballur me vërshime si pasojë e reshjeve të shiut. Vërshimet kanë shkaktuar edhe vdekjen e një vajze dhjetëvjeçare në vitin 2013, përveç dëmeve të shumta materiale në ekonomi familjare, biznese dhe bujqësi.

Ekspertë nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) thonë se për evitimin e dëmeve në të ardhmen, duhet të rregullohen dhe mbrohen shtretërit e lumenjve.

Për shkak të degradimit të tyre, lumenjtë si: Drini, Sitnica, Morava e Binçes dhe të tjerë mund t’i përmbytin vendbanimet përreth kur dalin nga shtrati – gjë që ka ndodhur disa herë.

Më poshtë ju sjellim të dhëna nga raportimet për vërshimet në Kosovë gjatë dekadës së fundit, raporton rel.

Mars 2013

Reshjet e furishme të shiut kanë shkaktuar vërshime në Pejë, Gjakovë, Deçan, Zubin Potok, Leposaviq, Klinë dhe Skenderaj.

Përveç dëmeve materiale, një vajzë dhjetëvjeçare ka humbur jetën më 15 mars të vitit 2013.

Zëdhënësi i atëhershëm i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se vajza ka rënë aksidentalisht në një përrua në fshatin Izbicë të Skenderajt, i cili është rritur nga shirat.

Janar 2016

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe shkrirjes së borës, disa komuna të Kosovës, si: Malisheva, Suhareka, Rahoveci, Kamenica, Lipjani, Shtimja, Drenasi e Prizreni, janë përmbytur.

Situatë më e rënduar ka qenë në rajonin e Malishevës, ku disa rrugë janë bllokuar plotësisht për shkak të vërshimeve, ndërsa është nevojitur edhe ndihma e shërbimeve emergjente për evakuimin e nxënësve nga shkolla e qytetit.

Përmbytje në Kosovë

Mars 2016

Për shkak të reshjeve të mëdha të shiut që kanë shkaktuar vërshime, kryetari i atëhershëm i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka shpallur gjendje emergjente në këtë komunë, ku është ndërprerë edhe procesi mësimor.

Për vërshime është raportuar edhe në disa zona të tjera të Kosovës, si: Prizren, Skenderaj, Drenas dhe Lipjan.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dëmet në bujqësi kanë arritur në rreth 650 mijë euro.

Nëntor 2016

Qytetarët në disa pjesë të Kosovës janë bllokuar shkaku i vërshimeve, që kanë vështirësuar komunikacionin dhe kanë përmbytur shumë toka bujqësore.

Litafete Latifi, drejtoreshë e atëhershme në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se fajtor kryesor për degradimin e shtretërve të lumenjve, që shkaktojnë vërshime, është faktori njeri.

Gusht 2020

Pas një paralajmërimi nga IHK-ja për vërshime, për shkak të reshjeve të shiut me intensitet të lartë, ka pasur rrugë të përmbytura në Prishtinë dhe në disa qendra të tjera të Kosovës.

Më vonë atë muaj ka pasur vërshime edhe në Komunën e Podujevës dhe atë të Vushtrrisë, ku është vështirësuar komunikacioni.

Janar 2021

Shtatëdhjetë banorë të Lagjes “Shotë Galica” në Brekoc të Gjakovës janë strehuar përkohësisht në ambientet e Aeroportit të Gjakovës, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur nga reshjet e shiut dhe borës.

Fillimisht, në qytete dhe fshatra të shumta në rajonin e Dukagjinit është raportuar për rrugë të bllokuara dhe shtëpi të përmbytura, por më vonë janë shfaqur probleme edhe në Fushë Kosovë dhe në rrugën Prishtinë-Ferizaj.

Edhe disa ditë më vonë, më 26 janar të vitit 2021, ka pasur vërshime, të cilat kanë vështirësuar komunikacionin në disa pjesë të Kosovës.

Korrik 2021

Reshjet e shiut kanë shkaktuar telashe në Komunën e Gjilanit, ku disa rrugë janë bllokuar, ndërsa janë regjistruar dëme edhe në disa shtëpi private, shkaku i depërtimit të ujit nëpër bodrume.

Shira të dendur dhe breshër ka pasur edhe në Skenderaj dhe në disa rrugë të Komunës së Prishtinës.

Gjatë atyre ditëve është raportuar për rreth 200 persona të vdekur nga përmbytjet në disa vende të Evropës, si: Gjermani, Belgjikë, Holandë, Luksemburg, Zvicër, Austri dhe Çeki.

Dëmet e shkaktuara nga vërshimet në Prishtinë dhe Gjilan

Shtator 2022

Rreth një vit e gjysmë nga përmbytjet paraprake, banorët e fshatit Brekoc në Komunën e Gjakovës janë goditur sërish nga vërshimet.

Si pasojë, nëntë familje me së paku 80 anëtarë janë evakuuar.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar vërshime edhe në Rahovec, ku janë dëmtuar shtëpi e makina./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img