9.5 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Buy now

spot_img

Përgjigja e Bulliqit për Mustafën: S’i shtrembëroj faktet pse dikujt i pëlqen

Deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, ka thënë me bindje se angazhimi i tij në kundërshtim të mënyrës se si Kosova e ka demarkuar kufirin me Malin e Zi është 100 për qind profesionale dhe asgjë politike.
Kësisoj ai i është përgjigjur kryeministrit Isa Mustafa, që në mbledhjen e Forumit Rinor i quajti deputetët e mazhorancës që kanë kundërshtuar demarkacionin “shërbëtorë të kauzave të rrejshme të opozitë”.
“Nuk kam pse t’i arsyetohem Qeverisë por nëse përcjell aktivitetin tim si deputet del se i kam përkrahur të gjitha iniciativat, ligjet që i ka sjellë Qeveria në Kuvend, e në shumë prej tyre edhe kam dhënë kontributin tim direkt”, ka thënë Bulliqi.
Kujtojmë se Mustafa, sot, duke iu referuar kundërshtimit të çështjes së demarkacionit me Malin e Zi nga deputetë të opozitës, por edhe nga disa të pozitës, gjegjësisht të partisë së tij, u ka bërë thirrje të rinjve të LDK-së që t’i pyesin edhe deputetët nga radhët e kësaj partie, që janë anëtarë të degëve përkatëse, e të cilët, siç tha ai, “u janë bërë shërbëtorë kauzave të rrejshme se Kosova po humb territor, se pse ata po e shkelin besimin që e kanë marrë nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, raporton Koha.net.
“Unë i pyes disa deputetë kundërshtues se me çfarë të drejte ju mbajnë juve të izoluar, me çfarë të drejte ju detyrojnë të prisni deri në 6 muaj para dyerve të ambasadave të huaja për të marrë një vizë? Pse ju privojnë nga e drejta që të vizitoni prindërit dhe familjarët e juaj? Me çfarë të drejte ua rrezikojnë jetën qytetarëve tanë që kanë nevojë të shërohen jashtë vendit për sëmundje që nuk gjejnë shërim në Kosovë?”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Bulliqi ka thënë se është e kotë një akuzë e tillë ndaj tij nga kushdo që vjen.
“Unë nuk do t’i shtrembëroj e as fshehë kurrë argumentet faktografike për një çështje të caktuar vetëm për t’i bërë qefin ndokujt, sidomos kur ajo çështje ka të bëjë me tërësinë territoriale të Kosovës. Tashmë në Kosovë jemi mësuar që për çdo dështim apo kur diçka shkon mbrapshtë, të gjendet ‘fajtori kujdestar’”, ka thënë Bulliqi, për portalin Koha.net.
Madje Bulliqi ka thënë se nuk do të çuditej nëse të gjithë ata që ndër vite ishin pjesë e ekzekutivit, tash do tentojnë të kërkojnë fajtorin tek ai për të gjitha dështimet siç i ka numëruar vetë: rezultatet e PISA-s, sistemin shëndetësor, gjendjen ekonomike, verdiktet financiare të arbitrazheve që po e hanë Kosovën si kancer, sistemin e drejtësisë, korrupsionin, murin matanë Ibrit, mos krijimin e FAK-ut, etj.
“Më e mirë do të ishte që Qeveria të angazhohet në çështjet që i përmenda se sa të tentojë të heqë përgjegjësinë nga vetvetja. Qytetarëve të ju krijon kushte që këtu brenda të shërohen. Te rinjve te ju krijojë këtu vende pune dhe perspektivë për jetë, si kryeministër i vendit që është”, ka thënë Bulliqi.
Në fund, Bulliqi ka thënë se “sa i përket atij, nesër mund ta sjell Qeveria në Kuvend demarkacionin dhe të votohet, vetëm të arrijë t’i bindë qytetarët e Kosovës se çdo gjë është në rregull dhe ta marrë edhe përgjegjësinë para vetes”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img