14.8 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Buy now

spot_img

Plani i Thaçit për padi ndaj Serbisë për gjenocid shihet i pagjasë për sukses

Ekspertët sugjerojnë se plani i propozuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për ngritjen e një padie për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për mizoritë e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999 ka pak shanse ketë sukses.
Lajmërimi i Hashim Thaçit se Kosova do të padisë Serbinë për gjenocid dhe do të fitojë dëmshpërblime për veprimet e Beogradit në vitet 1998-1999, ka gjasa të mos ketë rezultate, thanë për BIRN analistët.
Që padia të jetë e suksesshme, Kosova fillimisht duhet të bëhet anëtare e OKB-së, por edhe të ketë mbështetje për çështjen e saj nga vendimet e mëparshme gjyqësore, që do të thotë se gjenocidi duhet të jetë vërtetuar më parë në gjykatë.
Megjithatë, anëtarët e paktë të forcave serbe që janë ndjekur penalisht deri më tani janë gjykuar për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë dhe jo për gjenocid.
Në një intervistë javën e kaluar për gazetën serbe Danas, Thaçi tha se vendi i tij ka disa vite që po përgatitet të paraqesë në padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke pretenduar se shqiptarët e Kosovës ishin viktima të gjenocidit të kryer nga Serbia si pasardhëse e Jugosllavisë, e cila gjatë luftës u udhëhoq nga presidenti Sllobodan Millosheviç.
Por ekspertët thonë se Kosova mund të përballet me shumë pengesa në rrugën e saj drejt sallës së gjyqit në GJND.
Jo anëtarësim në OKB
Pengesa e parë për çështjen e Thaçit është se që të ngrejë një padi në GJND është i nevojshëm anëtarësimi në OKB.
“Sugjerimi i presidentit Thaçi për një padi nga ana e Kosovës kundër Serbisë në GJND nuk është shumë realist për faktin se Kosova nuk është as anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe as pjesë e statutit të GJND,” tha Mitt Regan, një profesor drejtësie dhe bashkë-drejtor në Qendrën për Studimin e Profesionit Ligjor në Universitetin e Drejtësisë në Xhorxhtaun.
Që t’i bashkohet OKB-së, nëntë nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duhet të votojnë në favor të kësaj, pa ndonjë mospajtim nga pesë anëtarët e përhershëm. Por dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina, mbështesin pretendimin e Serbisë se ka sovranitet mbi Kosovën dhe kanë ndaluar shqyrtimin e peticionit të Prishtinës nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Nëse Kosova do ta kalonte këtë pengesë, asaj do t’i nevojiteshin dy të tretat e votave nga Asambleja e përgjithshme që të pranohej. Aktualisht, 109 nga 193 shtete anëtare të OKB-së e njohin pavarësinë e Kosovës, që është rreth 56 për qind.
Rrugët ligjore që Kosova të ngrejë padinë e saj janë të limituara, sepse GJND nuk ka juridiksion të detyrueshëm, që do të thotë se ajo mund ta dëgjojë një çështje nëse bien dakord si pala akuzuese ashtu edhe ajo e paditur.
Një përjashtim për këtë bëhet për anëtarët e Konventës mbi Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, CPPCG. Neni IX i statuteve të tij jep juridiksion të detyrueshëm për krimet e përcaktuara në konventën e gjenocidit. Kjo do të ishte baza ligjore që Kosova ta çonte çështjen e saj në GJND.
Kur Serbia nënshkroi konventën në vitin 2001, ajo shtoi një pikë tjetër që citon se ajo nuk e konsideron veten të detyruar nga neni IX dhe Beogradi duhet të bjerë dakord shprehimisht për juridiksionin e gjykatës në çdo çështje.
Por GJND me siguri do të zbulojë se Serbia është subjekt i juridiksionit të gjykatës si një nga shtetet pasardhëse të Republikës Federale të Jugosllavisë, e cila ishte e detyruar nga dispozitat e CPPCG-së.
Precedentë të mëparshëm në gjykatë ndërkombëtare
Padia e propozuar e Kosovës do të hasë gjithashtu pengesa të bazuara në precedentët e mëparshëm të gjykatës, duke qenë se gjenocidi është shumë i vështirë për t’u vërtetuar. GJND-ja e ka njohur gjenocidin vetëm një herë – në rastin e vrasjes së rreth 8,000 boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995.
“Mundësitë që GJND-ja të zbulojë se në njërën nga të dyja anët gjatë luftës në Kosovë është kryer gjenocid, janë pothuajse zero, duke marrë parasysh që asnjë nuk është paditur, jo më të jetë dënuar, për gjenocid në Kosovë nga ICTY-ja apo ndonjë gjykatë tjetër,” tha për BIRN Milica Kostiç, drejtoreshë juridike në Qendrën për të Drejtën Humanitare në Beograd.
Kur Sllobodan Millosheviç u padit për krime të kryera gjatë luftërave jugosllave nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ai u akuzua për gjenocid në Bosnjë, por jo në Kosovë.
Shumë ekspertë mendojnë se nëse komuniteti ndërkombëtar do të besonte se në Kosovë është kryer gjenocid, akuzat ndaj Millosheviçit për këtë do të ishin paraqitur në atë kohë.
Asnjë gjykatë në Serbi apo Kosovë nuk e ka kualifikuar ndonjëherë atë që ndodhi gjatë luftës së Kosovës si gjenocid.
Arsye politike
Para vështirësive me të cilat përballet padia e mundshme e Kosovës, arsyeja për kërcënimin e Thaçit mund të shihet si politike.
Sipas James Ker-Lindsay nga London School of Economics, padia “pjesërisht, mund të shihet si një përpjekje për të shuar zërat nacionalistë në Kosovë”.
“Ka pasur shumë ankesa për dialogun Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe shumë ndiejnë se qeveria “është treguar shumë e butë” dhe po i shet Serbisë interesat e Kosovës. Për shembull, për shoqatën e komunave serbe. Kjo mund të jetë një përpjekje për të treguar se kjo s’është e vërtetë,” tha Ker-Lindsay për BIRN.
Padia mund të jetë motivuar gjithashtu nga paditja e mundshme e figurave të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë nga Gjykata Speciale e Kosovës, e cila pritet të fillojë punë së shpejti dhe do të trajtojë abuzimet e të drejtave të njeriut të kryera midis vitit 1999 dhe 2000.
“Shumë njerëz në Kosovë nuk janë aspak të lumtur në këtë këndvështrim duke qenë se ata besojnë se ajo mund të vërë në dyshim drejtësinë e fushatës së tyre të armatosur për pavarësi. Kjo mund të jetë një përpjekje për të mbështetur justifikimin për konfliktin duke treguar se Serbia ka qenë e angazhuar në një fushatë sistematike dhune,” sugjeroi Ker-Lindsay.
Në një raport të publikuar nga Këshilli i Europës në vitin 2011, Thaçi përmendet si një lider politik i grupit paraushtarak që ishte përgjegjës për shkelje të ligjit të të drejtave të njeriut, përfshirë tortura dhe trafikim organesh.
Një padi sjellë me sukses para GJND-së padyshim që do të tendoste bisedimet e mbështetura nga Brukseli midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Beogradi nuk do ta marrë mirë një veprim të tillë. Megjithatë, nuk mendoj se do të bënte ndonjë dëm të pariparueshëm. Asnjëra palë nuk mund ta përballojë largimin nga dialogu,” tha Ker-Lindsay.
Pavarësisht përpjekjeve për të përmirësuar marrëdhëniet, nëse Kosova paraqet me sukses një padi në GJND, Serbia mund të vendosë të marrë hak me një kundër-padi.
Drejtori i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, Marko Djuriç, iu përgjigj kërcënimit të Thaçit duke deklaruar se “nëse ka ndonjë që ka kryer gjenocid në Kosovë, ajo është UÇK-ja dhe komandantët e saj”.
Kostiç sugjeroi se kjo retorikë lë të kuptohet se Serbia mund të hakmarret me një kundër-padi.
Shpërdorim parash
Rezultati i padisë së Kosovës me shumë gjasa do të jetë i ngjashëm me pretendimet konkurruese për gjenocid të paraqitura nga Serbia dhe Kroacia në GJND, të cilat u deshën vite të zgjidheshin, ishin tepër të kushtueshme dhe patën rezultate të pakënaqshme për të dy vendet.
Sipas ministrisë së drejtësisë së Kroacisë, vendi shpenzoi 3.7 milion euro në paditë e tij kundër Serbisë, ndërsa ministria e jashtme e Serbisë tha se Beogradi shpenzoi 800,000 euro në çështjen e tij të pasuksesshme.
Ker-Lindsay shprehet se padia nuk është mënyra më efikase që Kosova të trajtojë mizoritë e kaluara.
“Nevojitet padyshim një analizim i plotë i asaj që ndodhi dhe personat përgjegjës për krimet duhet të shpallen përgjegjës. Megjithatë, ndjekja e këtyre çështjeve në GJND, në vend që të ngrihen padi individuale kundër autorëve, nuk është vërtet mënyra më e mirë për ta trajtuar këtë çështje,” tha ai.
Kostiç gjithashtu beson se padia e Kosovës nuk do të ishte një mënyrë e mirë për të shpenzuar kohën dhe të ardhurat dhe do të vononte përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë.
“Serbia dhe Kosova duhet të flasin për të kaluarat e tyre të kohës së luftës dhe të përpiqen të zbulojnë fakte për konfliktin dhe krimet e kryera, në vend që të shpenzojnë energji për veprime të kota, të cilat mund të nxirin vetëm tensione të mëtejshme,” tha ajo./BIRN/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img