6.1 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Buy now

spot_img

Prokurorja në trajnim, dështon gjykimi për korrupsion ndaj ish-zyrtarëve të KRU “Prishtina” dhe pronarit të “KWE”

Prishtinë – Mungesa e prokurores Dulina Hamiti, e cila gjendet në trajtim, ka bërë që të dështojë seanca e së hënës, në rastin ku Selatin Retkoceri, Remzi Llumnica, Sabri Maliqi dhe Fidan Pacolli, po akuzohen për korrupsion.

Ish-ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në KRU “Prishtina”, Selatin Retkoceri së bashku me Remzi Llumnicën, ish-ushtrues i detyrës së Zyrtarit Kryesor Financiar (ZKF) në KRU “Prishtina”, Sabri Maliqin, menaxher për mbikëqyrjen e realizimit të kontratës dhe Fidan Pacollin, pronar i kompanisë “Kosova Water & Energy”, po akuzohen për korrupsion.

Lidhur me mungesën e prokurores Hamiti, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti, tha se e njëjta përmes e-mailit zyrtar e ka njoftuar se nuk mund të marrë pjesë në seancë, pasi që ishte e caktuar për një trajnim më 26 dhe 27 shtator, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, gjykatësi Shyti njoftoi se nuk ishte prezent as i akuzuari Fidan Pacolli.

Në këto rrethana, trupi gjykues mori aktvendim që seanca të shtyhet për 19 tetor 2022.

Sipas aktakuzës të ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 1 nëntor 2019, Selatin Retkoceri, Fidan Pacolli, Sabri Maliqi dhe Remzi Llumnica akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Retkoceri akuzohet se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal (KRU) “Prishtina”, bashkë me të pandehurin Remzi Llumnica, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së zyrtarit kryesor financiar në këtë kompani, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Sipas aktakuzës të njëjtit duke shfrytëzuar pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, me qëllim që kompanisë “Cahani” SHPK, t’i sjellin përfitim të kundërligjshëm pasuror.

Tutje, aktakuza thekson se i pandehuri Selatin Retkoceri kishte angazhuar jashtë procedurave të parapara me ligj kompaninë “Cahani” SHPK, për bartjen e 250 paneleve të betonit të dhuruara gratis nga UNMIK-u, në çmimin prej 9 mijë e 999 euro.

Ndërsa, Remzi Llumnica thuhet se kishte pranuar dhe proceduar për pagesë faturën në vlerë prej 9 mijë e 997 euro e 55 centë, e cila pastaj është kundërshtuar nga menaxheri i Departamentit të Kontabilitetit Thesar në KRU “Prishtina”.

Me këto veprime, prokuroria pretendon se të akuzuarit e lartcekur i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarës Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Sabri Maliqi, në pozitën e menaxherit për mbikëqyrjen e realizimit të kontratës në KRU “Prishtina”, ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij në atë mënyrë që gjatë implementimit të kontratës, të lidhur në mes të KRU “Prishtina” dhe operatorit ekonomik “Kosova Water & Energy”, prej 11 korrikut 2013 deri më 6 maj 2015 faturat në sasi të përgjithshme prej 1 mijë e 350 copë gjysmë lidhëse të plastikës në vend që të paguhen sipas kontratës 0.60 centë për copë, janë paguar me çmim të gjysmë lidhëse 3/4 të mesingut apo metalike me çmim 2.39 centë për copë, me ç‘rast i ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm operatorit ekonomik KWE rreth 2 mijë e 500 euro, ndërsa i ka shkaktuar dëm buxhetit të KRU “Prishtina”.

I pandehuri Fidan Pacolli, në cilësinë e agjentit të shitjes dhe menaxher i depos në kompaninë KWE, gjatë implementimit të kontratës së lidhur në mes të kësaj kompanie dhe KRU “Prishtina”, prej 11 korrikut 2013 deri më 6 maj 2015, i ka dorëzuar faturat për pagesë në këtë kompani, në awtë shumë, me ç’rast i është bërë pagesa nga KRU “Prishtina”, duke i sjellë kështu kompanisë KE, përfitim të kundërligjshëm në shumë prej 2 mijë e 500 euro, ndërsa i ka shkaktuar dëm buxhetit të KRU “Prishtina”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img