7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Buy now

spot_img

Qeveria miraton raportin e buxhetit janar-qershor 2016

Prishtinë, 22 korrik – Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e 101-të të rregullt, nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa, në të cilën ka miratuar projektligje dhe dokumente tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Raporti gjashtëmujor, janar-qershor 2016, për ekzekutimin e buxhetit, ka marr miratimin e Qeverisë së Kosovës. Gjashtëmujori i parë i vitit 2016 është karakterizuar me një ritëm të përshpejtuar të rritjes së aktivitetit ekonomik, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015, ku rol te veçantë kanë luajtur masat e ndërmarra në kuadër të reformave të të bërit biznes, rritja e besueshmërisë së investitorëve, si dhe përmirësimi i vazhdueshëm dhe gradual i ambientit të jashtëm ekonomik në përgjithësi.
Kryeministri Mustafa tha se fjala është për një ecuri mjaft të mirë të të hyrave buxhetore por edhe për një efikasitet më të lartë të ministrive dhe agjencive në shpenzimin e mjeteve buxhetore, veçmas në sferën e shpenzimeve kapitale.
“Ajo që ne jemi marrë vesh edhe me kryetarin e Kuvendit, kemi biseduar edhe me Presidentin, me zëvendëskryeministrin Shala dhe me ministrin e Financave, që duhet të punojmë tani dhe të gjejmë një zgjidhje lidhur me çështjen që e kemi të hapur me Fondin Monetar Ndërkombëtar sa i përket kategorisë së veteranëve të luftës, në mënyrë që me mirëkuptim me ta dhe në bashkëpunim me ta, të gjejmë zgjidhjen e cila nuk do të rrezikonte qëndrueshmërinë buxhetore dhe nuk do të na sfidonte në programin e FMN-së.\”
\”Dhe çështja e dytë është se ne do t’i rikthehemi edhe njëherë zotimit tonë që e kemi pas vitin e kaluar, për kursime më të mëdha të shpenzimeve nëpër ministri dhe nëpër agjenci, dhe sidomos për përdorim dhe shfrytëzim racional, etik dhe ligjor të automjeteve, të cilat ne po i shohim edhe tani nëpër portale, që mirë po bëjnë që po i japin, sepse është e pakuptimtë që mjetet publike të shpenzohen për nevoja private në Durrës ose në pushimore të ndryshme, dhe gjëra të tilla mendoj se duhet të luftohen shumë ashpër dhe duhet të ndërmerren masa dhe duhet të japin shembuj të masave të tilla.\”
\”Unë tash po e lidhi këtë me buxhetin sepse kemi të bëjmë me shpenzimin e parasë publike, jo që kjo e zhvlerëson këtë që është arrit në pikëpamje të të hyrave dhe të dalave buxhetore, por edhe një cent në qoftë se e shpenzon dikush në mënyrë joracionale dhe në mënyrë jo etike, ne duhet ta luftojmë atë dhe të marrim masa konkrete, sepse ato tabela që po i shohim në media janë të institucioneve tona, të ministrive, të zyrave dhe të agjencive qeveritare”, tha kryeministri Mustafa.
Me vendimin e miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme është emëruar paneli i posaçëm për identifikimin dhe rekomandimin e një hetuesi të përhershëm për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve hekurudhore.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave shoqërore, të evidentuara në emër të Shoqatës SH.A.M, në Lakërishte, Zona Kadastrale e Prishtinës, për nevojën e akomodimit të Institucionit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Republikës së Kosovës (TRUST).
Kabineti qeveritar ka ndarë mjete financiare edhe për Shoqatën Ndërkomunale të të Verbërve nga Peja, për mbështetje të botimit të legjislacionit në alfabetin e Braillit, për nevoja të komunitetit të të verbërve. Ndihmë financiare është ndarë edhe për Qendrën për Studime dhe Shërbime Psikologjike dhe Sociale për përkrahjen e projektit ATOMI, i cili merret me identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës.
Me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve që lidhen me kanonizimin dhe shpalljen e shenjtërisë së Nënës Terezë, Qeveria gjithashtu ka ndarë mjete financiare.
Kryeministri Mustafa tha se kanë pasur disa biseda me Ipeshkvinë e Kosovës dhe me Ipeshkvin, ku është prezantuar programi i cili do të mbahet në Vatikan me këtë rast, të cilin e ka vlerësuar tepër të rëndësishëm për Kosovën.
“Unë mendoj se ky do të jetë një kontribut i veçantë. Është fjala për një ngjarje tepër të rëndësishme, për një figurë shumë të rëndësishme dhe ky do të ishte një kontribut i yni në këtë aspekt”, tha kryeministri Mustafa.
Me aprovimin e Rregullores për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për Strukturën Organizative të Zyrës së Kryeministrit dhe shfuqizimin e vendimit Nr.09/87 të datës 13 maj 2016, do të funksionalizohet Zyra e Koordinatorit për Sfidat e Mijëvjeçarit. Kjo pozitë do të jetë profesionale dhe do të përzgjidhet sipas procedurave të Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img