8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Buy now

spot_img

Refuzojnë të deklarohen dy të akuzuarit për vrasjen e dy zyrtarëve policorë në Podujevë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së martës, të akuzuarit Bedri Krasniqi dhe Alban Dezdari, të cilët po akuzohen për vrasjen e dy zyrtarëve policorë në vitin 2004 në Podujevë, kanë refuzuar të deklarohen në fazën e dhënies së mbrojtjes së tyre.

“Unë në heshtje nuk jam tu u mbrojt, por refuzoj që të deklarohem meqenëse është tu m’u bo shumë padrejtësi e madhe”, ka thënë i akuzuari Dezdari.

Ai ka kërkuar që të ballafaqohet me Shkumbin Mehmetin, duke thënë se ai është i gatshëm që të përgjigjet në çdo pyetje në ditën kur të vijë Mehmeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Atëherë jam i gatshëm me dhanë deklaratë, unë jam tu nejt padrejtësisht që 6 vjet në burg, me manipulimin dhe thashetheme”, tha tutje Dezadari.

Po ashtu, edhe i akuzuari Bedri Krasniqi ka refuzuar që të deklarohet, me arsyetimin se i ka humbur besimi.

“Për shkak të pranimit të deklaratës së Shkumbin Mehmetit dhe për shkak se neve s’po na u mundësohet me u ballafaqu me të. Unë kam pas ndërmend me u deklaru, me tregu versionin tem, por më vjen keq refuzoj m’u mbrojt, sinqerisht po them m’ka humb besimi”, ka thënë i akuzuari Krasniqi.

I njëjti, paraprakisht tha se në çdo aspekt ka qenë i dëmtuar.

“Sa herë vi në gjyq, kamt e mia të gjakosura… edhe më shumë seanca s’janë mbajt se sa që janë mbajt”, shtoi i akuzuari Krasniqi.

Ndërkaq paraprakisht, në këtë seancë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti, ka thënë se më 18 prill 2023 kanë pranuar nga Prokuroria Speciale një propozim për provat të cilat duhet të shqyrtohen, për të cilat mbrojtja ka dhënë vërejtjet e tyre.

Mbrojtësja e të akuzuarit Dezdari, avokatja Drita Sopi, ka thënë se ata kanë vërejtje në mënyrë gjenerale, por në veçanti për deklarimin e dëshmitarit Shkumbin Mehmeti.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Florent Latifaj, ka thënë se ai i ka dërguar me shkrim vërejtjet për provat kryesore dhe bazën juridike, duke shtuar se çkado që është dorëzuar nga i bashkëpandehuri në çfarëdo faze të procedurës, nuk mund të administrohet si provë në këtë procedurë.

Pas kësaj, trupi gjykues është tërhequr për këshillim për 45 minuta, duke marrë aktvendim për refuzimin e propozimit të Prokurorisë për leximin e deklaratës së Bastri Mulliqit të 24 majit 2004, me arsyetimin se i njëjti ka dhënë dëshmi para gjykatës në këtë shqyrtim gjyqësor dhe prokuroria ka pasur mundësinë e ballafaqimit të deklaratës së dhënë në një procedurë tjetër.

Po ashtu, trupi gjykues ka refuzuar edhe propozimin për leximin e deklaratës së Muharrem Manit, të 18 majit 2004, me të njëjtin arsyetim si në arsyetimin për dëshmitarin e parë.

Ndërkaq, ka aprovuar propozimin e prokurores Habibe Salihi, për leximin e deklaratës së Ramë Zenelit, të dhënë në procesverbalin e 25 majit 2004, duke bazuar këtë vendim në dispozitën e nenit 335, paragrafi 4.

Po ashtu, trupi gjykues ka aprovuar edhe kërkesën e Prokurorisë që të lexohen deklaratat e Shkumbin Mehmetit sipas precizimit të bërë me shkrim të 18 prillit 2023, si dhe deklarata e Shkumbin Mehmetit e dhënë në shqyrtimin gjyqësor pranë gjykatës.

Kurse, sa i përket deklaratave të lexuara, sipas gjykatësit Hoti, të njëjtat do të elaborohen në aktgjykim, bazuar në dispozitat e ligjit.

Më pas, avokati Latifaj lidhur me vendimin për administrimin e provave, ka propozuar që të merret aktvendim me shkrim, në mënyrë që të kenë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, pasi që sipas tij kjo është çështje vendimtare e krejt procesit.

Lidhur me këtë, prokurorja speciale Salihi, tha se Kodi i Procedurës Penale parasheh që për kundërveprimet procedurale të paraqitet ankesë kundër vendimit përfundimtarë, ndërsa trupi gjykues ka refuzuar propozimin e avokatit Latifaj.

“Sa i përket arsyeve për leximin e deklaratave, trupi gjykues arsyeton se dëshmitari Ramë Zeneli sipas nenit 335, paragrafi 4 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, është paraparë se mund të lexohen deklaratat e marra në procedura tjera”, tha gjykatësi Hoti.

Po ashtu, i njëjti tha se në kohën kur është marrë në pyetje ky dëshmitar, nuk kanë qenë të dyshuar të akuzuarit dhe këtë provë gjykata nuk do ta marrë si provë të vetme apo vendimtare në rastin e marrjes së vendimit.

Kurse, sa i përket deklaratave të dëshmitarit Shkumbin Mehmetit, trupi gjykues ka vlerësuar se deklaratat e tij janë konform ligjit.

Pas kësaj, trupi gjykues ka aprovuar propozimin e avokatit Latifaj që për seancën e radhës të dëgjohet edhe një herë Shkumbin Mehmeti, për ta qartësuar letrën e tij që kishte dërguar në gjykatë.

“Trupi gjykues këtë shkresë e vlerësoi si një rrethanë të rëndësishme për riftesën e dëshmitarit Shkumbin, për të dëshmuar pranë gjykatës sepse shkresa e datës 7 shkurt 2023 me deklarimin e tij në seancë gjyqësore kanë disa aspekte me të cilat dallojnë. Andaj, për ndriçimin e plotë të kësaj çështje është e nevojshme që i njëjti të ftohet edhe një herë”, tha në fund gjykatësi Hoti.

Seancat e radhës lidhur me këtë çështje penale janë caktuar më 15 maj dhe 15 qershor 2023.

Ndërsa, në seancën e kaluar mbrojtja kishte kërkuar kohë për komente lidhur me precizimin e provave të listuara nga PSRK-ja.

Ndryshe, të akuzuar në këtë rast për vrasjen e zyrtarëve policorë kishin qenë edhe Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017, kishte nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre, pasi sipas kësaj gjykate, dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë rreth kësaj ngjarjeje dhe se ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, fajtor për sulmin që ishte konsideruar si terrorist e kishte shpallur vetëm Shkumbin Mehmetin, të cilin e kishte dënuar me 30 vite burgim, ndërsa i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.

Prokuroria e EULEX-it, më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, për shkak të kryerjes së veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje në tentativë”.

Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit më 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër pasagjerëve të saj, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendi ligjor.

Lëndime nga plumbat e shkrepur kishin pësuar zyrtari i Policisë së Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit qëllimisht kishin rrezikuar jetën e më shumë personave, të cilët ishin në automjete që vinin prapa veturës së UNMIK-ut, duke vepruar për motive nacionaliste dhe qëllimisht kishin kryer këto dy vrasje.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img