14.8 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Buy now

spot_img

Rregullore për Mbrojtje nga Diskriminimi në Qeveri dhe në Komuna

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka miratuar projekt rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të fondit të sigurimeve shëndetësore, projekt udhëzimin administrativ, për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme, si dhe propozim-vendimin për emërimin e bordit drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës (AVUK).

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se projekt rregullorja për organizmin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të fondit për sigurime shëndetësore, përcakton strukturën organizative të fondit të sigurimeve shëndetësore, me qëllim të zhvillimit dhe sigurimit shëndetësor efikas.

“Organizimi i brendshëm, ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe rekrutimi i stafit profesional, në Fondin e sigurimeve shëndetësore është i domosdoshëm. Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore planifikohet për funksionimin e qëndrueshëm të fondit për sigurime shëndetësore, përfshirë administrimin e personelit, trajnimin, zhvillimin e stafit dhe vetë fondit. Po ashtu, organizimi i brendshëm i fondit do të mundësojë grumbullimin në mënyrë efektive të të gjitha mjeteve financiare, për shërbimet e kontraktuara nga institucionet shëndetësore. Si dhe do të zbatojë pagesën e shërbimeve shëndetësore sipas shërbimeve kontraktuale të fondit të shërbimeve shëndetësore. Projekt rregullorja për organizmin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të fondit për sigurime shëndetësore, përcakton organizimin e brendshëm, respektivisht strukturën organizative të fondit të sigurimeve shëndetësore, me qëllim të zhvillimit d he sigurimit shëndetësor efikas dhe efektiv”, tha ai.

Qeveria miratoi edhe projekt udhëzimin administrativ, për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme, të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi tha se kjo po bëhet me qëllim të stimulimit të regjistrimit të pronave dhe në emër të gruas.

Ndërkaq ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha tha se ministria që ajo drejton përkrah nismat e tilla, që për qëllim kanë promovimin e të drejtave në trashëgimi.

“Si ministri e Drejtësisë e përshëndesim këtë projekt, pikë së pari, sepse shumë veprime të cilat i ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë kanë qenë si synim promovimi i të drejtave trashëgimore të grave, sidomos dhe ky projekt udhëzim do t’i mundësojë që gratë edhe sipas ligjit pra e kanë të drejtën e barabartë për të trashëguar, por dhe për të regjistruar pronën e përbashkët në emër të të dy bashkëshortëve. Pra kjo do të sqarojë apo do të adresojë shumë sfida që kemi pasur në implementimin e ligjit, sepse sidomos te noterët apo në përgjithësi kemi pasur probleme, ku pronat nuk janë regjistruar, apo ku pronat nuk janë ndarë në mënyrë të barabartë siç dhe e garanton ligji”, tha Hoxha.

Qeveria ka miratuar edhe kërkesën për dhënien e autorizimit ministres së Integrimit Evropian nga presidenti i Kosovës, në lidhje me Marrëveshjen Financiare për IPA 2016, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit evropian.

Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj tha se kjo marrëveshje është duke u finalizuar dhe së shpejti pritet nënshkrimi i saj.

Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi edhe propozim vendimin për autorizimin e komisionit rregullativ të prokurimit publik për vendosjen e nivelit të përdorimit të platformës elektronike nga ana e autoriteteve kontraktuese.

Po ashtu, u aprovua dhe propozim-vendimi për emërimin e bordit drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Anëtarë të bordit janë emëruar Shqipe Dema dhe Isuf Sakiqi nga Ministria e Bujqësisë, Parim Bajrami nga Oda Ekonomike e Kosovës, Tahire Maloku dhe Selvete Krasniqi nga Ministria e Shëndetësisë, Selatin Kaqaniku nga Shoqata Konsumatori dhe Valdet Gjinovci nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Të emëruarit në këtë bord kanë mandat trevjeçar.

Qeveria, po ashtu, miratoi propozim vendimin për emërimin e Drin Haraqisë në mandat trevjeçar, si drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së punësimit në kuadër të MPMS-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img