13.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Buy now

spot_img

Shteti pa koment për kamerat kineze të vendosura në Prishtinë që identifikojnë fytyrat e qytetarëve

Shteti i Kosovës nuk ka dhënë asnjë koment për kamerat kineze të vendosura në Prishtinë, aparate këto, të cilat janë ndaluar tashmë në teknologjinë e Shtetve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeqyteti i Kosovës nisi të dukej më bukur në prill të 2020-ës, kur në disa pjesë të tij u vendosën pritoret e reja të autobusëve.

Në to ishin përfshirë edhe monitorët e parë digjitalë ku do të shfaqeshin oraret e lëvizjeve të autobusëve.

“Tash ma rrallë na ndodhë me na “ikë autobusi”! Në pritoret e reja po i vendosim edhe ekranet digjitale me orarin e saktë të qarkullimit të autobusëve të Trafikut Urban”, shkruante Shpend Ahmeti në profilin e tij në Facebook, në gusht të 2020-ës, kur pritorja tjetër u vendos afër Katedrales, transmeton Gazeta Insajderi.

Para se të shfaqeshin oraret e autobusëve, ashtu siç kishte deklaruar Ahmeti, në këta monitorë shfaqej vetë brendi i kompanisë që i kishte prodhuar të njëjtit.

MIPS është ndërmarrja kineze e monitorëve, disa prej të cilëve ishin vendosur në Prishtinë, e brenda të të njëjtëve kishte të instaluara edhe kamera.

Në faqen ku jepen specifikat për monitorët e prodhuar nga MIPS, hetohet fakti se kamerat brenda tyre e kanë aftësinë të zbulojnë dhe të njohin fytyrat e qytetarëve.

Për këtë çështje Gazeta Insajderi i ka shkruar Shpend Ahmetit, ish-kryetarit të Prishtinës, në qeverisjen e të cilit ishte bërë ky projekt, por i njëjti nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Përgjigje nuk ka kthyer as Zyra e Kryeministrit, kur është pyetur se çfarë hapa do të ndërmarrë për kamerat që zbulojnë fytyrat e prishtinasve, dhe jo vetëm.

Në anën tjetër, njohësi i sigurisë kibernetike, Dion Mulaj, është shprehur i shqetësuar për privatësinë e qytetarëve.

“Teknologjia kineze është jashtëzakonisht e rrezikshme, jo vetëm në baza individuale, por edhe në ato nacionale dhe teknologjitë e tilla duhet të ndalohen për implementim në Republikën e Kosovës”, ka thënë Mulaj për The Geopost.

“Më shqetësuese është fakti se deri tani nuk kam parë apo nuk e di se Komuna e Prishtinës ka publikuar ndonjë dokument që e qartëson origjinën dhe sistemin e kësaj pajisjeje për reklamim”, thotë tutje Mulaj, transmeton Gazeta Insajderi.

Kompanitë kineze në vitet e fundit raportohet të kenë shtuar investimet në fushën e teknologjisë për të rritur fuqinë ekonomike e rrjedhimisht edhe ndikimin. Plani kinez që deri në vitin 2025 të dominojë tregun në fushën e teknologjisë shihet shqetësues në dokumente të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Washingtoni ka përmendur programin e 2025-së si shkak për marrjen e masave të sigurisë kombëtare me të cilat ndalohet që Kina të ketë qasje në teknologjinë amerikane.

“Në dokumentet e politikave të tilla si Made in China 2025, Kina ka artikuluar listën e synuar të sektorëve të teknologjisë që kërkon të dominojë. Pjesa më e madhe e sjelljes së investimeve të fundit kineze duket në përputhje me këtë listë të synuar”, thuhet në një dokument Zyrës së Politikës së Tregtisë dhe Prodhimit të Shtëpisë së Bardhë, që mban datën e qershorit të vitit 2018.

Agjencitë e informacionit dhe privatësisë theksojnë se video-survejimi, i cili identifikon individët, nuk lejohet të instalohet në asnjë institucion apo vend.

“Duhet të bëhet sqarimi se si këto pajisje ruajnë imazhet e reklamave dhe a ruajnë imazhe apo incizime nga kamera – pra a ruhen ato lokalisht në pajisje apo në ndonjë cloud shërbim”, ka thënë tutje Mulaj, shkruan Gazeta Insajderi.

Sipas tij, teknologjia kineze është jashtëzakonisht e rrezikshme jo vetëm në baza individuale, por edhe në ato nacionale.

“Duke pasë parasysh se Republika e Kosovës ka orientim pro-perëndimor, shtetet si Kina mundohen që të rrisin ndikimin dhe influencën për informatë përmes teknikave të ndryshme. Pra, meqenëse e gjithë lufta moderne është lufta e informacionit, sipas mendimit tim, teknologjitë e tilla duhet të ndalohen për implementim në Republikën tonë”, thekson Mulaj.

Viteve të fundit, Kina vlerësohet të ketë rritur aftësinë për të spiunuar.

Autoritetet kineze nëpërmjet kamerave për njohjen e fytyrës mbledhin informacione të ndjeshme jo vetëm në Kinë, por edhe në shtetet tjera ku kanë qasje në sistemet moderne teknologjike. Të dhënat e grumbulluara nga kamerat më pas kombinohen me të dhënat tjera duke nxjerrë kështu informacionet e dëshiruara.

Shërbimi ballkanik i Radios Evropa e Lirë, ditë më parë raportoi se edhe Kosova rrezikohet nga teknologjia kineze e survejimit, e cila po instalohet me financim nga Beogradi në disa rajone jashtë kontrollit të qeverisë së Kosovës.

Sipas REL-it, një autoritet i përkohshëm me shumicë serbe në Kosovën juglindore ka nënshkruar një marrëveshje muajin e kaluar për blerjen e kamerave të vogla të vëzhgimit, të regjistruesve digjitalë dhe të pajisjeve tjera në vlerë prej dhjetëra mijëra eurosh nga kompania Zhejiang Dahua Technologies. Kjo kompani gjendet në listën e zezë të SHBA-së për shkak të monitorimeve jolegale.

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden, vendosi së fundmi kufizime tregtare edhe për më shumë se 30 institute kërkimore dhe entitete kineze. Shkak ishte shkelja e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e supozuar të teknologjive, të tilla si armët e kontrollit të mendjes, që minojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Në njoftimin e Regjistrit Federal, Departamenti i Tregtisë akuzoi Akademinë e Shkencave Mjekësore Ushtarake të Kinës dhe 11 institutet e saj kërkimore për shfrytëzimin e bioteknologjisë për “arritjen e qëllimeve ushtarake kineze nëpërmjet përdorimit të armëve të supozuara për kontroll të trurit”./Gazeta Insajderi/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img