12 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Buy now

spot_img

Sot është “Dita D” për Dritan Abazoviqin

Kuvendi i Malit të Zi sot do të vendosë për propozimin për shkarkimin e zëvendëskryeministrit dhe liderit të Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq.

Sipas mediave në gjuhën serbe, përcjell Telegrafi, seanca në të cilën do të përcaktohet fati i zëvendëskryeministrit fillon në orën 11, dhe deri në orën 16 publiku duhet të marrë përgjigje për çështjen në fjalë.

Siç bëhet e ditur më tej, propozimin për shkarkimin e Dritan Abazoviqit e ka dorëzuar kryeministri Zdravko Krivokapiq. Ai propozoi për pasardhës ministrin aktual të Financave dhe Mirëqenies Sociale, Milojko Spajiq.

Vendimi tashmë është në dorë të deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi, por është e diskutueshme nëse do të ketë kuorum për mbajtjen e seancës, të kryesuar nga Aleksa Beçiq nga radhët e demokratëve.

Fronti Demokratik (DF) njoftoi më herët se do të votojë për largimin e Abazovicit dhe kjo është e vetmja parti që ka konfirmuar praninë e saj në seancë.

Edhe pse demokratët e Aleksa Beçiqit kanë bërë “luftë” prej disa muajsh me deklarata, nuk përjashtohet që të pranojnë të jenë pjesë e qeverisë së pakicës, nëse ajo formohet realisht.

Qëndrimi i demokratëve është se nuk do të marrin vendime me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), ndaj konkluzioni është se nëse seanca mbahet, demokratët nuk do të votojnë për shkarkimin e zëvendëskryeministrit.

Ndërsa kur bëhet fjalë për vetë DPS-në, kjo parti thotë se vendimet do t’i marrë menjëherë para seancës, varësisht nga zhvillimi i situatës politike.

Partitë e pakicës, me të cilat URA e Abazoviqit nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi, nuk do të votojnë për largimin e një njeriu që planifikon të formojë një qeveri, faktori kryesor i së cilës do të jenë partitë e pakicës.

Partia Popullore Socialiste (SNP) e Vladimir Jokoviqit nuk do ta mbështesë propozimin për shkarkimin e Krivokapiqit, sepse siç theksuan ata, me siguri që ditën e nesërme do të rrëzohet qeveria.

Vetë URA ende nuk e ka konfirmuar praninë e saj në seancë. Supozohet se shkak për këtë mosinteresim është fakti se vetëm një ditë më vonë do të mbahet seanca në të cilën deputetët do t’i votojnë një mocion mosbesimi të Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit.

Kujtojmë se Abazoviq ka mbajtur një konferencë për media më 17 janar, në të cilën ka shpallur planin për formimin e qeverisë së pakicës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img