8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Buy now

spot_img

Suedia kryeson BE-në nga janari, flasin për aplikimin e Kosovës në BE

Kosova e mori me nxitim aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian me qëllimin që të arrijë të dorëzojë dosjen derisa Çekia është në krye të Presidencës së BE-së. Megjithatë, me aplikimin e Kosovës do t’i dalë punë Suedisë, e cila e pason Çekinë me fillimin e vitit 2023.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pati shpjeguar se arsyeja që po aplikojnë në fundin e vitit 2022 është Presidenca çeke meqë Praga i ka dhënë shumë mbështetje Kosovës dhe rajonit, si dhe për shkak të punës së saj për liberalizimin e vizave. Suedia u pa si më pak e interesuar për politikat e zgjerimit të BE-së.

Por, në një përgjigje për Gazetën Express, Suedia garanton që do të vazhdojë punët e paraardhëses.

“Jemi informuar që Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE në Presidencën çeke të Këshillit. Si Presidencë e ardhshme, Suedia është e gatshme që të vazhdojë çështjet në agjendën e BE-së. Jemi në kontakt të ngushtë me Presidencën çeke”, tha Ministria e Jashtme suedeze për Express.

Përveç çështjes së aplikimit, Presidencës së Suedisë do t’i duhet të merret me Kosovën edhe për çështjen e liberalizimit të vizave meqë kanë mbetur edhe disa hapa për t’u bërë deri në finalizimin e procesit.

Më 14 dhjetor, përmes një ceremonie, tre krerët e vendit, Presidentja Osmani, Kryeparlamentari Konjufca dhe Kryeministri Kurti nënshkruan dosjen për anëtarësim të Kosovës në Union. Të tre ata e cilësuan historik 14 dhjetorin si ditë që po zyrtarizon ambicien e Kosovës për t’u bërë pjesë e BE-së.

Një ditë më pas, Kurti udhëtoi drejt Pragës për t’ia dorëzuar Presidencës çeke të BE’së dokumentin, derisa në opinion s’u prit me shumë entuziazëm për shkak të pesë shteteve që refuzojnë të njohin shtetësinë e Kosovës. Për këtë, Kosova është rast i veçantë meqë për fillimin e këtij procesi kërkohet unanimiteti i 27 vendeve anëtare.

“Në zemër të Europës, në qytetin e bukur të Pragës, sot zyrtarisht dorëzuam në Presidencën Çeke të BE-së aplikimin tonë për anëtarësim në Bashkimin Europian”, shkroi Kurti pas dorëzimit të aplikimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme çeke.

Ndërkaq, Osmani kishte thënë se janë duke punuar me pesë shtetet mosnjohëse për të fituar mbështetjen e tyre në këtë synim të ri të Kosovës. Ajo tha se me këto vende janë duke përdorur një strategji “hap pas hapi” dhe se ka përparim.

“Pra, ne do të vazhdojmë me këtë qasje edhe me mosnjohësit e tjerë, disa prej të cilëve kishin një qasje më të ngurtë ndaj Kosovës, por mendoj se po arrijmë atje, vetëm duhet të jemi të durueshëm…”, pati thënë Osmani për Euroactiv.

Në anën tjetër, krerë të Bashkimit Europian dhanë zotime të mëdha gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili për herë të parë u mbajt në rajon (Tiranë), se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e kompletojnë Unionin./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img