13.8 C
Pristina
Wednesday, April 17, 2024

Buy now

spot_img

Udhëkryqi i Ohrit

Në politikë, këtu mund të shtohet lirisht, edhe në jetën e zakonshme, nuk ka zgjedhje të sigurta, të cilat garantojnë një sukses të qind për qindtë.

Kjo e vërtetë e njohur për të gjithë, është një argument që lehtë dhe natyrshëm të vjen ndërmend, fare pranë Takimit të radhës në mes të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, i cili do të mbahet këtë të shtunë  (18 mars), në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Janë të shumta dilemat se çka do të ndodhë me raportin Kosovë – Serbi, i cili  (raport) është çështja kryesore për arritjen e stabilitetit afatgjatë të Ballkanit Perëndimor, nëse së shpejti Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiq do ta nënshkruajnë Marrëveshjen për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Por, secili prej nesh duhet ta dijë, që nuk ka kurrfarë dilema se çka do të bëhet me këto raporte, nëse tutje do të vazhdohet me këtë Status Quo-në e krijuar tash e disa vjet, e cila ka tendenca reale të përkeqësimit, veçmas kur bëhet fjalë për Veriun e Kosovës.

Tash e një vit thuhet me të drejtë, në Washington e Bruksel, në Berlin e Paris, që Status Quo në relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë, është interes vetëm i Rusisë, dhe i askujt tjetër.

Rruga pra në të cilën Kosova do të mund të hyjë në një të ardhme fare të afërm, nëse dakordohet me Marrëveshjen Themelore/ dhe me Aneksin e tij, nuk është pa rreziqe, pa sprova, pa probleme, pa mundësi prapakthimi. Por aktualisht, ne gjendemi në një rrugë qorre, e cila si e tillë është rreziku më i madh i mundshëm për Kosovën, e cila kur bëhet fjalë për sigurimin e qëndrueshmërisë ndërkombëtare afatgjatë, është në vendnumërim, për shkaqet e njohura për të gjithë ne, tash e gati dhjetë vjet.

Në këtë kontekst, Marrëveshja Themelore, e cila gjithsesi ka në vete atë karakterin kalimtar, para se të gjithash, duhet të vlerësohet prej nesh si një Marrëveshje e domosdoshme.

Domosdoshmëria e saj duket që është cilësori suprem i saj, i cili mënjanon të gjitha të mirat dhe telashet që mund të dalin prej përmbajtjes së secilit Nen veç e veç të kësaj Marrëveshjeje.

Pra, del që Marrëveshja nuk ka alternativë.

Ky është ai mendimi i parë, më kryesori, më vendimtari, të cilin duhet ta kemi secili prej nesh, veçmas ata që merren me politikë në Kosovë.

Mund të bisedohet gjerë e gjatë se si mbërritëm këtu ku jemi, apo, a kemi mundur më herët ta mbyllim temën e dialogun me Serbinë, e cila, nuk do ta ketë epilogun me këtë Marrëveshje eventuale.

Kjo është zatën e meta e saj më e madhe. Sikurse që ne, me të drejtë theksojmë që realisht, normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk do të mbërrihet pa një njohje formale reciproke.

Në anën tjetër, përvoja e bisedimeve të mëparshme në Bruksel në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, nuk ofron farë shprese të madhe që zbatimi i Marrëveshjes Themelore  (edhe nëse do të arrihet së shpejti), mund të ecë lehtë dhe pa pengesa të mëdha, të cilat zatën sollën deri te kolapsi i Procesit të Brukselit në vitet 2018, 2019.

Nëse Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë, nuk do të ketë vullnet autentik për t’i jetësuar të gjitha elementet e Marrëveshjes Themelore, nuk ka kurrfarë dyshimi që do të gjejë mundësi për të zvarritur dhe penguar përmbushjen e kësaj Marrëveshjeje.

Më në fund, do të ishte pamaturi politike dhe diplomatike të pritet që edhe në skenarin më të mirë të mundshëm, kur bëhet fjalë për këtë Marrëveshje  (dhe Aneksin e saj), poqëse do të dakordohet në Ohër, apo edhe në ditët në vijim, gjithçka do të ecën mirë në këtë mësymjen ndërkombëtare të Kosovës, gjithsesi të arsyeshme dhe të kuptueshme, për të marrë njohjen e pesë shteteve të BE-së, dhe për të siguruar rrugën për anëtarësimin në Aleancën Veri-Atlantike dhe në Bashkimin Evropian.

Të gjitha këto janë pengesa dhe rreziqe që mund dhe duhet të merren parasysh.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img