19.7 C
Pristina
Monday, August 2, 2021

Buy now

spot_img

Uzurpatori më i madh i pronave publike – shteti

Edhe 103 prona publike e shoqërore vazhdojnë të jenë të uzurpuara.
85 prej tyre, sipas Agjencisë së Privatizimit, po shfrytëzohen pa qira nga institucionet vendore, 8 nga ndërmarrjet publike, 4 nga institucionet ndërkombëtare, si dhe 6 të tjera janë raste sociale, raporton KTV.
“Deri në muajin e shkuar janë të evidentuara rreth 78 uzurpime të pronave shoqërore. AKP-ja ka bërë të ditur se në mënyrë progresive e bën identifikimin e pronave të aseteve shoqërore dhe të uzurpimeve”.
Por, problemin kryesor AKP-ja duket ta ketë në identifikimin e pronave bujqësore të uzurpuara.
“AKP vazhdon me lirimin e pronave nga shfrytëzuesit e paligjshëm në gjithë territorin e Republikës së Kosovës pa dallim dhe siguron se të gjitha asetet e ndërmarrjeve shoqërore të cilat janë nën juridiksionin e AKP-së do të lirohen nga përdorimet e jashtëligjshme apo uzurpimet, në përputhje me mandatin ligjor të dhënë me Ligjin e AKP-së. Procesi i identifikimit të uzurpatorëve dhe shfrytëzuesve të jashtëligjshëm vazhdon ashtu siç vazhdon edhe ushtrimi i padive ndaj uzurpimeve për lirimin e pronës, si dhe kompensimin e dëmit duke ushtruar padi pranë gjykatave kompetente”.
Prokuroria e shtetit ka bërë të ditur se në më shumë se 60 raste në regjionin e Prishtinës janë ndërmarrë veprimet hetimore, kurse akuzat priten të ngriten pas përfundimit të hetimeve.
“Vetëm në regjionin e Prishtinës 136 raste i ka pranuar prokuroria nga AKP-ja për pronat e shitura, e që për shkak të uzurpimit nuk ka mundur t’i shfrytëzojë pronari i ligjshëm, ato po trajtohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Deri tani, në më shumë se 60 raste janë ndërmarrë veprimet hetimore, të cilat janë duke vazhduar për secilin rast. Janë liruar 50 objekte të uzurpuara dhe të tjerat janë në proces e sipër. Të arrestuar nuk ka pasur, kurse akuzat priten të ngrihen pas përfundimit të hetimeve”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë së Shtetit.
Kjo prokurori, po ashtu ka bërë të ditur se në Ferizaj ka pasur pesë raste të uzurpimit, por me një urdhër nga Gjykata Themelore në Ferizaj të gjitha pronat janë liruar.
Në regjionin e Pejës dhe atë të Gjakovës, prokuroria ka njoftuar se nuk ka asnjë rast që është duke u hetuar lidhur me privatizimet e ndërmarrjeve shoqërore.
Prokuroria e Shtetit ka theksuar se hetime po zhvillohen edhe për disa prona publike tjera, siç janë Pojata në Landovicë, i njohur në opinion si “Cobra City”, tregjet në Prizren si dhe objekti i ish-“Ben-Af”-it, i cili kohë më parë është djegur.
Ndryshe në fundin e 2014-ës ishin rreth 600 raste të shfrytëzimit të pronave të ndërmarrjeve shoqërore pa autorizim apo pa leje nga AKP-ja.
Por, pas marrjes së vendimit për lirimin e pronave dhe për mosshitjen e tyre pa u liruar nga uzurpatori, në gjithsej 76 raste uzurpatorët i kanë liruar vetë asetet.
Ndërsa, me ndihmën e Policisë, Agjencia ka liruar 154 prona që kanë qenë të uzurpuara.
Kurse në përputhje me Udhëzuesin për lirimin e aseteve te Ndërmarrjeve Shoqërore nga uzurpatorët apo shfrytëzuesit e paligjshëm janë 203 kontrata të nënshkruara me shfrytëzuesit e mëparshëm të cilët u janë përgjigjur kërkesave kontraktuale të AKP-së.
” Janë nënshkruar 203 kontrata të qirasë me shfrytëzuesit e mëparshëm të pronave shoqërore, të cilët u janë përgjigjur pozitivisht kërkesave kontraktuale të AKP-së, dhe pritet të nënshkruhen edhe 104 kontrata të tjera me shfrytëzuesit që kanë shprehur interesim që të hyjnë në marrëveshje kontraktuale. Në total deri më tani janë gjithsej 687 kontrata të qirasë që Agjencia i ka nënshkruar me qiramarrës për prona të ndryshme shoqërore të ndërmarrjeve shoqërore dhe ky proces i lëshimit me qira të pronave shoqërore do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet në përgjigjet e kësaj agjencie.
Në mesin e disa pronave që mbesin të uzurpuara, shfrytëzohen nga partitë politike, Ministritë, institucionet ndërkombëtare dhe emra të mëdhenj të biznesit të lidhur me politikën.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
2,880FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Marketing -spot_img

Latest Articles