12.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Buy now

spot_img

Zgjedhjet lokale e parlamentare në vjeshtë – sikur më 2007

Skenari i vitit 2007 kur ishte shkuar në zgjedhje lokale e nacionale në të njëjtën ditë mund të përsëritet edhe sivjet. Në vjeshtë qytetarët e Kosovës mund të votojnë për Kryetar të Komunave, Asamblistë dhe për deputetë të Parlamentit. Ky skenar s’mohohet prej zyrtarëve të PDK’së, por thonë se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt. Në LDK thonë se zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen vitin e ardhshëm.

Në vjeshtë të këtij viti është paraparë që të mbahen zgjedhjet lokale dhe pakënaqësitë për mosfunksionimit të ekzekutivit dhe legjislativit, rrisin mundësitë që këtë vit të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme.

Idenë për mbajtjen sa më të shpejt të zgjedhjeve të përgjithshme e kanë shtyrë përpara Vetëvendosje, AAK e NISMA.

Mirëpo, këtë kërkesë ka edhe deputeti i PDK’së, Shukri Buja. Ai tash e sa kohë po kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje, pasi thotë se koalicioni nuk është duke funksionuar.

Deputeti Buja thotë për Gazetën Express se zgjedhjet nacionale duhet të mbahen në pranverë, më së largu në qershor të këtij viti.

“Realisht, PDK’ja si strukturë nuk ka marrë asnjë vendim për zgjedhjet parlamentare. Unë jam insistues që Këshilli Drejtues të marrë vendim për zgjedhje lokale dhe parlamentare që të mbahen sa më herët që është e mundur, mundësisht të mbahen në pranverë”, thotë Buja.

Ai thotë se bindja brenda partisë më të madhe në vend është që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt, por tregon se qëndrime të tilla, nuk po bëhen publike.

“Në fakt në PDK, edhe pse nuk po dalin publikisht me prononcime në favor të mbajtjes së zgjedhjeve, në PDK dominon bindja se është më mirë të mbahen zgjedhjet lokale dhe nacionale më së largu në qershor të këtij viti sepse po shihet se kjo qeveri dhe ky koalicion po ka probleme”, thotë tutje deputeti i PDK’së, Shukri Buja.

Por, ndryshe nga deputeti Buja mendon nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova. Ai për Gazetën Express tha se partia e tij dëshiron që qeveria ta përfundojë mandatin dhe zgjedhjet të mbahen më 2018.

Rugova tha se LDK dhe PDK nuk kanë diskutuar për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

“Nuk kemi diskutuar asnjëherë me partnerin e koalicionit për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Edhe partneri i koalicionit është i mendimit që zgjedhjet duhet të mbahen më 2018”, tha Rugova.

Prej gushtit të vitit 2015, kur partitë opozitare nisën bllokadën e punës së Kuvendit, pas nënshkrimit të marrëveshjes së Demarkacionit, mbajtja e zgjedhjeve nacionale ka qenë kërkesë e vazhdueshme e opozitës.

Në debatin për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje, u përfshi edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Në tetorin e vitit të kaluar, Veseli deklaroi se “nuk bëhet nami”, nëse vendi shkon në zgjedhje.

Në anën tjetër, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, vazhdimisht ka insistuar se koalicioni do ta çojë mandatin deri në fund dhe zgjedhjet nacionale do të mbahen më 2018.

Më 2007, Kosova mbajti dy palë zgjedhje, ato lokale dhe të përgjithshme.

Kriza e vazhdueshme politike dhe pamundësia e Qeverisë dhe Kuvendit për të marrë vendime strategjike për vendin, ka hapur mundësinë, që skenari i vitit 2007 të përsëritet.

Qeveria po vazhdon të dështojë t’i shtyjë përpara miratimin e demarkacionit me Malin e Zi si dhe të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje këto që Kosova i ka marrë si zotime ndërkombëtare./Express/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img